Jump to content

Jeta politike në Shqipëri shek.XII - XIII

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Principata e Arbrit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ballafaqimi i Perandorisë Bizantine me normanët e Italisë dhe me kryqëzatat në shek. XI-XII, nxori në plan të parë rolin e shqiptarëve dhe të tokave shqiptare që u ndodhën në qendër të këtij ballafaqimi. Qëndrimi i shqiptarëve përcaktoi dukshëm zhvillimin e fushatave ushtarake të Perëndimit, ndaj pushteti qendror bizantin u përpoq ta mbante në anën e vet fisnikërinë shqiptare, duke e joshur atë me privilegje e tituj deri dhe me ofiqe të lakmueshme në ushtrinë dhe administratën bizantine. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XI në burimet historike përmenden familje fisnike shqiptare, si Skurra, Arianiti, Muzaka, Topia, Meksha, Jonima, Pliti, Blinishti, Kamona, që mbanin tituj të lartë bizantinë. Veçanërisht në shek. XII, shumë i përhapur ishte titulli sebast, që lidhet me periudhën e sundimit të dinastisë Komnene e posaçërisht me atë të Manuelit I (1147-1181). Luftërat e këtij perandori sa në Itali aq edhe në Ballkan, kryesisht kundër serbëve të Rashës, e rritën rolin dhe peshën ushtarake të faktorit shqiptar. Fisnikët shqiptarë ishin fuqizuar mjaft. Ndërkohë, ata shfrytëzuan privilegjet dhe ekskusitë e akorduara nga pushteti qendror, për të rritur shkallën e autonomisë së tyre. Ky proces zhvillimi politik autonom i feudalëve dhe i krahinave të veçanta eci më shpejt në trevën qendrore të Arbrit, me rol strategjik e ushtarak të posaçëm. Në gjysmën e dytë të shek. XII këtu kishte ndodhur me siguri një proces përqendrimi pushteti. Në vitin 1166 përmendet, në fakt, një prior Arbanensis (princ i Arbrit). Së bashku me disa klerikë të lartë nga Arbri ky mori pjesë në përurimin e kishës së re të Shën Trifonit në Kotorr. Në ceremoni merrte pjesë dhe "duka e komandanti" bizantin për Dalmacinë, Dioklenë e për Arbërinë, Isaku. Kjo tregon se priori i Arbrit, Andrea, e njihte ende formalisht sovranitetin bizantin. Megjithatë, në këtë kohë autonomia politiko-administrative e Arbrit ishte rritur së tepërmi, siç tregojnë edhe privilegjet e vitit 1153 të perandorit Manuel për kryeqendrën e Arbrit, Krujën. Duke u nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që vendosi me Papatin, perandori Manuel u tregua liberal edhe përsa u përket marrëdhënieve kishtare; në kohën e tij riti katolik njohu një përhapje të gjerë jo vetëm në Shqipërinë e Epërme, por dhe në atë Qendrore, posaçërisht në Arbër. Këto zhvillime në Shqipëri, që përkonin në një plan më të gjerë me thellimin e procesit të feudalizimit të Perandorisë Bizantine, me dobësimin e pushtetit qendror dhe decentralizimin e tij, në fundin e shek. XII, çuan në krijimin e një strukture me tipare të qarta shtetërore në trevën e Arbrit dhe në kristalizimin e një dinastie sunduese vendase. Duke u nisur nga titulli "princ" (princeps), që papa Inocenti III i dha më 1208 njërit prej krerëve të saj, Dhimitrit, kjo strukturë shtetërore është quajtur zakonisht në historiografi "Principatë e Arbrit", njëlloj siç është quajtur "Despotat i Epirit", formacioni fqinjë me Principatën e Arbrit, me qendër në Artë, i cili kishte në krye një despot.

