Jump to content

Kënga e Beratit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
“O Berat, o Berat !
(Këndoi Mara që menatë)
sa bonjakë na ke lënë !
Sa të veja shkulën flokët !
Ditë vrasje, ditë e zezë
Mos ardhsh kurrë më në jetë !
Nata e vdekja të mbuloftë !
Dielli kurr’mos të gëzoftë !
Nga të katër an’t e dheut
Tufa-tufa vinin qiftet
E nga gjith’shpellat e malevet,
Zbrisnin bisha këtu-atje ;
Gjak në erë, gjak në re,
Gjak në ujë, gjak në dhe ;
Gur më gur një copë mish
Kreje a llëre trimash kish !
Zonj’Mamica atë natë
Pa një ëndërr keq të gjatë,
Se iu duk i shoqi i verdhë
Me gjith’kurmin copëtuar
E kurorëzat mbi shtrat
I mbuloi me shqep të zi ;
Hoq unazën e martesës
E ia ndau më dy pjesë,
Një e mbajti, një ja dha,
Pra u zhduk e gjë s’i tha.
Natë e ditë ajo vajtoi,
Por nga varri dot s’e çoi”.
Ashtu Mara më këndoi,
Nuk këndoi, por rënkoi ;
Që nga oda e dëgjoi
Zonja Lenë e ma qortoi :
- “E përzishme, zonja nuse,
T’u çel kënga që menatë ;
Mos ndonjë ëndërr të keqe
A të vdekur ti ke parë ?”
- As ndonjë ëndërr të keqe
As të vdekurit kam parë,
Por e kam zemrën të thyer
E pahir më dalin lot.
Çfarëdo shoh, e shoh në zi.
Ububu ! Ky Niku ynë,
Kur u nis, seç u helmua
Dhe unazën më kërkoi !...
Vemi, nën’, vemi mbi kodër,
Tek zbulohen gjithë fushat,
Mbase Nkiu na rikthehet !”
Van’ të nxirat përmbi kodër,
Tek zbulohen gjithë fushat,
Mbase niku na rikthehet !”
Van’ të nxirat përmbi kodër
E vërejtën djathtas-majtas,
Kur përderësin me shkop
E me trastë pan’tek qante
- “O përderës, derëzi,
Paç uratën, përse qan ?
A mos kafshët t’i kan’ vjedhur,
A koliben ta kan’ djegur,
Apo birëthin e humbe
Në këto luftëra të shkreta ?”
- As kafshët e as koliben,
As dhe birëthin es’po qaj...
Sytë e mi u bënë lumë,
Që për Arbërin kullon...-
- “Fol’ti, zë i fatit t’keq !
(thirri vasha si e zalisur)
Ç’mizori pe në ushtri,
Si ra Arbëri në zi
Fol’ ! Ndër flamurët e luftës
Qift’n e Petës a e pe ?”
U përgjigj ai derëziu :
- “Them, un’them se dje menatë
atje lart në Myzeqe
ndiheshin gjëmë e llumabardhat
gjithë bota seç gjëmonte,
tymi i dyfeqevet
gjithë malet mjegullonte ;
zbardgëllimet të shpatavet
gjithë fushat seç shkëlqenin,
gjakut të ushtarëvet
lumenjt’seç mbuloheshin ;
nga copat eushtavet
bëheshin ura e ngriheshin male ;
si tallazi i detit bie,
pastaj kthehet në thellësi
e si arat e bleruara
tunden erës, që i përthyen,
vej e vinin duke u shtytur
gji më gjin ushtar më ushtar.
Por në orën që lëshon qetë
Punëtori e sanë u jep
E para kolibes s’vet
Kafshon pakëz buke e kripë,
U ndryshua pamja e luftës,
Për nga e djathta si shkreptimë
U sul mbreti e shpoi gardhin,
Gardhin e shkretë të heshtavet.
Tek e rënda kordhë binte,
Binin krerët breshërimë.
E kaloi plot me zhurmë
Duke shkelur me murgjarin
Të vdekur e të plagosur,
Ndërsa më të mëngjërën
Dukagjini, që e pa,
Mbi armiqtë si një shkëmb ra,
por ndër grykat me Baderin
Juniçerët u shtrënguan,
Trup më trup duke bashkuar
Dhe mburojën me mburojën
Porsi ndonjë ledh i hekurt,
I patundur dhe i tmerrshëm.
Më kot trimat guximtarë
Kryet përpoqën n’të ledh,
se goditur përdhe ranë.
Atëherë dhjet’kalorës,
Dhjet’dragonj u ranë shporevet,
Dhjet rrufera në stuhi,
U vërvitën mu në mes ;
Zgjatën ushtat si purteka,
shtinë, vranë, copëtuan,
ngritën pirgje k’tu e përtej
me të vdekur e t’plagosur
edhe hapën dyer të gjëra,
shtruan një udhë keq të gjatë
si një brazdë ndër të mbjella.
