Jump to content

Kontributi i gjeografëve shqiptarë në studimet mjedisore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fillimi i kontributit të gjeografëve shqiptarë në studimet mjedisore në Shqipëri, ndryshe nga kolegët në shkollat perëndimore, është i vonë: ai përkon me fillimin e studimeve mjedisore të lira, më 1991.

Karakteristikat e studimeve mjedisore në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historia e studimeve mjedisore në Shqipëri ka patur disa tipare që kanë ndikuar në rolin që kanë luajtur gjeografët në to:

- fillimi i studimeve mjedisore të lira në Shqipëri ishte më i voni nga të gjitha vendet e tjera të Lindjes, pa folur për ato të Perëndimit;

- studimet mjedisore nuk kryheshin, pasi mjedisi gjatë periudhës totalitare konsiderohej si një resurs që ishte në funksion të “njeriut të ri”, i cili mund ta përdorte atë pa kufi për të “ndërtuar socializmin”;

- studimet bëheshin brenda kornizës ideologjike, sipas së cilës “ndërhyrjet e njeriut në mjedisin shqiptar nuk mund absolutisht të kishin pasoja negative”;

- nëse do të ndërmerreshin, studimet e lira me karakter mjedisor nuk do të mund të ishin realiste,  pasi ishte me rrezik të madh për autorin, nëse ai do të arrinte në përfundime negative mbi gjendjen e ndonjë elementi mjedisor në Shqipëri;

- nuk mund të studioheshin tema që çonin në konkluzione problematike, të tilla si: shtimi i erozionit nga hapja e tokave të reja; ndryshimi i vijës bregdetare nga menaxhimi i rrjedhjeve ujore vetëm për qëllime ekonomiko-bujqësore; humbja e zonave të lagura në përfitim të “tokave të bukës”, që në fakt shpesh ishin të kripura jo-prodhuese; ndotja e ujërave për shkak të industrive minerare; ndotja e ajrit dhe e tokës për shkak të industrive kimike apo petrolkimike etj;

- të vetmet studime mjedisore që mund të kryheshin ishin të orientuara, pra vetëm ato që nxirrnin në pah vlerat, ose ndonjë sugjerim “të butë”, si p.sh. biodiversiteti në një zonë ku nuk kishte patur ndërhyrje njerëzore apo në parqet kombëtare etj. Ky tipar, mesa duket, shpjegon përse deri në vitet ’90, “studiues të mjedisit” konsideroheshin ata që bënin studime dhe ofronin zgjidhje të konsideruara si “të parrezikshme” për regjimin. Kështu, “studiuesit e mjedisit” identifikoheshin me “studiuesit e natyrës së virgjër”.

Prej sa më sipër, rrjedh edhe një tipar i fundit, i cili, me shumë gjasë, është krejt specifik për Shqipërinë:  jo vetëm që studimet e vërteta mjedisore në Shqipëri filluan vonë, por ato edhe u ngushtuan që në fillim me adoptimin e një këndvështrimi thuajse biocentrik mbi to, si rrjedhojë e inercisë së studimeve të trashëguara nga e kaluara. Kjo inerci pati si rrjedhojë imediate përcaktimin e fushës së studimeve mjedisore si një domen gati ekskluziv i pak fushave, si: biologjia, agronomia dhe, deri diku, kimia. Ndërkohë, tendenca bashkëkohore e studimeve mjedisore të peizazhit, territorit, burimeve natyrore, ndryshimeve klimatike, raportit njeri-mjedis, mjedisit antropogjen, ekosistemeve urbane, rurale, industriale etj. u zhvillua më vonë dhe në bërthama studimore që u shkëputën vetvetiu nga paternalizmi biocentrik i studimeve mjedisore në Shqipëri. Pra, që në fillim, mjedisi i studimeve mjedisore nuk ka qenë favorizues, nxitës apo mikpritës për gjeografët dhe objektin e tyre të studimit: mjedisi dhe raporti njeri-mjedis në kompleksitetin e vet.

Kjo inerci shpjegon edhe situatën abnormale terminologjike në Shqipëri, ku deri edhe tani, 22 vjet pas fillimit të studimeve të lira mjedisore, në mënyrë jo të drejtë ende “mjedisi” keqshqiptohet apo keqkuptohet si “ekosistem”, apo edhe më keq si “ekologji”, “studimet mjedisore” identifikohen me “studimet ekologjike”, etj. Kjo inerci popullore gjendet tashmë e shtrirë deri edhe në nivele mediatike-gazetareske, duke bërë që “problemet mjediore” të identifikohen fundekrye gabimisht me “probleme ekologjike” nëpër media, apo në nivele arsimore-pedagogjike, duke bërë që nëpër shkolla, i ashtuquajturi “grupi i ambjentalistëve” të keqemërtohet si “grupi i ekologjistëve”. Në këtë atmosferë të studimeve mjedisore në Shqipëri, gjeografët, si në nivel universitar dhe shkencor, ashtu edhe në nivel mësuesish, gjatë kësaj periudhe vazhdimisht janë përballur me paragjykim të padrejtë të krijuar nga inercia “ekologjiste” e shpjeguar më sipër.