Pas rënies së dinastisë së Komnenëve dhe me ardhjen në fronin bizantin të dinastisë së dobët të Engjëllorëve, treva e Arbrit fitoi tiparet e një shteti të pavarur. Themelues i tij ishte Progoni (1190-1198), pushtetin e të cilit e trashëguan të bijtë, Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216). Dokumentet e rralla të kohës nuk thonë se cilës familje të Arbrit i përkisnin këta. Ka shumë gjasë që sundimtarët e Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII t'i përkisnin familjes Skurra nga malësia e Tiranës, ku emri Skurrë ndeshet ende në toponiminë dhe antroponiminë e vendit. Emri i kësaj familjeje ndeshet vazhdimisht në burimet e shek. XII-XIII si ndër më kryesoret e Arbrit. Për pozitën e lartë shoqërore të saj flet edhe varri familjar i sebastit Mihal Skurra në kishën e Shën Mërisë së Brrarit i vitit 1201, apo varri i fisnikut tjetër nga kjo familje, Anton Skurrës, në kishën e Shën Ndout në Lezhë. Për pozitën e veçantë që kjo familje kishte në shek. XII-XIII në gjirin e fisnikërisë shqiptare, flet dhe fakti që pinjollë të saj lidhën krushqi deri edhe me familjen perandorake bizantine. Edhe princi Dhimitër i Arbrit u martua me mbesën e perandorit bizantin Aleksi II Engjëlli, Komnenën, lindur nga martesa e vajzës së këtij të fundit, Eudokisë, me mbretin e Serbisë, Stefan Nemanjën e Kurorëzuar. Princesha Komnena, që kishte lindur jo para vitit 1191, ishte në moshë të mitur kur aty nga viti 1202, iu blatua princit Dhimitër të Arbrit, gjë që në vetvete flet për karakterin politik të kësaj martese. Martesa e Dhimitrit të Arbrit me Komnenën synonte edhe të normalizonte marrëdhëniet me Stefan Nemanjën e Serbisë, i cili në vitet e fundit të shek. XII kishte mundur të pushtonte mjaft toka në Kosovë e në Diokle (Gentë). Nemanja e vazhdoi përparimin në thellësi të tokave shqiptare, duke marrë edhe trevën e Pultit (malësia në të dy anët e lumit Drin të bashkuar) që bënte pjesë në Principatën e Arbrit. Pas lidhjes familjare me Nemanjët e Serbisë, Principata e Arbrit ruajti në mënyrë të qëndrueshme shtrirjen Drin-Shkumbin, të përfshirë midis Lezhës, Durrësit, Ohrit e Dibrës.

Principata e Arbrit e arriti kohezionin e saj më të madh nën sundimin e Dhimitrit. Nën autoritetin e tij u vunë atë kohë edhe familje të shquara të Arbrit, siç qenë Jonimët, Plitët, Shtëpanët, Kamonat etj. Në një traktat paqeje të nënshkruar prej tij më 1210 me Republikën e Raguzës, Dhimitri i quan këta, sipas së drejtës feudale perëndimore, "njerëzit e mi" (homines mei). Edhe titujt "gjykatës" (iudex) apo "princ" (princeps) që i atribuohen Dhimitrit prej papës Inocenti III, flasin për pozitën e tij të dalluar në gjirin e fisnikërisë së Arbrit. Ato tregojnë gjithashtu se familja e princërve të Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII ishte e ndikuar nga kultura dhe feudalizmi perëndimor. Këtë e konfirmon edhe hapi i ndërmarrë më 1208 nga princi Dhimitër për të kaluar në ritin katolik, duke u lidhur me kishën katolike të Romës. Me gjithë ndikimet që modelet feudale perëndimore patën në organizimin dhe në ndërtimin e Principatës së Arbrit, tradita bizantine mbetej ende shumë e fuqishme. Vetë Dhimitri parapëlqente të përdorte titujt bizantinë me prestigj panhypersebast apo megas arhond, ashtu si bujarët e tjerë mbanin titujt po bizantinë sebast ose protosebast. Qendra e Principatës së Arbrit ishte në qytetin e Krujës. Në kohën e Dhimitrit, Principata zotëronte edhe një dalje në det, në pjesën bregdetare midis Bishtit të Pallës dhe derdhjes së lumit Mat.

Principata e Arbrit, Dukati i Durrësit dhe Despotati i Epirit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kryqëzata IV (1204) solli një ndryshim rrënjësor të kushteve politike në Perandorinë Bizantine e posaçërisht në viset e saj perëndimore.