Ashtu Drini i Zi në dimër,
mbushur nga përrenjtë e malevet,
vjen i fryrë e i tërbuar,
përpjek uj’rat e liqenit,
i merr zvarrë e i ndan dysh ;
Ngrihet lart tallazi i bardhë
E rreth brigjeve gjëmon ;
Por si uj’rat e liqenit,
Që, si ndahen, prapë kthehen,
kthehen vrap e bëjnë shesh,
sa dhe lumin e mbulojnë,
ashtu bë’kopeja e egër ;
(Si pa që pak po sulmonin),
duke u mbledhur dhe shtrënguar,
prapa t’dhjetëvet u mbyll.
Mbreti ahere e Dukagjini,
Si shpërndan’tjerët, u kthyen
Dhe ran’ bashkë mbi Baderin.
Para, prapa ; k’tej’andej,
I copëtuar e i thyer,
qeni i shkret’zu e u zbyth ;
Po i pazgjidhur e i tërë
Brenda vaut ai u mblodh ;
Si ariu i Tomorit,
I përzënë nga barinjtl,
Njërin vret, tjetrin e shqyen ;
Sado i çjerrë e përgjakur,
Po pa frik’ në t’madhen zemër,
Kthehet shpatit prej nga doli,
nginjur gjaku e ngopur mishi.
Si u ngrys, mbreti u tërhoq
Me të gjith’ushtrin’në fushë,
Ndezi dhe zjarret e natës,
Për t’plagosur u kujdes...”
- “Mos, të zëntë nëma e zezë”
(Thirri Mara si e çmendur)
Qifti i Petës a u mblodh,
A ma pe ndër të plagosur ?” –
Ai heshti, s’u përgjigj,
U zverdh e me sy në truall
Lotët i binin pikë-pikë.
Kuptoi vajza e drejt udhës
Zbriti duke ulëritur ;
Jo, nuk zbriti, u rrokullis
E nga malet perëndoi
* * *
Gjithë natën, gjithë ditën
Me kalorëtit e mi
Unë brodha pa pushuar ;
E përshkova nëntë fusha,
nëntë fusha e nëntë male
Duke prerë, duke vrarë
Qentë e shprishur dhe të ikur.
Si u zhdukën dhe të sprasmit
Përtej brinjës së Mokreut
Edhe dita si u ngrys,
hoqa shokët e u ktheva.
Sa më shumë i qaseshim fushës,
Vrehej, errej zemra ime,
Prekur vrasjes së trazuar,
Pasi zjarri u shua në hi.
Se gjith’drizat e barishtet
Ishin lyer në të kuq
Edhe brazdat e hendeqet
Ishin plot me gjak të piksur.
Afër vaut në Vajkal,
Ku u ndez e ashpër lufta,
Ishin t’vdekurit mal-mal,
E ndër stivat e të vdekurvet
Qen e ujq buzëngjyer
Grisnin, shqyenin bark e zorrë,
Ndërsa, duke krakëllitur,
Si re diellin mbulonin
Korba, sorra e skifterë.
Sa e bukur djalëri,që gjer dje i hante retë
Sot ka heshtur përgjithmonë
Porsi pleh shtënë në dhe !
Në sa trajta vdekja e shkretë
M’u dëftua në atë pamje !
Këtu një ushtar i ri
Mbylli sytë duke qarë
Mëmëzën duke kujtuar,
Që e priste, oh, më kot !
Atje armiku krah armikut
Si dy qen kafshoheshin,
Se dhe t’vdekur donin t’vriteshin.
I trazuar e i helmuar,
Hoqa syt’nga pamja e keqe,
Ktheva syt e afër urës
Pash’papritur një murgjar
Me kryet ulur mbi truall
E me frerat nëpër këmbë,
Me mbulesën copë-copë
E me shalën-o nën bark.
Un’iu qasa jo pa droje,
Se mbulesa në ar qëndisur
Një dyshim të lig më ngjalli,
Se m’u duk një luaneshë
N’fush’të gjelbër e qëndisur.
Pranë murgjarit një ushtar
Me dhjet’shigjeta në gji
Shtrirë ish si ka i therur.
Me dhëmb’ flamurin shtrëngonte,
kordhën e mbante në grusht
E me ballin kthyer qiellit
Edhe vdekjen e përbuzte.
As nga pendët e shqiponjës
As nga parzmor’ e argjëndtë,
Por nga vetullat e trasha
E nga sytë e zgurdulluar
Pal Golemin unë e njoha ;
E kërceva mos ish gjallë ;
E tërhoqa me kujdes,
Ku ish bari më i shkriftë.
Rripta ia preva parzmores,
Vura dorën përmbi zemër
E ajo m’u tund nën të.
Shpejt vrapova gjer te lumi,
Mora e solla një pikë ujë
E ia derdha përmbi faqet ;
Ai u shtriq me psherëtimë
si njeri në gjum’të rëndë,
Tundi kryet e m’u kthye ;
Si më njohu, pa lënguar,
me një t’humbët zë më tha :
“Lëri të vdekurit në vend,
lem’ të fle përgjithmonë
te ky shtrat i nderit tim,
mu tek eshtrat e të vrarëvet,
e të vrarëvet nga kjo dorë
që gjithmon’do m’jen’ kurorë.
