Jump to content

Historiku i Vranishtit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Historiku i Vranishtit (Vlorë) Grup autorësh. Botuar në Tiranë : Toena, 2011. Faqet e librit 148.

Libri është i mirëseardhur dhe i mirëpritur në këtë vit të Flamurit, 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së kombit shqiptar. Libri jep gjurmë të një jete të gjallë, shpalos me detaje, qartë e bindshëm, historinë e pasur të kësaj zone të Lumit të Vlorës, një histori jete të pasur e të motivuar, e cila është me dimensione më të mëdha dhe jehonë më të fuqishme se sa përmasat e shtrirjes së saj gjeografike. Ai dëshmon se historia, jeta dhe vepra e këtij fshati janë të pandara nga krejt zona e Lumit të Vlorës, krahina e Mesaplikut, Kurveleshit e Bregut të Detit. Nëse jeta nis në familje, në vendlindje selitet, së pari, ndjenja e atdhedashurisë për të marrë, mandej, dimensionet kombëtare. Kudo që gjendet çdo diasporë, brenda apo jashtë vendit, ajo nuk e heq mendjen nga vendlindja. Edhe komisioni i këtij Historiku është larg vendlindjes, por duke përpiluar këtë libër, ai dëshmon se është shumë më afër dhe ndjehet më i lidhur me fshatin e vet se çdo banor që vazhdon të jetojë atje. Ata kanë dhe mallin si forcë shtytëse. Kuptimplotë është edhe fakti i traditës që gushti i çdo viti ka dhe “Ditën e Vranishtit”, kur bijtë dhe bijat e tij nga brenda apo jashtë vendit, mblidhen, çmallen, respektojnë vendlindjen dhe traditat. Vranishti funksionon edhe nëpërmjet bijve e bijave të vet të larguar. Që jeta e shqiptarëve spikat, kryesisht, si një histori e përpjekjeve të përgjakshme për mbijetesë, këtë e dëshmon edhe kjo histori. Lëvizja kombëtare shqiptare për liri e pavarësi, si integrale e veprave të të gjitha zonave e komuniteteve përbërëse, ka në themelet e saj edhe kontributet e vranishiotëve. Fshati ka qenë një bazë e fuqishme e lëvizjeve patriotike dhe mbrojtjes së interesave mbarëkombëtare. Në momentet më kulmore dhe vendimtare të historisë kombëtare, ky fshat i Labërisë është gjendur në vijën e parë të përpjekjeve dhe sakrificave, siç janë mbështetja që ata i dhanë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pritjes vëllazërore e atdhetare që i bënë Abdyl Frashërit; pjesëmarrja në luftimet tek pesë puset e Janinës, që është përjetësuar në elegjinë magjiplote “Janinoo”; lufta në Meçovë; përshëndetja e ngrohtë dhe mbështetja e Ismail Qemalit në fshat; krijimi i çetës patriotike në mbështetje të ngritjes së Flamurit, në Vlorë; pjesëmarrja e gjerë në luftën kundër andartëve grekë, në vitin 1914, dhe kundër pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës (1920), ku vetëm prej këtij fshati jepet një listë prej 236 vullnetarësh; ndihmesa në Kongresin e parë të Labërisë (1924); mobilizimi pa rezerva në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare me krijimin e të gjitha strukturave qeverisëse në shërbim të Luftës, me Këshillim. Çetën partizane “Sali Murati” e atë territoriale, ku shënohen 63 dëshmorë dhe dy Heronj të Popullit etj. Tërbimi i nazistëve gjermanë gjatë Operacionit të Dimrit “Kazani malor” (Bregkessel), me masakrën e Vranishtit (dhjetor 1943 – shkurt 1944), është një pikë e lartë e vlimit të asaj lufte të pabarabartë, vetëmohuese e heroike për fshatin, si dhe për mbarë vendin. Është një fshat “martir”, s’është kursyer, prandaj dhe meriton më shumë. Historikët lokalë vijnë e bëhen kështu mbështetje e historisë kombëtare, i japin asaj koloritin, shtrirjen dhe argumentin bindës...