"Traktati i ndarjes së tokave", i nënshkruar nga Venediku e fuqitë e tjera pjesëmarrëse në Kryqëzatë në prag të sulmit përfundimtar mbi Konstandinopojën, parashikonte që një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar, prej Durrësit deri poshtë në Prevezë, të kalonte nën sundimin e Venedikut. Në fakt, venecianët arritën ta merrnin Durrësin dhe rrethinat e tij dhe të krijonin një zotërim të tyre të quajtur "dukati i Durrësit". Por në jug të tij, në temën e dikurshme bizantine të Nikopojës (Epir), venecianët nuk arritën të vendosnin pushtetin e tyre. Që në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XII një degë e familjes perandorake bizantine të Engjëllorëve kishte siguruar në Epir, veçanërisht në provincën e Vagenetisë (Çamëri), prona të mëdha tokësore dhe kishte ngritur aty një pushtet thuajse të pavarur nga Konstandinopoja. Në këtë mënyrë, menjëherë pas pushtimit të Perandorisë Bizantine nga kryqtarët më 1204, një pinjoll i Engjëllorëve bizantinë, Mihal Engjëlli, djali i qeveritarit të dikurshëm të Epirit, krijoi këtu një zotërim të pavarur. Dokumentet e kohës e quajnë këtë "Despotat i Artës", sipas kryeqendrës së tij. Në historiografi është bërë zakon të quhet "Despotat i Epirit". Gjatë historisë së tij më se dy shekullore, Despotati i Epirit e ndryshoi disa herë shtrirjen e tij. Sidoqoftë, bërthama e qëndrueshme territoriale përfaqësohej nga shtrirja e temës së dikurshme bizantine të Nikopojës, e përkufizuar nga malet Akrokeraune (Vetëtimës) në veri, nga gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug dhe nga rrjedhja e lumit Vjosa e vargmalet e Pindit në lindje. Deti Jon lagte krahun perëndimor të Despotatit. Përveç kryeqendrës, Artës, qytete e kështjella të tjera të rëndësishme ishin Janina, Ajdonati (Paramithia), Himara, Berati, Kanina dhe për një farë kohe (1213-1253) edhe Durrësi. Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së Despotatit në shtrirjen klasike të tij. Po veç shqiptarëve kishte edhe popullsi vllahe, greke e sllave të vendosura kryesisht në viset e Thesalisë, të Maqedonisë e të Etolo-Akarnanisë, që u aneksuan nga despotët e Epirit pas vitit 1216.

Nga pikëpamja e organizimit shtetëror, Despotati i Epirit ishte një shtet bizantin. Në krye të tij qëndronin despotët e familjes perandorake Engjëlli. Këta në aktet dhe në dokumentet zyrtare të tyre shfaqen me emrin e përbërë Engjëll-Duka-Komnen, duke kujtuar kështu lidhjet e Engjëllorëve me dinastitë e tjera bizantine. Vetë sundimtarët e Epirit nuk u pajtuan me statusin e sundimtarit të një province. Ata e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin dhe në këtë kuptim e konsideronin pushtetin e tyre në Epir si një pikënisje për të restauruar Perandorinë Bizantine, duke dëbuar kryqtarët nga vendet bizantine.

Vitet e para të sundimit despoti Mihali I Engjëlli (1204-1216) ia kushtoi konsolidimit të brendshëm të shtetit të posalindur. Nuk munguan në këtë kohë edhe konfliktet me principatat kryqtare, të krijuara pas vitit 1204 në kufijtë e Despotatit, në mbretërinë lombarde të Selanikut, në dukatin e Athinës dhe në Principatën frënge të Akesë. Me t'u krijuar një gjendje e qëndrueshme në kufijtë me këto formacione, iu vu punës për shtrirjen e Despotatit në drejtim të veriut. Në vitin 1210 Despotati i Epirit i ishte afruar së tepërmi dukatit venecian të Durrësit.

Ndërkaq sundimi i Venedikut në Durrës ishte treguar i paqëndrueshëm. Përpjekjet për ta shtrirë juridiksionin venecian përtej qytetit kishin hasur në kundërshtimin e princit Dhimitër të Arbrit. Fisnikë të Arbrit ishin tashmë zotër të tokave në rrethinat e Durrësit, gjë që shqetësoi jo vetëm pushtetin venecian të Durrësit, por dhe kryepeshkopatën katolike të qytetit, e cila pretendonte se Dhimitri dhe njerëzit e tij kishin okupuar pronat e saj. Me qëllim që të ushtronte presion mbi princin e Arbrit, duka i Venedikut lidhi një aleancë me princin e Dioklesë (Gentës), Gjergjin, i cili zotohej ta ndihmonte Venedikun kundër Dhimitrit. Por ky ndërkaq kishte arritur të bënte për vete papën e fuqishëm Inocenti III, të cilit i premtoi konvertimin e tij, të bujarëve e të popullit të tij në fenë katolike.