Na këtë flamur e mbretit
Të m’i thuash këto fjalë :
“Pal Golemi edhe i vdekur
i tmerroi armiqt’me sy
e, si ikën, pra ai ra.
E t’u thuash shokëvet t’mi :
Pal Golemi nuk ka vdekur,
Zëri i luftës do ta ngrerë
E do jen’gjithmon’me ju
Krahu, kordha e zemra e tij.
Tashti, Balë, në atë lis
Var mburojën e parzmoren,
Shtoji karkallin e zi
E mbi to dhe kordhën time.
Pra, kur dielli të shkëlqejë
E me rreze t’i qëllojë,
Prej shkreptimavet të tyre,
T’kapur tmerrit, do të bien
Gjithsa m’u trembën në jetë ;
E në qetësinë e natës
Ata hekura e çeliku,
tundur erës së Mokreut,
një ushtri e gjall’do t’i duken
Qenit t’qasur n’errësirë.”
Foli e kryet i ra në gji.
Shtrembëroi sytë përdhe
Me të gjtih’kurmin u shtri.
Unë u ngrita, se m’u sos
E nga shokët-o u ktheva
Që t’i hapnim bashk’një Varr.
Atje poshtë i pashë ata
Duke prur’ një të plagosur ;
Tezgën bër’ kishin me llërë.
Si u afruan, u zalisa,
Kur e pash’të artin qift
Sqepin ngritur, krahët shtjellë
Mbi atë karkall prej bronzi.
Ish i bardhë si qiri,
Kryet rënë kish mbi supq,
flokët i ngisnin përdhe,
gjaku i rridhte pika-pika
qafës s’hapur si një shegë,
jeta mbledhur i ish në sy.
Si më pa, me dhemshuri
Më vërejti e buzëqeshi :
“Mos më qaj, vëllauthi im,
Mos më qaj në zulmën time,
Në kët’ditë flamurtare,
Në kët’ditë t’Arbrit tonë !
Po në ushtri kthehu e thuaju
E t’i thuash edhe darës :
- Malli i mir’në djalëri
Është si vajtë e kandilit ;
Niku dhëndërith i ri
Dasmën me luftën ndërroi
Edhe vallet me Vajkalin,.
Njëqind qenër m’u vërsulën
E të njëqind dhe po hanë ;
Pastaj Bader tradhëtari
Që nga prapa më qëlloi.
E t’i thuash edhe mëmës :
- Niku u nis e do mënojë,
po ti, nënë, mos e prit.
Pse për birëthin, që humbe,
Ai një bijëz të ka lënë,
ty ta ka truar përjetë !
Pra lart ngjitu në çardhak,
nuses sime të m’i falesh,
S’bukurës së Lalës-o,
Ndërsa ajo më kujton,
Më kujton me zemër-o :
- Këtë unazë ta dërgoi
Niku yt, se t’u martua,
T’u martua me një plakë,
Me një plakë kaq të zezë
E ti, e bukur t’i martohesh “ –
Sosi fjalën e m’u shgua
Si kandili, kur s’ka vaj,
Si një lulëz e këputur,
Që dhe e fishkur erë mban.
E, ndërsa ne po mendonim
që në varre t’i mbulonim,
përkëtej urës një vajzë
na u dëftua si një hije.
Flok’t i kishte të ndërliksur,
Syt’ të futur thell’në ballë,
Me fustanin copë-copë
E me këmbët të përgjakura :
“o ushtarë, o vëllezër,
ju përher’ të lumë qofshi !
Mbase pat’në këtë fushë
Një kalorës trim të ri
Me një karkall-o të artë,
Ku një qift i fluturon ?
Ar’i karkallit përzihet
Me një tuf’flokësh të verdhë,
E ka ballin porsi dielli
Ka dy sy si sy shkëndija,
Dy shkëndija të shkreptimës ;
E ka gojën si unazë
Edhe fjalëzën të ëmbël
Porsi hojet e pranverës...
Deh, ju lutem, më kallëzoni !”
Sy ndër sy ne u vërejtëm,
në lot sytë na u mbytën,
Helmi buzën na e qepi.
Ajo u zverdh e na vështroi
E u kthye dhe, sa e pa
Shtrirë t’vdekurin mbi dhe,
Dha një britmë e në krahë
E ftohtë si borë i ra.
Vam’t’i flisnim, s’u përgjegj,
Vam’ta preknim, nuk lëvizi,
Vam’ta ngrinim e na vdiq.
Zemra e mbushur m’Nik’n e saj,
Rritur me mall e hare,
Si u rëndua helmit t’keq,
Më s’i nxuri dhe i plasi.
Jan’ dy varre në Vajkal ;
Fle te njëri Pal Golemi
E mbi të mbiu një lis
Me gjith’ gjethet në blerim.
Fle te tjetri Niku i Petës,
Vasha e lalës i fle pranë,
Se, si u deshën përmbi dhe,
Ashtu duhen dhe nën dhe ;
Atje mbiu një qiparis,
Mbiu dhe molla e bardhë !
Mori bijë, bija e Lalës,
Moj e bukur, e trishtuar,
Pse m’kujtove mot’n e shkuar ?