Jump to content

Himara në shekuj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Libri "Himara në shekuj", botim i vitit 2004, faqet e librit 505. Është përgatitur nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përbën një përmbledhje me studime të hartuara nga punonjësit shkencorë të Instituteve të Arkeologjisë, të Historisë, të Kulturës Popullore, të Gjuhësisë e të Letërsisë, të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të Qendrës së Studimeve Gjeografike, të Arkivit të Shtetit dhe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ndonëse përmban artikuj të veçantë, ky vëllim përbën në vetvete një vepër tërësore e të gjithanshme, kushtuar trashëgimisë historike-kulturore të popullsisë së kësaj krahine nga lashtësia e deri në kohën e sotme. Nëpërmjet 24 studimeve të fushave më të ndryshme, hidhet dritë mbi veçoritë gjeofizike të territorit, mbi vazhdimësinë e jetës së banorëve të saj nga lashtësia e deri në ditët tona, që dëshmohet me të dhënat për gjetjet arkeologjike të periudhës prehistorike, të asaj ilire, me monumente mesjetare e të kohës së re; mbi kulturën materiale e shpirtërore të popullsisë, mbi historinë aq të pasur politike, mbi gjendjen ekonomike-shoqërore, mbi gjuhën, doket e zakonet, traditat etnokulturore, demografinë historike dhe karakterin etnik shqiptar të popullsisë së saj. Të gjitha këto aspekte të historisë dhe të jetës shpirtërore të popullsisë së krahinës së Himarës, trajtohen, në bazë të të dhënave shkencore që sillen në punimet e këtij vëllimi, ashtu siç janë në të vërtetë, si pjesë e pandarë e historisë, kulturës shpirtërore e materiale të popullsisë së Shqipërisë së Jugut e të Labërisë, pjesë e së cilës është edhe kjo krahinë dhe të kombit shqiptar në tërësi, të cilit i përket edhe popullsia e Himarës.