Jump to content

Jean Marais

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Zhan Mare u përkiste atyre aktorëve të njohur që filmin e kishin profesion e kurrsesi vetëm hobi. Shikuar në këtë drejtim, jemi të bindur se Franca do të ishte mjaft e varfër pa aktorin – Zhan Mare i cili na kishte mësuar të na dhuronte role të fuqishme poliedrike me të cilat begatohej mbarë kultura filmore. Filmat që na i la Zhan Mare shikoheshim me admirim të madh nga të gjitha shtresat njerëzore ngase kishin porosi të qartë, duke na shërbyer edhe si mësim se si duhej ta respektonim lirinë njerëzore. Zhan Mare interpretonte heronj të mëdhenj të popujve të ndryshëm por më së tepërmi trimat e paepur të atdheut të vetë nga filmat ”Kalorësi Gungaç”, ”Fantomasi”, “Misteret e Parisit” dhe heronj të tjerë të shquar të periudhave të ndryshme të historisë njerëzore. Edhe Zhan Mare na ka dhuruar një varg filmash të paharruar që na kanë mbetur në kujtesë si vepra të një doajeni të njohur që artin filmor dhe atë teatror i kishte dashuri të vërtetë. Filmat e tij të ndritur përjetonin edhe shikueshmëri të madhe në mbarë botën, e sidomos tek ne që ishim mësuar me emrin dhe karizmën e tij që jetonte përherë e gjallë në zemrat tona rinore. Zhan Mare – një aktor shtatlartë, me një pamje impozante dhe tipare karakteristike fizike, dukej se ishte i lindur për role madhështore filmore dhe për heronjë të respektuar historisë. Aktori i shquar ishte edhe një Xhejms Bond francezë ose një “i shenjtë“ për role kriminalistike dhe aventuristike me të cilat bënte jehonë të madhe në mbarë arealin kulturor perëndimor dhe evropian dhe që lente mbresa të përhershme në kujtimet tona. Edhe Zhan Mare i përkiste gjeneratës së Zherar Filipit të popullarizuar të cilin vdekja e rrëmbeu në një moshë shumë të re, atëherë kur pritej shumë më tepër nga individualiteti i tij krijues. Me të drejtë mund të thuhet se Mare e vazhdoi atë që e kishte lënë mangut Zherar Filipi mitik, për ta ngritur shumë më lart edhe artin poliedrik filmor. Ai ecte i sigurt, krenar dhe i pamposhtur në rrugët e tij të lavdishme drejt sukseseve të reja dhe kolosale, duke qenë përherë i bindur se kishte të drejtë në një rrugëtim të tillë. Ai dinte dhe kishte aftësi të mëdha të përballej edhe me sfida të ndryshme ngase kishte një barrë të rëndë mbi supet e veta dhe si i tillë, i realizonte me sukses të gjitha ato role të fuqishme pozitive. Me prirje të posaçme dhe talent të rrallë, Zhan Mare tregonte sukses me çdo projekt të filluar filmor, duke mbetur edhe si njëri ndër aktorët kryesorë të kinematografisë franceze Duke u bazuar në filmat e tij plot aventura dhe në ata të Zherar Filipit të madh, edhe Zhan Pol Belmondo realizoi filmin e tij antologjik "Kartushi”, në regjinë e kineastit të shquar –Filip De Broka, i cili ka ngjashmëri të madhe me “Kalorësin gungaç” të aktorit – Zhan Mare, por edhe me serialin e Rober Oseinit ”Anxhelika” që ka mbetur ndër veprat më të shikuara kinematografike deri në ditët e sotme. Kalorësi gungaç i aktorit në fjalë, i cili dukej një palaço i mjerë, i fyer, i lënë pas dore dhe i urryer nga aristokracia franceze, është një hero i vërtetë enigmatic që u del në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë dhe që ndiqen nga banditizmi njerëzor. U del në ndihmë dhe bën mrekullira të papara heroike dhe trimërore me të cilat mburren shikues të shumtë dhe të pasionuar. Kalorësi gungaç përpiqej për çrrënjosjen e së keqes që kishte zënë rrënjë dhe ishte bërë gati legjitime në vise të ndryshme të Francës. Shikuar nga shumë drejtime, edhe Zhan Mare i dha frymë të fuqishme artit filmor, ashtu siç vepruan edhe doajenë të tjerë dhe veteranë të mëdhenj si : Zhan Gaben, Pol Meris, Serxh Rexhian, Lino Vantura, Sharl Vanel, Simon Sinjore, Brizhit Bardo, Zhan Luj Trantinjan, Alen Delon, Belmondo, Mishel Pikoli, Zhan Roshfor, Zherar Filip, Rober Osein, Mishel Mersie, Pjer Bris, Daniel Darie, Anuk Eme, Pjer Vanek, Ketrin Dënev dhe yje të tjerë të filmit francez. Edhe emri i tij ka mbetur sinonim i një lavdie të përjetshme me të cilën ishte e stolisur kultura filmore e atdheut të tij, në një kohë kur edhe kinematografia i çelnikoste hapat e saj të sigurt edhe në Francë nga e cila mësoi edhe kinematografia e pavdekshme amerikane.

Siç theksuam edhe më lartë, Zhan Mare ishte ndër aktorët më të shquar francezë i cili realizoi shumë filma por ai, që na ka mbetur më së tepërmi në kujtesë është pikërisht ’’Konti i Monte Kristos’’ në të cilin Zhan Mare luan rolin e kalorësit dhe oficerit Emond Dantes.

Edmond Dantes në mënyrë të rrejshme akuzohet dhe dërgohet në burgun e kështjellës së njohur Shato D’if. Gjatë qëndrimit në burg ai njihet me plakun Abe Faria për të cilin të gjithë mendonin se ishte i çmendur por ai në të vërtetë e dinte se ku ishte fshehur një pasuri e paimagjinueshme arti dhe diamsanti. Pas shumë vitesh në burg Abe Faria vdes kurse Edmon Dantes ikë duke e shfrytëzuar trupin e tij të vdekur. Ai e gjen pasurinë dhe bëhet njeriu më i pasur i Francës me emrin Konti i Monte Kristos për të cilin askush nuk e dinte se nga vinte.

Pas kthimit të tij në Paris fillon hakmarrja e tij legjitime ndaj njerëzve që ia kishin kurdisur kurthin, njëri nga të cilët (Vilford, i cili kishte qenë edhe shoku më i ngushtë i tij) ia kishte marrë të fejuarën me emrin Mercedes.

Edmond Dantes një hero shumë i dashur për shikuesit e të gjitha meridianve është ndër figurat më të dhembshme të letërsisë dhe kinematografisë botërore, ngase pa asnjë faj burgoset në një ishull mes detit për ta vuajtur dënimin e rëndë dhe të pamerituar, duke u bërë viktimë e padrejtësisë më të fëlliqur e cila as që mund të merrej me mend nga askush. Në fund të filmit, Edmond Dantes makmerret në mënyrë të përsosur (dhe të dëshiruar edhe për shikuesin), sikur ta kishte dërguar vetë Perëndia në një rrugë të tillë interesante. Dhe secili nga personazhet e implikuara në komplot ndaj tij, e merr dënimin e merituar nga Njeriu i befasimeve të shumta me pseudonimin Konti i Monte Kristos.