Himni kombëtar i shqiptarëve
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Himni kombëtar i shqiptarëve Gjinia: Histori, studim. Autore Valbona Karakaçi. Shtëpia botuese: Naimi. Viti i botimit 2009. Faqet e librit 288. ISBN 978-99956-800-3-9
Një libër që zbardh historinë e plotë të himnit kombëtar. Është bërë një shekull dhe janë shpalosur shumë variante nga studiues dhe historianë të ndryshëm në dekada të ndryshme duke dhënë secili variantin e tij, por në fund të fundit vetëm një mbijetoi gjatë kësaj periudhe kohore "Rreth flamurit të përbashkuar".
Për herë të parë himni kombëtar i shqiptarëve, njohur ndryshe si himni i flamurit, ka historinë e plotë të krijimit të tij. Sipas botuesit Naim Zoto, vlera e librit qëndron në faktin disi të pabesueshëm se, më në fund, edhe pse ka kaluar gati një shekull nga shpallja e Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pothuaj po aq nga publikimi i parë i tekstit të himnit tonë kombëtar dhe himnit vetë, deri më sot nuk kemi pasur në bibliotekat tona një vepër serioze, të plotë, mbështetur në dokumente dhe argumente shkencore të historisë së himnit tonë kombëtar.
Vepra botohet në kolanën "Universitas", një seri librash nga shtëpia botuese "Naimi" që synon të zgjerojë njohuritë dhe dijet albanologjike përmes botimeve me karakter akademik. Si dhe kush e krijoi himnin tonë kombëtar; himni shqiptar dhe tradita ballkanike, evropiane dhe botërore e himneve; përpjekjet e pasuksesshme për konkurrimin e himnit të Asdrenit; konkurset dhe tekstet e poetëve, kompozimet muzikore që rivalizuan krye simbolin kombëtar nga qeveria e Zogut, Enver Hoxhës deri tek qeveritë postkomuniste; të gjitha këto zbardhen pothuaj për herë të parë përmes dokumentesh të shumta dhe një vështrimi tekstologjik, letrar në monografinë e studiueses Valbona Karakaçi.
Sipas drejtorit të QSA, prof. Dr. Ardian Marashi, libri "Himni kombëtar i shqiptarëve "përmbush një mangësi të pashpjegueshme dhe të pajustifikueshme në kulturën tonë kombëtare". Ndërsa Prof. dr. Ymer Çiraku (recensenti i librit) ka shprehur se "Ky libër përbën një risi në fushën e studimeve shqiptare. Për herë të parë himni i flamurit ka historinë e krijimit të tij, punë kjo e bërë me gjithë vëmendjen e duhur. Ky studim do plotësojë një mangësi dhe Dr. Karakaçit do i jemi të gjithë mirënjohës për punën e bërë.
"Për himnin kombëtar, si tekst poetik dhe në tërësinë e vet, janë trashëguar shumë pak studime. Midis tyre, një shkrim i gjatë i Poradecit dhe një tjetër i mëvonshëm i Ramadan Sokolit, mbeten të vetmit për t'u veçuar. Në të vërtetë, të dy këta artikuj më shumë kanë karakter memoaristik e kronografik, informojnë për historinë e lindjes së himnit kombëtar, pa konsiderata të karakterit estetik - letrar. Një studim i mëvonshëm i V. Toles kryesisht sistemon në mënyrë enciklopedike të dhënat e njohura të dijes për himnin", shkruan në parathënien e monografisë studiuesi Shaban Sinani. Sipas tij në këtë studim, informacioni dhe përshkrimi i fakteve luajnë një rol parësor.
Studiuesja Karakaçi ia bën të lehtë shfletimin lexuesit, duke dhënë më vete gjithë kronologjinë e jetës së himnit, që nga krijimi, këndimi i tij për herë të parë, ardhja në Shqipëri, regjistrimi i parë nga një orkestër profesioniste dhe të gjitha përpjekjet që janë bërë për të krijuar një himn të ri, konkurset që janë zhvilluar, ku kanë marrë pjesë poetë e kompozitorë të shquar si Kadare, Arapi, Spahiu, apo Zadeja, Daija, Zoraqi, Gaci, Ibrahimi. Sipas kësaj kronologjie, në vitet 1907 - 1908 themelohet në Bukuresht Kori Kishtar Shqiptar, në përbërje të të cilit ishin 30 të rinj shqiptarë. Ishte pikërisht ky kor që këndoi për herë të parë Himnin Kombëtar Shqiptar. Në vitin 1908, himni u dërgua në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit, përmes Tashko Ilos dhe Hil Mosit. Për të parën herë tekstin origjinal të Himnit të Flamurit, të shkruar nga Asdreni me titullin "Betimi mi Flamur", e ndeshim në gazetën "Liri e Shqipërisë", në Sofje. Himni u këndua në ditën e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 si marsh patriotik dhe u rikëndua një vit më vonë nga orkestra frymore e qytetit të Shkodrës "Daulla", e drejtuar nga Frano Ndoja.
Duhet të kalonin shumë vite që Himni Kombëtar të rikonfirmohet si Himni i Flamurit pas ndryshimeve demokratike me Ligjin "Për Flamurin, stemën, himnin kombëtar, festën kombëtare dhe kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë" (1992). Një vit më vonë, për herë të parë në dokumentet themeltare të shtetit, himni merr mandatin e vet si simbol kombëtar me Projekt - Kushtetutën për Republikën e Shqipërisë, ku si himn kombëtar ishte "Përreth flamurit tonë të bashkuar". Ky himn u rikonfirmua edhe në vitet e mëtejshme. Por gjatë kësaj periudhe, kanë qenë të shumta tentativat për ta zëvendësuar atë.