Jump to content

Implantimi digjital

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vizionet, që dikur qarkullonin, për një rrjet global mes qenieve njerëzore, sot janë realitet. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë digjitale ka ndikuar edhe në proceset e shkencës moderne, duke avancuar disa disiplina të saj, që sot kanë bërë ndryshime radikale në shumë sferat relevante të jetës së përditshme. Se sa do të jenë në shërbim në njerëzimit apo dëm të tij këto të arritura shkencore, mbetët të presim rezultatin e faktorit kohë! Shumë disiplina shkencore, që në një periudhe kanë luajtur rolë të rëndësishëm në proceset e zhvillimin global, sot pothuajse janë margjinalizuar plotësisht, ose më mirë të themi, kanë mbetur vetëm si dekor në mozaikun e përgjithshëm të shkencës moderne. Gjithnjë e më shumë, po avancojnë disa disiplina shkencore e mes tyre: informatika dhe mikrobiologjia, që viteve të fundit e kanë përshpejtuar dhe ndryshuar pothuajse tërësisht rrjedhën e deritanishme të hulumtimeve. As zbulimet më të fundit të deshifrimit, pothuajse të përgjithshëm, të gjeneve nga shkencëtari Carig Venter, të cilat mendohet se do të hapin një epokë të re për njerëzimin, nuk do të mund të realizoheshin pa ndihën e mikroprocesorëve, pra kompjuterëve, që sot janë pjesë e pashmangshme e çdo lloj procesi aplikativ, e pa ndihmën e të cilëve bota nuk do ta kishte këtë trend të shpejtë të zhvillimeve që e ka sot. Kjo përparësi po shfrytëzohet edhe nga mjekësia kirurgjike për transplantimin dhe implantimin e organeve ose objekteve tjera për qëllime shëndetësore, estetike, eksperimentale etj., si dhe kohëve të fundit atyre komunikative. „Unë do ta kisha pranuar me kënaqësi që fëmijut tim t’i implantohet një çip kompjuterik, për të pasur informata të sakta në çdo kohë rreth vendndodhjes së tij“ - u tha gazetarëve në Las Vegas në Consumer Electronics Show, pronari i organizatës së njohur për prodhimin e softuerit SUN (është i njohur programi për byro Star Office, që është konkurrent i programit shumë të njohur dhe te shtrenjtë Office të Microsoftit, por për dallim nga ai, ky ofrohet falas) Scott McNealy. Menjëherë pasuan reagimet nga më të ndryshmet! Derisa disa e përmbanin këtë ide si proces produktiv në shërbim të njerëzimit, të tjerët paraqisnin tezat e tyre rreth mundësisë së keqpërdorimit, jo vetëm nga organet përkatëse, por edhe nga vetë individi ose prindërit, duke cenuar të drejtën elementare të njeriut për veprime të lira dhe të pavarura. Organizata SUN, pasi nuk pati sukses të konsiderueshme në projektin „Connectd Family“, e zvogëloi edhe interesimin e mëtejmë. Mirëpo, në skenë doli organizata amerikane Aplied Digital Solution, e cila parasheh që deri në fund të këtij viti ta krijoj një prototip të këtij çip kompjuterik që implantohet në trupin e njeriut dhe u quajt „Digital hinge“- grep digjital. Interesimi i shkencëtarëve për komunikime të tilla daton shumë herët, që nga zbulimi i aparateve të para elektronike e sidomos pas atyre me sistem digjital. Baza e sistemit digjital është procesi binar që përbëhet nga dy shifra 1 ose 0, e që u zbulua nga gjeniu gjerman Gottfried Leibniz që në vitin 1666. Por është interesant të cekim se si erdhe deri te ky zbulim, që disa shekuj më vonë, ndryshoi rrjedhat e përgjithshme të shkencës në drejtim produktiv. Leibniz, sistemin binar e zbuloi duke u bazuar në librin e vjetër 3000 vjeçar kinez që quhet I-Ging ose në përkthim „Libri i shndërrimeve“ (ky libër edhe sot gjen përdorim të gjerë në sferën spirituale) në të cilin Universi me të gjitha fenomenet e veta, paraqitet si një dualitet – ose/ose, si: bardhë-zi, dritë-hije, lartë-poshtë, mashkull-femër etj. Sipas I-Ging-ut, e gjithë materia, qoftë e gjallë apo e vdekur, është e përbërë dhe e përshkuar nga një energji me dy pole: poli pozitiv që quhet „Yang“ dhe poli negativ që quhet „Yin“. Leibniz-i energjisë pozitive i dha shifrën „1“ dhe që reprezantonte për të „Zotin“, ndërsa energjisë negative i