I brejtur nga konfliktet me princin e Arbrit, Papatin e me vetë kishën vendase, dukati venecian i Durrësit u tregua i pafuqishëm të përballonte mësymjen nga jugu të despotit të Epirit, të Mihalit I Engjëlli. Në vitin 1210 kufiri midis Despotatit dhe Dukatit venecian të Durrësit ishte vendosur në rrjedhjen e lumit Shkumbin. Atë vit duka Marin Valaresi u takua me despotin Mihal për të biseduar lidhur me vendosjen e një paqeje. Paqja u nënshkrua në verë të atij viti nga duka i Venedikut Pietro Xian dhe despoti Mihali I. Në bazë të saj njihej edhe de jure kufiri i Shkumbinit si caku verior i zotërimeve të Despotatit. Ndërkohë, despot Mihali zotohej të lejonte tregtarët venecianë të tregtonin lirisht, pa taksa e doganë, në tokat e tij dhe t'i mbronte ata nga shtetasit e tij, në rast konflikti me sipërmarrësit venecianë.

Në muajin shtator 1210 venecianët sheshuan edhe mosmarrëveshjet me kishën e Durrësit, duke vënë në krye të saj venecianin Manfred. Në marrëveshjen që nënshkroi me dukën Pietro Xian në shtator të vitit 1210, kryepeshkopi Manfred u betua se do t'i qëndronte besnik Republikës së Venedikut dhe se do të punonte që qytetarët si dhe bashkësia e Durrësit dhe e zonave përreth t'i bindeshin pushtetit venecian.

Megjithatë, shpresat e Venedikut për të ruajtur një minimum pranie në Durrës dhe në rrethinat e tij, pësuan goditjen e fundit më 1213, kur despot Mihali I Engjëlli ia shkëputi atë Republikës së Shën Markut dhe e bashkoi me zotërimet e tij. Ushtria e tij përparoi thellë në veri e më 1215 pushtoi Shkodrën, por shpejt u tërhoq prej andej për t'u vendosur në vijën e Durrësit. Pushtimi jetëshkurtër i Shkodrës ishte ndërmarrja e fundit ushtarake e despotit Mihali I.

Në rreth 10 vjet të sundimit të tij, shteti i vogël e i dobët epirot, arriti të zgjerohet duke zënë pak a shumë shtrirjen e temave të dikurshme bizantine të Nikopojës e të Durrësit. Përveç kryeqendrës, Artës, despot Mihali parapëlqente si rezidencë të zgjedhur të tij kështjellën e Beratit. Ende sot aty ruhen dëshmi të shumta të punimeve fortifikuese e të ndërtimeve të kultit të ndërmarra në kohën e sundimit të tij. Despot Mihali I vdiq pikërisht në kështjellën e Beratit në vitin 1216 pas një komploti të organizuar nga njerëz të afërt të tij. Pas kësaj në krye të Despotatit u vu i vëllai, Teodori. Nën sundimin e tij Despotati i Epirit arriti shtrirjen e tij më të gjerë. Politika e despotit të ri u orientua kryekëput nga lindja dhe synoi asgjësimin e principatave latine të kryqtarëve në Greqi, në Maqedoni e në Traki, rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine dhe kurorëzimin e tij si perandor i Bizantit. Në këtë kuadër fitoi rëndësi të posaçme kontrolli mbi Durrësin dhe mbi boshtin e Rrugës Mbretërore (Egnatia), i cili hapte rrugën drejt kështjellave të Maqedonisë e Selanikut dhe njëherësh shkëpuste lidhjet jetësore të perandorisë latine të Konstandinopojës ose të mbretërisë lombarde të Selanikut me fuqitë-mëmë të perëndimit. Duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij boshti rrugor e veçanërisht të pikënisjes së tij, Durrësit, mitropoliti i Korfuzit, Gjergj Bardhami, shprehej atë kohë se "despoti derdh pa kursim për Durrësin para, ushtri e çdo gjë tjetër, në mënyrë që të mos lejohen egërsirat nga Perëndimi të vënë këmbë në atë qytet, që ai e do mbi të tjerët ".

