Jump to content

Konstantinos Stefanopulos

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Konstantinos Stephanopoulos)
Kostis Stefanopulos

Konstantinos Kostis Stefanopulos (lindur më 1926 në Patra, Greqi - 20 nëntor 2016) avokat, politikan, president i Greqisë, ortodoks greqishtfolës nga Greqia.

Stefanopulosi u diplomua për drejtësi në Universitetin e Athinës, me të cilin ai ka qënë lidhur për pjesën më të madhe të karrierës profesionale të tij.

Më 1964, Stefanopulos u zgjodh anëtar i parlamentit grek prej Bashkimit Kombëtar Radikal. Dhjetë vjet më vonë, ai u bashkua me partinë Demokracia e Re (ND) dhe u zgjodh në komitetin qëndror të saj. Atij gjithashtu iu ngarkua funksioni i zëdhënësit të partisë. Më 1985, Stefanopolos u largua nga ND dhe u bë njëri prej bashkëthemeluesve të partisë Ringjallja Demokratike (DHANA). Më 1994, ai e shpërndau DNANA-në dhe vendosi të largohej nga politika, pas dështimit të partisë për të fituar përfaqësim në Parlamentin Evropian.

Në mars 1995, Stefanopulosi u zgjodh në mandatin presidencial të tij të parë. Ai u propozua për këtë funksion nga partia Pranvera Politike ("Politiki Anixi") dhe u mbështet nga PASOK (Lëvizja Socialiste Panhelenike) në pushtet. Në shkurt 2000, parlamenti grek e rizgjodhi atë. Kandidatura e tij u mbështet nga dy partitë politike kryesore në Greqi.

Gjatë karrierës së tij, Stefanopulosi ka shërbyer si Ministër i Tregtisë (1974), Ministër i Brendshëm (1974-1976), Ministër i Shërbimeve Sociale (1976-1977) dhe Ministër i Presidencës (1977-1981).