dha shifrën „0“ që simbolizonte „Universin“. Pra, sipas tij, në bazë të „1“ dhe „0“ u krijua gjithçka. Këtë sistem, më vonë, e përpunoi matematikani britanik, G. Boole që edhe quhet Algjebra e Boole-s, dhe tek disa shekuj më vonë, shkencëtarët bënë kombinimin e formulave të Boole-s me sistemin binar dhe kështu mundësuan krijimin e kompjuterëve digjital të cilët sot ne i kemi në përdorim... Çip-i kompjuterik „Digital hinge“, njësit dërguese dhe pranuese i furnizon me energji elektromekanike. Kështu që mundësohet furnizimi i tij me energji përmes lëvizjeve të muskujve të trupit të personit që e bartë atë. Gjithashtu, duke ju falënderuar sistemit satelitor - Global Positioning System (GPS) , bartësit e këtij çipi janë në çdo kohë të lokalizuar ose edhe të dirigjuar! Udhëheqësi i grupit, Peter Y. Zhou parasheh zbatime të shumanshme të këtij dërguesi të implantuar në jetën e përditshme e sidomos në kriminalistik dhe në mjekësi. Para së gjithash, ky çip do të shërbej për interesa mjekësore, thonë krijuesit e tij. Për shkak të ndjeshmërisë së madhe dhe mundësisë së shkëlqyer për kapacitetin bartës të njësive, ky çip do të mund të implantohet tek pacientët me kurime intensive, për të pasur nën mbikëqyrje funksionimin e organeve të tyre vitale e në raste të posaçme edhe ndikimin mbi to. Gjithashtu, interes të posaçëm ky çip ka zgjuar edhe në qarqet e sigurimeve shtetërore. Ata, përmes këtij çipi të implantuar tek kriminelët që kanë kryer vepra të rënda, do të mund ta kenë në kontroll çdo lëvizje të tyre, e sidomos në raste arratisjeje. Po ashtu, me këtë çip do të pajisen edhe funksionarët e lartë, të cilët në raste kidnapimi, duke ju falënderuar këtij mikrosistemi, do të zbulohen shumë shpjet si dhe do të lokalizohet vendqëndrimi i tyre, e kështu do të mundësohet edhe eliminimi i kriminelëve. Edhe milionerët i gëzohen këtij çipi, pasi ai u mundëson mbikëqyrje dhe siguri më të madhe se deri më tani. Gjithashtu, interes të posaçëm kanë shfaqur edhe prindërit, të cilët shpresojnë se përmes këtij çipi do të mund t’i kontrollojnë lëvizjet e fëmijëve të tyre, e kështu do të kenë mundësi t’i evitojnë ose dhe eliminojnë sjelljet dhe veprimet e tyre negative etj. Pra, përmes këtij sistemi mundësohet krijimi i një rrjeti global mes qenieve njerëzore, që sot mund t’i përngjaj sistemit telefonik mobil, mirëpo me karakteristika tjera! Por, siç dihet, medaljoni i ka dy anë, mu ashtu sikurse sqaron edhe I-Ging-u me sistemin Yang-Yin, pra energjinë pozitive dhe atë negative. Derisa, admiruesit propagandojnë vlerat pozitive dhe të dobishme të këtij mikrosistemi për mbarë njerëzimin, kundërshtarët i mohojnë ato, duke e cilësuar këtë mikrosistem si një kreatur në shërbim të diktatorëve, autokratëve, monopolistëve etj. Me këtë sistem - thonë ata, faktikisht, njeriu bëhet qenie e lokalizuar dhe e kontrolluar sipas nevojës së dikujt tjetër, pa pasur mundësi që të kundërshtoj ose rezistoj. Ky është vetëm hapi i parë në këtë drejtim, kur dihet se sot ekzistojnë mikrosisteme që mundësojnë miliona e miliarda operacione në sekondë, prandaj shumë lehtë mund të implantohen një sistem i tillë edhe në tru dhe kështu individi të kthehet në një robot, por i përbërë nga mishi e gjaku, e i dirigjuar nga dikush tjetër për nevoja ose shërbime të planifikuara – përfundojnë ata. Pra, pasojat nuk dojnë koment! Megjithatë, shkenca vazhdon të lëviz rrugës së vetë, drejt procesit të pandalshëm, drejt zbulimeve të reja, pavarësisht nga mendimet, gjykimet apo spekulimet që drejtohen në adresë të saj. Ajo është edhe detyra e saj. Çdo zbulim i ri, normalisht që ka edhe defektet e veta. Prandaj, se sa janë produktive apo destruktive të arriturat dhe zbulimet që bënë ajo, do të na paraqesin rezultate e mëvonshme, të cilat faktori kohë do t’i vlerësoj. Por, shkencëtarët duhet të mundohen, që së paku, mos t’u ndodhin puçe nëpër labore, sepse ato nuk i referohen vetëm një „partie“ ose një „shteti“, por pasojat e atij puçi mund t’i bartë gjithë njerëzimi!