Në fakt, që në fillim të sundimit të tij, Teodorit iu desh të përballonte një përpjekje të latinëve për të shtënë në dorë korridorin e rrugës Egnatia. Në verën e vitit 1217, perandori i ri latin i Konstandinopojës, Pier dë Kurtëne, në krye të një ushtrie të nisur nga porti i Brindizit, zbarkoi në Durrës me destinacion Konstandinopojën. Pasi mori qytetin, ushtria latine e vazhdoi Marshimin përgjatë rrugës Egnatia në drejtim të Selanikut. Historiani bizantin Gjergj Akropoliti rrëfen se despoti Teodor i kishte ngritur pritë ushtrisë latine "në vendet e ashpra të Arbrit", diku në luginën e Shkumbinit. Në betejën e zhvilluar këtu, ushtria frënge u shpartallua keq dhe vetë perandori Kurtënè u zu rob. Një kronist frëng, vazhduesi i Robert Autissiodorensis, ia atribuon katastrofën e perëndimorëve qëndrimit armiqësor të popullsisë vendase (malicia indigenorum) që bashkëpunoi me despotin e Epirit. Pas kësaj fitoreje, Teodori e ripushtoi Durrësin. Në qytet u përforcua sistemi i mbrojtjes dhe u kryen punime të ndryshme fortifikuese. Në vitet që pasuan, Teodor Engjëlli i zhvendosi veprimet luftarake në lindje. Këtu ai mori njërën pas tjetrës kështjellat e Ohrit, të Përlepit, të Pelagonisë (Manastir) etj. Por objektivi kryesor ishte Selaniku, të cilin Teodori ua shkëputi baronëve lombardë në vitin 1224. Këtu ai u kurorëzua "perandor e autokrat i bizantinëve" nga kryepeshkopi i fuqishëm i Ohrit, Dhimitër Komatiani. Selaniku u bë qendra e re ku u zhvendos Teodori e oborri i tij. Qeverisjen e zotërimeve shqiptare Teodori ia besoi të vëllait, Konstandinit, të cilit i akordoi titullin despot. Duke ndjekur shembullin e perandorëve të Bizantit, ai u shpërndau tituj fisnikërie si sebastokrator, domestik i madh, protovestiar etj., bashkëpunëtorëve të tij të afërt, midis të cilëve edhe mjaft bujarëve shqiptarë. Në administrimin e punëve të "perandorisë" së tij, Teodori ndihmohej nga një "këshill i të zgjedhurve". Një mbështetje të fortë i jepnin politikës së tij prelatët e lartë të kishës, ndaj të cilëve Teodori tregoi vazhdimisht kujdes të veçantë. Mitropoliti i Naupaktit, Jan Apakauku, kryepeshkopi i Korfuzit, Gjergj Bardhani, ai i Ohrit, Dhimitër Komatiani, si dhe peshkopi i Kaninës ishin disa nga bashkëpunëtorët e këshilltarët më të afërt të Teodorit.

Pas marrjes së Selanikut, objektivi i dytë i madh mbetej për Teodorin pushtimi i Konstandinopojës, që do të shënonte fundin e Perandorisë Latine e rimëkëmbjen e Bizantit. Midis viteve 1225-1230 ushtritë e tij arritën suksese të mëdha në Maqedoninë Lindore e në Traki, ku pushtuan Adrianopojën. Por në vendin e quajtur Klokotnica, në vitin 1230, trupat e Teodorit pësuan një disfatë të rëndë nga ushtritë e carit bullgar, Ivani II Aseni, që ishte shqetësuar nga forcimi i shtetit epiriot e nga përparimi i Teodorit në zonën e interesave bullgarë.

