Hasi : Enciklopedi etnokulturore II
Hasi : Enciklopedi etnokulturore II : Gjeografia, trashëgimia familjare, jeta sociale. Me autor Nexhat Çoçaj. Botuar nga "Mileniumi i Ri". Durrës, 2014. Faqet e librit 768.
Kjo enciklopedi etnokulturore paraqet të dhëna të cilat janë mbledhur në gjithë Krahinën e Hasit, pra Hasi si krahinë është kthyer nga autori në një fokus antropologjik me qasje enciklopediko-etnografike.
Zona etnografike e Hasit, në përputhje me rrethanat historike dhe pozitën gjeografike, luan rolin ndërmjetësues në gjeopolitikën shqiptare në raport me ndarjet krahinore të trojeve shqiptare, të fiseve ilire. Kjo krahinë etnografike ka qenë rajon i transaksionit ekonomik, që ka lidhur detin me tokën, përmes korridoreve të saj, që ishin rrugë të njohura për Europën Lindore, nga Lindja në Perëndim.
Fillimisht, zona e Hasit banohej vetëm nga banorët hasjanë, por më pas me krijimin e kushteve të reja, që i solli historia, disa fshatra të Hasit u bënë fshatra kozmopolite, kur erdhën dhe u vendosën banorë nga zona të tjera. Duke filluar nga zonat më të afërta, si nga Merturi, Malësia e Gjakovës, nga Përdrinia, nga Luma.
Studimi ndahet në 5 kapituj të rëndësishëm:
Pjesa e parë: Pozita gjeografike dhe trashëgimia natyrore,
Pjesa e dytë: Popullsia dhe vendbanimet e krahinës së Hasit,
Pjesa e tretë: Shtëpitë ë banimit në Has,
Pjesa e katërt: Organizimi i jetës në Has,
Pjesa e pestë: Struktura ekonomike e fshatrave të Hasit.