Natyrisht, kjo situatë inercie ku studimet mjedisore identifikoheshin gabimisht vetëm me studimet mbi natyrën, dhe aq më keq, vetëm më studimet ekologjike, ka ndikuar edhe në një vetësugjestionim frenues edhe të vetë gjeografëve për mundësitë e tyre. Ky fakt është shprehur fatkeqësisht në disa tregues të rëndësishëm, siç janë:  

-         Ndroja për të introduktuar një numër sa më të madh lëndësh me karakter mjedisor në kurrikulat e Gjeografisë në Universitetet publike të Shqipërisë. Kjo do të kishte krijuar mundësinë që të krijohej një nëndegëzim i studimeve mjedisore-peizazhore brenda shkencave gjeografike.

-         Shpërdorimi i mundësisë që iu krijua, në mes të viteve 2000, shkencave Gjeografike për të patur një përfaqësim të komponentit të vet mjedisor në programin mësimor të vitit të III të arsimit të mesëm. Programi mësimor që u krijua nga disa gjeografë për këtë qëllim ishte i tejthjeshtëzuar vetëm në një paraqitje epistemike të trashëgimisë natyrore-kulturore, ndëkorhë që kjo lëndë u emërtua gabimisht si “Gjeografi Mjedisi”. Ky abuzim e futi problemin e paragjykimit të rolit të Gjeografisë në studimet mjedisore në një rreth vicioz, nga ku e ka të vështirë të dalë: kjo situatë u krijon nxënësve gjimnazistë, politikëbërësve të nesërm, idenë se e vetmja fushë studimi e Gjeografisë në fushën mjedisore është ajo e evidentimit të objekteve të trashëgimisë natyrore e kulturore, ndërkohë që kjo fushë është vetëm një ndër dhjetëra degëzimet e mundshme të këndvështrimit gjeografik në studimin e mjedisit dhe peizazhit.

Bërthamat studimore me drejtim mjedisor të gjeografëve shqiptarë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bërthamat studimore të gjeografëve shqiptarë në lëmin e mjedisit kanë filluar që në vitet ’90. Disa nga gurët kilometrikë të kontributit të gjeografëve shqiptarë në studimet mjedisore, konkretisht në fushën e Gjeografisë së Mjedisit, kanë qenë:

·        Në tematikën e “degradimit dhe dezertifikimit të territorit”, fjala dhe konkluzionet e gjeografëve janë ndjerë veçanërisht. Gjeomorfologët shqiptarë, të cilët në Shqipëri kanë patur formim ekskluzivisht gjeografik, e kanë trajtuar këtë çështje madje që përpara viteve ’90, por nën emërtimin “hartat e copëtimit horizontal të relievit”. Meqënëse kjo metodë e huazuar nga shkolla lindore gjeografike rezultoi e pamjaftueshme për konkluzione të qarta lidhur me këtë problematikë, ajo u tejkalua totalisht veçanërisht prej mesit të viteve ’90. Në këtë tematikë janë dalluar me studimet e tyre regjionale fiziko-gjeografike për Shqipërinë, gjeografë si: Prof. Dr Perikli Qiriazi, Prof. Dr. Gjovalin Gruda, Prof. Dr. Trifon Ziu, Prof. Dr. Skënder Sala, etj. Prof. Dr. Vasil Trojani, Prof. Dr. Niko Rogo, Prof. Dr. Mahir Hoti, Prof. Dr. Romeo Hanxhari, etj. Paralajmërimet e gjeografëve shqiptarë lidhur me fenomenet e rrëshqitjeve në mbarë vendin për shkak të ndërhyrjeve të pastudiuara antropike, janë të njohura edhe për politikëbërësit nëpërmjet letrave shkencore, por edhe për publikun nëpërmjet daljeve në shtyp.