Lufta midis Despotatit të Epirit dhe Perandorisë së Nikesë për hegjemoni në Shqipër

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Beteja e Klokotnicës, ku vetë Teodori u zu rob, goditi rëndë aspiratat panbizantine të despotëve të Epirit. Paskëtaj, zotërimet epirote u ndanë në shumë pjesë. Në Selanik e Thesali vazhdoi të sundojë i vëllai i Teodorit, Manueli. Gjithë territori, prej Adrianopoje në Durrës, u pushtua nga Ivani II Aseni i Bullgarisë. Cari bullgar filloi paskëtaj ta quajë veten "perandor e autokrat, zot i krahinave prej Adrianopoje në Durrës" dhe të shpalosë me forcë pretendimet për Konstandinopojën e për fronin bizantin. Krahinat e Epirit nuk u përfshinë në kufijtë e rinj të mbretërisë bullgare. Këtu shfaqet si sundimtar Mihali II Engjëlli, djali i Mihalit I. Për 10 vjet ky punoi për të forcuar pozitat e lëkundura të Engjëllorëve. Rrethi i bashkëpunëtorëve të tij u zgjerua me elementë të aristokracisë vendase, të cilëve u ishte besuar drejtimi i krahinave dhe i kështjellave të ndryshme të despotatit. Ashtu si dhe i ati, Mihali II i ruajti lidhjet e ngushta me Beratin, Vlorën e me parinë e këtyre dy qyteteve. Me qeveritarin e tyre, Jan Frëngun, pinjoll i një familjeje të vjetër fisnike vendase, despoti kishte edhe lidhje familjare.

Shthurja e Mbretërisë së Bullgarisë, pas vdekjes së Ivanit II Aseni (1241), e lejoi Mihalin II të zgjerojë kufijtë e Despotatit. Durrësi u bë përsëri pjesë e tij, ndërkohë që kështjella të tjera u aneksuan në Maqedoni e në Thesali. Por edhe kësaj radhe Despotati ndeshi në një kundërshtar të fuqishëm, që në atë kohë ishte bërë një faktor i rëndësishëm politik në Ballkan. Kjo ishte Perandoria e Nikesë, një formacion i ngjashëm me Despotatin e Epirit, që lindi pas vitit 1204 në Azinë e Vogël. Luftërat me Nikenë përbëjnë fazën e dytë të rëndësishme në historinë e Despotatit të Epirit. Ashtu si despotët e Epirit, edhe perandorët e Nikesë e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin. Marrja e Konstandinopojës e rimëkëmbja e Perandorisë Bizantine përbënin vijën kryesore të politikës së tyre, nga ku buronte edhe armiqësia me rivalët e tyre të Epirit. Pas dobësimit të Mbretërisë së Bullgarisë, Perandoria e Nikesë fitoi epërsi në ngjarjet në Ballkan. Brenda vitit 1246 perandori i Nikesë, Joan Vatatze (1222-1254), pushtoi Trakinë, Maqedoninë dhe qytetin e Selanikut.

Sukseset e rrufeshme të nikeasve zbuluan mangësitë ushtarake e politike të shtetit epiriot. Tashmë ishte dobësuar aleanca e këtij shteti me krerët lokalë të krahinave të ndryshme të Despotatit, në të cilën bazohej forca e tij. Politika e zbatuar nga Teodori e nga Mihali II në funksion të pushtimeve kishte goditur drejtpërsëdrejti format e qeverisjes në rajone të caktuara të Despotatit të Epirit me Principatën e Arbrit, e cila ishte kthyer tashmë në një shtet vasal.

Çarja midis dy aleatëve të dikurshëm u pa gjatë konflikteve ushtarake që u zhvilluan në zonën e Maqedonisë Jugperëndimore midis forcave të Nikesë dhe atyre të Epirit në vitin 1253. Atë kohë princi i Arbrit, Gulami, bashkë me forcat e tij, kishte zënë pozicion në zonën e Kosturit për t'u prerë rrugën nikeasve që kërkonin të çanin në drejtim të Devollit. Por perandori i Nikesë, Jan Vatatze, arriti të tërheqë në anën e tij princin Gulam, që tashmë ishte ftohur me Mihalin e Epirit. Premtimet joshëse të perandorit të Nikesë u konkretizuan me nënshkrimin e një traktati, që vuloste aleancën e re midis Nikesë dhe Arbrit dhe që njihte autonominë e këtij të fundit.

