Jump to content

Himara në breg të detit : shënime historike dhe kujtime

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Himara në breg të detit : shënime historike dhe kujtime me autor: Kleanth Andoni. Botuar nga "Baça". Tiranë, 2001. Faqet e librit 200.

Libri "Himara në breg të detit", Shënime historike dhe kujtime, i autorit Kleanth Andoni nga Vunoi. Poeti dhërmias Llambro Ruci e ka përgatitur për botim dhe redaktuar. Autori duke përgjithësuar krahinën e Himarës, shtjellon më në detaj zakonet dhe historinë e fshatit të tij të lindjes, Vunoit. Përmes tërë librit është gërshetuar historia me vargjet e bukura popullore të krahinës, të poetëve të shquar sikurse Nase Beni etj. Libri ndahet në pesë pjesë. Pjesa e parë është titulluar "Fletë nga historia e Himarës". Në të përshkruhen tiparet fizike të krahinës së Himarës (me Mjegulloshin, Çikën) si dhe njerëzit punëtorë të Himarës, duke u ndalur edhe në detarinë. Më pas vazhdon një nënpjesë të titulluar "Mes lulesh", "Lule Vilajeti" dhe "Për lirinë e vendeve fqinjë". Në këtë të fundit jepet një letërkëmbim interesant të himariotëve me Mbretërinë e Napolit (rreth 1735-1795) si dhe një listë të kadetëve të krahinës së Himarës. Pjesa e dytë është titulluar "Ngjarje dhe zakone të vjetra të fshatit" në të cilin illustrohen përmes shëmbujve lufta kundër veseve të këqia të bëra me rreptësi me fokus në fshatin e Vunoit. Në pjesën e tretë "Vëllezër të pandarë" është shtjelluar lidhja që ekzistonte midis Vunoit të Himarës dhe krahinës së Kurveleshit dhe Dukatit e në veçanti me Vranishtin. Pjesa me volumoze e librit është pjesa e titulluar "Nga lufta Nacional Çliimtare në krahinën e Himarës", "Kujtime dhe shënime" ku trajtohen përmes kujtimeve personale të autorit ngjarjet që nga lufta italo- greke deri në çlirimin e Shqipërisë. Krijimi i njësitit të Bregut, vrasja e tenente Moretti-t, trimëria e Zaho Kokës dhe Llambro Andonit, formimi i çetës së Bregut, kapitullimi i Italisë në shtator 1943, përballimi i mësymjes së përgjithshme të gjermanëve në dimër, operacioni gjerman i qershorit, formimi i Brigadës 12 sulmuese, janë trajtuar në një volum prej afro 90 faqesh. Në fund është trajtuar edhe çlirimi i Himarës. Pjesa e pestë është ditari partizan, 14 maj deri 29 nëntor 1944, ku autori përshkruan veprimet luftarake të Brigadës 12 Sulmuese. Po ashtu jepet edhe një listë e dëshmorëve të batalionit të Dytë të brigadës 12-të.