Jump to content

Historia e Radio Kukësit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Radio Kukësi është një institucion mediatik publik që u themelua në tetor të vitit 1959. Më 16 tetor 1959 katër altoparlantë që vareshin në pemët e qytetit të vjetër të Kukësit, përhapën një sigël zanore “Ju flet Kukësi”. Kjo datë hapi rrugën e një radioje, e cila në jetën e saj të gjatë do të bëhej një mundesi e informimit në gjuhën shqipe. Radio Kukesi i afirmoi vlerat në ruajtjen e ndjenjës kombëtare të gjuhës, kulturës dhe historisë, sidomos te shqiptarët.[1]

Radio Kukesi ne fillimet e veta

Në një godinë njëkatëshe nisën punën një grup i vogël gazetarësh e teknikësh, që merreshin për herë të parë me ngritjen e një radioje në një transmetim prej 1 ore. Historia e kësaj radioje mbart vështirësi të mëdha. Pas mbytjes së qytetit, radioja ndërroi godinën, duke u vendosur në Kukësin e Ri dhe më pas në godinën e re, ku është edhe sot. Për një dekadë Radio Kukësi transmetoi me fuqi 1 KW, ndërsa në vitin 1969 u fuqizua me transmetues 16 KW me valë të mesme 245 m dhe me valë të shkurtra 45,5 m. Këto valë mbërritën në Kosovë, Maqedoni dhe u dëgjuan deri në vendet skandinave, Kinë dhe Kore. Nëpërmjet valëve të kësaj radioje propagandoheshin traditat shqiptare. Kjo ngjallte atdhedashuri për kombin shqiptar. Muzika shqiptare popullore ka qenë baza e fonetekës me mbi 20 mijë tituj, ndër më të pasurat në vend. Këngët e para ishin ato të trimërisë. Radioja ishte me antena të drejtuara nga objektivi që ishte Kosova dhe trevat shqiptare jashtë kufijve administrative të Shqipërisë. Kosova mbetet auditori më i madh, sepse në shumë pika u vendosën antena në kufi, për të mbuluar gjithë zonën e Kosovës. Ajo që ndodhte në Shqipëri përcillej në Kosovë vetëm nga Radio Kukësi. Kjo radio shënoi kulmin e saj në vitet ’90, kur në emisione të posaçme për Kosovën përmbushi boshllëkun informativ, kulturor të krijuar pas suspendimit të Radiotelevizionit të Prishtinës. Një nga arritjet e veta është shënuar edhe në vitin 1999, kur ka transmetuar 24 orë në ditë, duke u bërë inkurajuese e fitoreve në luftën për çlirimin e Kosovës.[1] Drejtori i parë i radios ka qenë Jashar Haxhiu. Ai rrëfen:"Safet Dokle dhe Ram Dema ishin të parët që ndezën aparaturat e Radios, më pas emri i teknikës së Radios lidhet me Genc Musën, një talent i lindur dhe i kultivuar në fushën e radioteknikës, që i fali kësaj radioje gjithë mundin dhe djersën e vet. Ndërsa bashkëshortja e tij Eglantina Musa, ishte folsja e parë që shqiptoi fjalët "Ju flet Radio Kukësi." Mustrif Dokle pas mbarimit të shkollës së mesme në Teknikumin "7 nëntori" në degën radioteknike, u emërua në Radio Kukësi, ku punoi derisa ndërroi jetë në vitin 2002. Redaktorët e parë ishin Hamdi Shllaku, Naim Mani dhe Ndue Ukcama" [2].

Radio "Kukesi"

Që nga 1 qershori i vitit 2009 Radio Kukësi ka kaluar në transmetim 24 orësh. Radio Kukësi vitet e fundit ka shënuar hopin cilësor në prezantimin e problematikës dhe arritjeve të Qarkut dhe më gjerë në Televizionin Publik Shqiptar. Ajo është e dyta në vend për nga rëndësia dhe numri i dëgjuesve pas Radio Tiranës. Disa nga gazetarët e Radio Kukësit janë: Jonuz Hallaqi, Sulejman Dida, Blerina Halili, Mirjana Perzhita, Rexhep Shehu, Klementina Dika dhe Zaim Basha. Radio Kukesi ka partnerë të fuqishëm mediatikë si: Radion DW, Radio Kosovën, BBC-ën dhe Zërin e Amerikës.[3]

Problematika e trajtuara ndër vite[4]

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Rritja e ndjenjës atdhetare
  • Luftërat e Kosovës për liri e pavarësi
  • Jehona e luftës nacional-çlirimtare
  • Arsimi, bujqësia, shëndeti, kultura dhe sporti
  • Zhvillimet demokratike dhe toleranca
  • Integrimi euroatlantik i vendit
  • Arritjet në infrastrukturë
  • Demaskimi i revizionizmit jugosllav,atij kinez, imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik.
  • Përfundimi i elekrifikimit
  • Përfundimi i ndërtimit të qytetit të ri dhe 13 fshatrave të reja që do të përmbyteshin nga ujrat e Liqenit të Fierzës
  • Propagandimi i traditave të popullit tonë
  • Forcimi i rendit kooperativist, sigurimi i bukës në vend.
Drejtorët në vite:[5]
Emri dhe mbiemri Vitet e punës
Jashar Haxhiu 1959-1962, 1969-1971
Hamdi Shllaku 1962-1963, 1966-1969, 1973-1975
Mustafë Hoxha 1963-1966
Haxhi Sinamati 1971-1973
Hasan Pinci 1975-1981
Xhavit Biçaku 1981-1992
Izet Duraku 1992-1997
Suzana Spahiu 1997-1999
Qemal Demhasa 1999-2007
Nermin Spahiu 2007-2009
Petrit Palushi 2009 e në vazhdim
Kryeredaktorët në vite:[5]
Emri dhe mbiemri Vitet e punës
Zaim Basha 1976-1992
Bajazit Cahani 1992-1993, 2003-2006
Sulejman Dida 1993-1998, 2006-2009, 2009 e në vazhdim
Besim Cengu 1998-2000
Mirjana Përzhita 2000-2001
Edlira Braha 2001-2002
Jonuz Hallaqi 2002-2003
  1. ^ a b Gazeta "Tirana Observer"-8 maj 2005,nr.39,fq.16-17
  2. ^ Libri "Kukesi i Vjeter", autori Elmaz Dokle, viti i botimit 2013,fq. 89
  3. ^ Gazeta"Tirana Observer"-8 maj 2005,nr.39,fq.16-17
  4. ^ Fletëpalosje me rastin e 50 vjetorit
  5. ^ a b Arkivi i Radio Kukesit