Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve
Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve me Autor: Mehdi Frashëri. Botuesi: "Plejad". Faqet e librit 360.
Veprimet që veprojnë përmbi kombet, kaq të shumta janë, të largëta e të mpleksura sa shumë herë shkoqitja e këtyre është e pamundshme. Por megjithëkëtë, kjo gjë s'na ndalon dot të mejtohemi për shkoqitjen e tyre. Se historia e kombeve të sotëm dhe ajo e kombeve të shkuar që kanë ardhur mbi faqen e dheut, studimi i klimës, i vendit, mbi njerëzit, mbi kombet, na kanë zbuluar mjaft të vërteta, për të dhënë kurajo të shkoqitim këto ngjarje.
Në të zgjidhurit e çështjeve që vumë përpara, lipsemi të marrim në sy tokën që rri kombi shqiptar, të shkuarat e ti, psikologjinë e tij, veprimet që kanë vepruar mbi të dhe të tjera gjë. Po herën e parë na lipset të dimë se kombi shqiptar ku rri? Deri ku ka qenë Shqipëria? E gjer ku është sot? Arbëri e vjetër.
Meqënëse fjala Shqipëri është fjalë e re, ndaj vjetërsisë së kombi tonë, për Shqipërinë e vjetër përdorim fjalën Arbëri; se kjo fjalë i kap të gjitha viset që kanë pasë ndenjur qëmoti, gjithë vëllazëritë arbnore. Arbëria ndahej në tri pjesë të mëdha: Iliria, Epiri, Maqedonia.