Josif Adhami
Josif Adhami (1925–2008). Mjek internist dhe gastrohepatolog, profesor, akademik. Lindi në Hoçisht të Korçës dhe kreu gjimnazin e Tiranës. Studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë (1947–1948) dhe vijoi në Institutin Mjekësor-Farmaceutik të Bukureshtit (1948–1953), ku u diplomua dhe u specializua një vit për kardiologji (1954). Ka qenë drejtues i Laboratorit klinik biokimik të sëmundjeve të brendshme në Spitalin nr. 1 në Tiranë (1954–1967), përgjegjës i klinikës së Hepatologji-gastroenterologjisë (1956–1976) dhe përgjegjës i Komisionit spitalor të QSUT (1991–1994). Vuri në përdorim laparoskopinë dhe laparografinë (1967) duke ngritur kabinetin përkatës; vuri në zbatim për herë të parë punksionin biopsi të mëlçisë; përdori metoda të reja mjekimi dhe ngriti kabinetet e ekografisë abdominale dhe endoskopisë digjestive (1983). Prej v. 1954 pedagog në Institutin e Lartë Mjekësor dhe përgjegjës i katedrës së Terapisë (1956–1959; 1962–1976), përgjegjës i katedrës së Sëmundjeve të brendshme (1976–1982) dhe përgjegjës i katedrës së Hepatologji-gastroenterologji-pneumoftiziatri-radiologjisë (1982–1990). Është autor dhe bashkautor i teksteve e monografive “Poliserozitet” (1965), “Traktat i sëmundjeve të brendshme” (në tri vëllime, 1974), “Mbi kolagjenozat” (1986), “Hepatitet kronike” (1989), “Klinika dhe mjekimi i sëmundjeve të brendshme” (1990), “Fakulteti i Mjekësisë – 50 vjet histori (1952–2002)” (2003), si dhe i një vargu artikujsh shkencorë. Anëtar i redaksive të revistave “Journal of Hepatology” EASL, Paris (1991–1994), “Archives de l’Union Médicale Balkanique”,Bukuresht (1963–1993), “Hépato-Gastroénterologie des pays francophones dans la littérature internationale”, Paris (1991–1999). Ka marrë titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës së dytë.