Jump to content

Haxhi Dalipi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Haxhi Dalipi (Gjirokastër, 20 shkurt 1943 - 15 shtator 2006) ka qenë muzikant, etnomuzikolog dhe mbante titullin “Artist i Merituar”.

Lindi në Gjirokastër , ku kreu shkollën e mesme e studioi për flaut. Më pas ndoqi studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për kompozicion dhe dirigjim. Pas përfundimit të studimeve, për vite me radhë drejtoi Ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend. Në vitin 1988 krijoi orkestrën simfonike dhe filarmoninë e qytetit. Punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar. Deri një vit më parë, Dalipi ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në krye të këtij institucioni i cili e kishte humbur shkëlqimin e dikurshëm, Dalipi u mundua të rikthente publikun, të organizonte koncerte dhe të ringjallte edhe njëherë korifenjtë e muzikës dhe valles shqiptare. Të munguara për vite me radhë, ai i ktheu ansamblit turnetë nëpër rrethe dhe pjesëmarrjen në aktivitete dhe festivale ndërkombëtare. Ai u dorëhoq nga drejtimi i Ansamblit, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vendosi ta kalonte atë sërish nën varësinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ka dhënë kontributin e vet në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.