Krahas Gulamit të Arbrit, me nikeasit u bashkuan edhe krerët e Kosturit e të Devollit, të cilët gjithashtu ishin të pakënaqur nga Mihali II i Epirit. Në këto kushte, despoti i Epirit u detyrua të kërkonte paqe, e cila u nënshkrua në Larisë (1253). Mihali II hiqte dorë nga kështjellat e Maqedonisë Perëndimore dhe nga kështjella e Krujës. Kësaj të fundit, perandori Jan Vatatze i njohu qysh atë vit një sërë privilegjesh të rëndësishme që kishin të bënin me sigurimin e pronave të fisnikëve, të klerit dhe të qytetarëve të saj, si dhe me heqjen e tatimeve të caktuara. Të njëjtat privilegje u konfirmuan pas dy vjetësh nga perandori i ri i Nikesë, Teodori II Laskari (1254-1258). Ato iu konfirmuan vazhdimisht krutanëve nga perandorët e mëvonshëm të Bizantit.

Humbja e mbështetjes që kishte patur në Principatën e Arbrit ia bëri të pamundur despotit Mihal ruajtjen e zotërimit të rëndësishëm të Durrësit. Në vitin 1256 qyteti iu dorëzua perandorit të Nikesë. Paqja e nënshkruar atë vit midis dy rivalëve sanksiononte tërheqjen e Despotatit të Epirit në kufijtë e tij fillestarë. Në viset e zbrazura nga epirotët u vendos administrata e Nikesë.

Kryengritja e shqiptarëve kundër Perandorisë së Nikesë (1257-1258)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendosja e pushtetit të Nikesë në viset shqiptare nuk e përmirësoi gjendjen e tyre, përkundrazi, një administratë e rreptë ushtarake e civile u vendos në trevat shqiptare, përfshirë edhe Principatën e Arbrit, që kishte luajtur një rol vendimtar në suksesin e nikeasve. Në krye të saj u vu një qeveritar bizantin, Konstandin Habaroni, i cili së bashku me qeveritarët e krahinave të tjera të Shqipërisë e të Maqedonisë, u vu nën urdhrat e komandantit epror, pretorit Georg Akropoliti që kishte selinë në Selanik. Që të nesërmen e vendosjes së sundimit të Nikesë në Shqipëri filluan të duken shenjat e një pakënaqësie të thellë. Këto qenë më të forta në trevat e Principatës së Arbrit, e cila në kundërshtim me premtimet e dhëna, u privua nga çdo lloj autonomie prej regjimit nikeas. Qeveritari nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni, nuk ishte në gjendje të mbante nën kontroll gjendjen shpërthyese, ndaj, në dimrin e vitit 1257-1258, kryekomandanti i forcave perëndimore të Nikesë, pretori Gjergj Akropoliti, vendosi të organizonte një ekspeditë demonstrative në Arbër. Prej Selanikut, ekspedita e drejtuar prej tij përparoi nëpër Kostur, Ohër, Durrës, ku Akropoliti u takua me krerët dhe autoritetet e vendit. Marshimi i Akropolitit vazhdoi nëpër krahinat e thella të Matit e të Dibrës. Kudo ku kaloi Akropoliti u mundua të forcojë bazat e sundimit të Nikesë, duke riorganizuar administratën ushtarake e civile të saj. Pas tre muajsh misioni të vështirë në zonën shpërthyese të Arbrit, në shkurt të vitit 1258, Akropoliti mbërriti në Përlep. Këtu atij i erdhi lajmi se "mbarë populli i arbëreshëve ishte hedhur në kryengritje". Për rrjedhojë edhe despoti Mihali II Engjëlli i Epirit e prishi paqen me Nikenë. Vetë qeveritari Nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni, u zu rob prej tij gjatë një prite që iu ngrit në Kaninë dhe ku pati dorë e fejuara e tij, Maria Frëngu, kunatë e despotit Mihal dhe pinjolle e familjes më të shquar të zonës së Vlorës në shek. XI-XIII.

Gjendja e re e detyroi Akropolitin të ndërmerrte një fushatë të vërtetë ushtarake për të shtypur kryengritjen. Goditja kryesore e nikeasve u drejtua kundër vatrës së trazirave, Arbrit. Ushtria e tyre, nën komandën e vetë Akropolitit pushtoi Ohrin dhe vazhdoi Marshimin drejt Durrësit. Por qëndresa e kryengritësve shqiptarë e detyroi Akropolitin të bënte prapaktheu në Ohër. Paskëtaj, kryekomandanti nikeas u përpoq të hynte në Arbër nga ana e Dibrës, por edhe këtu ushtria e tij u rrezikua të asgjësohej nga kryengritësit, ndaj u tërhoq në drejtim të Përlepit.