·        Në fushën e studimeve të Kuaternarit dhe të Holocenit, pra në fushën e studimeve paleogjeografike dhe paleomjedisore, Gjeografia shqiptare ka marrë nga simotrat e Europës Perëndimore pas viteve ’90, veçanërisht nga shkolla franceze e studimeve mjedisore të karstit mesdhetar. Fusha të tilla të reja, si studimet e konkrecioneve gëlqerore të brendshme dhe të jashtme, e kanë pasuruar Gjeografinë shqiptare të mjedisit me elemente të reja të patrajtuara më parë. Studimi i Shpellës së Zezë në Tiranë, veçanërisht nga Prof.Dr. Perikli Qiriazi (1993-1994), studimi i mjaft shpellave të tjera nëpër Shqipëri nga Prof.Dr. Skënder Sala (1993-2013), studimi i karstit të zonës së Kurveleshit nga Prof. Dr. Farudin Krutaj (1998), studimi i karstit të Mbishkodrës nga Prof. Dr. Gjovalin Gruda, studimi i travertinave Holocenike të Borshit dhe i shtresëzimit të tyre antropik nga Dr. Romeo Hanxhari (1994-1995) në tezën e tij të DEA pranë Universitetit të Aix-en-Provence, studimi i zonave tipike me vlera mjedisore si Plazhi i Gjeneralit  (2002, P. Qiriazi, S. Sala, G. Cara), i pllajës së Dumresë (2007, P.Qiriazi, S. Sala), i ekosistemeve karstike të Shqipërisë në tërësi (1999, P.Qiriazi, S.Sala, V. Melo), etj, kanë kontribuuar në studimet Kuaternare dhe Holocenike të evolucionit mjedisor-antropik të Shqipërisë.

·        Me fushën e studimit të trashëgimisë natyrore, por edhe kulturore, gjeografët shqiptarë mund të thuhet se kanë themeluar një drejtim të ri gjeografik në Gjeografinë shqiptare. Ky drejtim u iniciua fillimisht nga Prof. Dr. Perikli Qiriazi në mes të viteve ’90 dhe ka vazhduar të konsolidohet me kalimin e viteve me kontributin e të gjithë gjeografëve shqiptarë. Në mes të viteve 2000, një rrjet i gjerë gjeografësh u angazhuan në mënyrë kapilare në një projekt të Ministrisë së Mjedisit të koordinuar nga Prof. Dr. Perikli Qiriazi, duke dhënë të gjithë propozimet e tyre të argumentuara shkencërisht për listën e Monumenteve të Natyrës, një nga kategoritë e zonave të mbrojtura sipas IUCN-së. Me këto propozime nga ky grup shumë i gjerë, u hartua lista zyrtare e Monumenteve të Natyrës së RSH dhe harta përkatëse. Më tej, botime të dedikuara për Monumentet e Natyrës së Qarqeve të ndryshme të vendit janë hartuar nga autorë si Prof. Dr. Perikli Qiriazi, Prof. Dr. Skënder Sala, Prof. Dr. Mahir Hoti, Prof. Dr. Trifon Ziu, Prof. Dr. Niko Rogo, Prof. Dr. Sabri Laçi, Prof. Dr. Merita Dollma, etj. Një kontribut i veçantë udhërrëfyes ka qenë ai i Prof. Dr. Trifon Ziut, me studimin e tij për “oborret urbane”, si një trashëgimi kulturore me dimension të shprehur mjedisor në qytetin e Shkodrës.

·        Në fushën e studimit të ndotësve të veçantë mjedisorë, gjeografët shqiptarë kanë dhënë një kontribut lehtësisht të identifikueshëm. Përmenden studimet dhe shkrimet e shumë gjeografëve shqiptarë për problematikën e ndotjes së ajrit në zonën industriale të Elbasanit e të Fierit (Prof. Dr. Perikli Qiriazi, Prof. Dr. Trifon Ziu, etj), për ndotjen e ujit në pellgun ujëmbledhës të Fanit apo të Gjanicës (Prof. Dr. Skënder Sala, Prof. as. Dr. Romeo Hanxhari, etj),  për ndotjen e tokës në zona të nxehta si ajo e Sodës në Vlorë apo e Bradasheshit në Elbasan (Prof. as. Dr. Romeo Hanxhari, Prof. Dr. Eqerem Yzeiri, Prof. as. Dr. Bilal Draçi, etj). Në veprimtarinë e tyre kërkuese shkencore, gjeografët kanë sjellë vlerë të shtuara në studimet mjedisore të disa ndotësve të rrezikshëm ende të pakonsideruar në Shqipëri. Një rast i tillë është ai i studimit të problematikës komplekse të elementit kancerogjen “amiant” ose “azbest” në Shqipëri. Për herë të parë në Shqipëri, kjo problematikë serioze për mbarë botën u studiua në vitin 2006 nga gjeografë, në kuadër të aktivizimit të gjeografëve në shoqërinë civile mjedisore. Këmbëngulja publike shkencore dhe lobimi institucional i gjeografave arriti ta sjellë këtë tematikë në agjendën e Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Shëndetësisë në vitet 2007-2011. Kjo punë kërkimore shumëdisiplinore është organizuar e koordinuar nga gjeografë dhe është kurorëzuar me botimin në vitin 2011 të monografisë “Amianti, vrasësi i heshtur kancerogjen në Shqipëri”, ku autorë kryesorë janë Prof. as. Dr. Romeo Hanxhari dhe Prof. as. Dr. Bilal Draçi.  

