Jump to content

Koli Çobo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Koli Çobo ka lindur në vitin 1928 në Çiflik-Strum të Fierit. Në vitin 1943 ai përfundon shkollën 7–vjeçare. Në shtator të po atij viti, në moshën 16-vjeçare, del partizan në batalionin “Margarita Tutulani” të Beratit. Në vitin 1944, Çoboja kalon me detyrën e korrierit të Brigadës së 7-të sulmuese ku merr pjesë edhe në luftimet në Jugosllavi, nga e cila u kthye në vitin 1946. Pas kësaj emërohet nënoficer në batalionin special të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Në vitin 1949 filloi studimet për teknik avioni të tipit, bombardues i mesëm TU-2. Në janar të vitit 1951 kryen praktikën në regjimentin special të aviacionit në Harkov të Ukrainës. Në mars të po atij viti kthehet në Shqipëri dhe merr pjesë në montimin e avionëve “Jak-9p” që kishin ardhur nga Bashkimi Sovjetik në vendin tonë. Me avionin e Koli Çobos, që kishte numrin 13, pikërisht në 24 prill të vitit 1951, u ngrit për herë të parë mbi Tiranë piloti Peço Polena. Kjo ditë hyri në kalendar si dita e themelimit të aviacionit shqiptar. Në vitet 1954-1955 Koli dhe grupi i tij vazhduan sërish specializimin për avionët reaktiv në Volsk të Bashkimit Sovjetik. Pas kthimit në Shqipëri, ai merr pjesë në montimin e këtij tipi avioni që tashmë kishte mbërritur nga Bashkimi Sovjetik edhe në vendin tonë. Ishin pikërisht avionët “Mig-15 bis” të cilët kishin marrë pjesë edhe në luftimet e Koresë, ku për këtë shkak, deri vonë në trupin e tyre dalloheshin qartë gjurmët e predhave që kishin marrë në ato luftime. Koli Çobo ishte i pari teknik, i cili së bashku me togerin rus u ul me avionin “UTMIG-15 bis” në regjimentin e Kuçovës. Më 28 shkurt të vitit 1956 ai lirohet nga aviacioni ushtarak për të kaluar në shërbimin e aviacionit civil në aeroportin e Rinasit. Më 1967-n për arsye absurde ai pushohet nga puna duke mos marrë as librezën e punës dhe më pas kaloi si punëtor krahu në gjelbërim.