Ndërkaq, i inkurajuar nga kryengritja e shqiptarëve, despoti Mihali II Engjëll i Epirit rifilloi veprimet luftarake në Maqedoni. Ushtria e tij, e përkrahur nga popullsia vendase, pushtoi Ohrin dhe kështjella të tjera të Maqedonisë Perëndimore. Pothuaj të gjithë komandantët e forcave të Nikesë u hodhën në anën e despotit të Epirit. Edhe kështjella e Përlepit, ku ishte i rrethuar kryekomandanti, Georg Akropoliti, u hapi portat epirotëve. Akropoliti dhe ushtarakë të tjerë ranë robër të Mihalit II. Në këtë mënyrë, gjithë këto treva u përfshinë përsëri në kufijtë e Despotatit të Epirit.

Sukseset e arritura në Maqedoni zgjuan te Mihali II i Epirit, ashtu si te paraardhësi i tij, ëndrrën e pushtimit të Konstandinopojës e të rimëkëmbjes së Perandorisë Bizantine, duke i paraprirë në këtë gjë rivalit të tij, perandorit të Nikesë. Në funksion të këtij qëllimi despoti i Epirit i hodhi sytë nga një aleancë e re me sovranin e Mbretërisë së Sicilisë, mbretin Manfred nga dinastia gjermane Hohenshtaufen, pavarësisht se ky kishte përfituar nga ngjarjet e fundit për të shtënë në dorë një pjesë të bregdetit shqiptar. Aleanca me Manfredin u bë fakt i kryer me martesën e këtij të fundit me vajzën e despotit Mihal, Helenën. Megjithatë përforcimet që mori nga Manfredi e dhëndri tjetër i tij, princi Guljelm II Vilëharduen i Akesë, nuk i mjaftuan despotit të Epirit për të ndalur ofensivën e filluar në pranverën e viti 1259 nga perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleolog. Ohri qe një nga kështjellat e para që despoti i Epirit u lëshoi nikeanëve. Kësaj radhe ish-kryepeshkopi durrsak i qytetit, Konstandin Kabasilla, që erdhi bashkë me ushtrinë nikeane, ndikoi me autoritetin e tij për t'i bindur mbrojtësit t'ia dorëzonin kështjellën perandorit të Nikesë. Pas Ohrit, ushtria e Nikesë, nën komandën e sebastokratorit Jan, vëlla i perandorit Mihali VIII Paleolog, rrethoi kështjellën e Devollit, të cilën e mori pas luftimesh të ashpra.

Në verë të atij viti, Mihali II Engjëlli pësoi disfatën përfundimtare në fushën e Pelagonisë (Manastir). Fitorja e Perandorisë së Nikesë mbi Despotatin e Epirit në Pelagoni u pasua nga një tjetër fitore e madhe e saj. Në verë të vitit 1261 nikeasit ua morën me sulm Konstandinopojën latinëve. Në këtë mënyrë, konflikti i gjatë për të korrur trashëgiminë e Perandorisë Bizantine u zgjidh në favor të Nikesë. Mihali VIII Paleologu u bë perandori i parë i Perandorisë Bizantine të rimëkëmbur.

Rivali i tij i dikurshëm, despoti Mihali II i Epirit, pas disfatës në Pelagoni i humbi krejt zotërimet e tij. Ushtritë e Paleologut përparuan deri thellë në kufijtë e Epirit historik e morën dhe qendrat e fundit të qëndresës epirote, Janinën e Artën. Mihali II Engjëlli u strehua në Korfuz, zotërim i dhëndrit të tij Manfred.

Por ashtu si më 1257, administrata e re bizantine hyri që në fillim në konflikt me popullsinë vendase. Rritja e pakënaqësisë gjeti shprehjen më të lartë në shpërthimin e kryengritjeve antibizantine në gjithë territorin shqiptar të Perandorisë. Këto kryengritje krijuan kushte që despoti Mihali II Engjëll të kthehej në Epir e pak nga pak të rikrijonte Despotatin e Epirit në kufijtë e ngushtuar të temës së dikurshme të Nikopojës.

Përsa u përket territoreve në veri të lumit Vjosë, kryengritjet antibizantine të shqiptarëve u mpleksën aty me një sërë rrethanash të tjera, të cilat krijuan një gjendje krejtësisht të re.