·        Gjeografët shqiptarë, më kontributin e tyre në fushën e studimeve mjedisore, janë munduar të mirëorientojnë dhe të ndihmojnë institucionet publike të shtetit shqiptar që janë përgjegjëse për administrimin e problemeve mjedisore të ngritura. Konferencat Shkencore Ndërkombëtare Gjeografike që janë organizuar çdo vit nga Departamenti i Gjeografisë i Universiteti të Tiranës kanë qenë vatra të evidentimit dhe të trajtimit të problemeve të tilla. Botimi i përvitshëm i kontributeve mund të kishte qenë ndihmë për administratorët e mjedisit në Shqipëri nëse ata do t’i kishin konsultuar ato. Tematika të tilla të Konferencave të organizuara, si “zhvillimi i qëndrueshëm në Shqipëri”, “sfidat e zonave malore”, etj., dëshmojnë sensibilitetin e gjeografëve në fushën e studimeve mjedisore.

·        Gjeografët shqiptarë kanë lobuar pranë institucioneve shqiptare në mjaft raste kur kanë evidentuar apo parashikuar probleme mjedisore nëpërmjet studimeve të tyre. Institucioneve shqiptarë vazhdimisht u janë dërguar zyrtarisht studime origjinale të kryera nga gjeografët shqiptarë. Të tilla raste janë p.sh. ai i studimit të rrezikut për rrëshqitje në disa zona të vendit, që i është dërguar Ministrisë së Mjedisit nga një grup i organizuar dhe i drejtuar nga Prof. Dr. Perikli Qiriazi (2004 dhe 2005), ai i Letrës Këshilluese për problemet mjedisore dhe të rreziqeve natyrore që shkaktohen apo që nuk parandalohen me Ligjin e Legalizimit të banesave pa leje në Shqipëri dhe zgjidhjet që duhet të adoptohen, që i është dërguar Parlamentit Shqiptar nga një grup studiuesish i organizuar dhe i drejtuar nga Dr. Romeo Hanxhari (2006), etj.

·        Gjeografët shqiptarë kanë qenë kontribues të rëndësishëm dhe të vlerësuar në themelimin, organizimin, dhe zhvillimin e qelizave të shoqërisë civile siç janë shoqatat mjedisore (OJF). Rëndësia e këtij elementi të kontrbutit të gjeografëvë është e madhe, për shkak se OJF-të në Shqipëri kanë qenë gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit një komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm në nxitjen e studimeve mjedisore dhe në zhvillimin e mendimit mjedisor në Shqipëri. Pothuajse të gjithë gjeografët shqiptarë operojnë si anëtarë dhe kontribues në kuadër të shoqatave mjedisore, dhe disa prej tyre kanë themeluar e drejtuar shoqata, si p.sh. Prof. Dr. Perikli Qiriazi me OJF “PPNEA”, Prof. Dr. Romeo Hanxhari me OJF “ANEP”, etj. Në këtë kuadër, aktiviteti shkencor-publicistik i gjeografëve shqiptarë në shtypin e përgjithshëm apo atë të specializuar ka qenë i dendur dhe mjaft i vlerësuar nga tërësia e shoqërisë civile mjedisore në Shqipëri gjatë këtyre viteve. Në organe të përdyjavshme, si Ekolëvizja apo Mjedisi Shqiptar, dhe në organe të përditshme si Panorama, Shekulli, etj, autorë si Prof. Dr. Perikli Qiriazi, Prof. Dr. Romeo Hanxhari, Prof. Dr. Skënder Sala, Prof. Dr. Sokol Axhemi, Prof. Dr. Trifon Ziu, Prof. Dr. Gjovalin Gruda, etj, kanë botuar me dhjetëra kontribute, të cilat nëse do të mblidheshin, do të përbënin një botim voluminoz dhe që do të ishte një dëshmi e shkëlqyer e rrugëtimit të problematikës mjedisore në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit.

[1]

  1. ^ Romeo Hanxhari, “Kontributi i gjeografëve shqiptarë në studimet mjedisore”, Studime Albanologjike, Tirane 2013