Krahasimi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Krahasimi ose komparacioni është vënia ballë për ballë e dy dukurive, dy sendeve a dy frymorëve të ngjashëm nga ana e jashtme, për të ndriçuar më mirë njërin prej tyre, për ta bërë më të gjallë e më të pasur mendimin.

Krahasimi është përqasje ose përafrim midis dy imazheve që arrihet duke bashkuar fjalët përkatëse me ndihmën e lidhëzave. Është një nga figurat më të thjeshta, sepse mjafton të vihen përballë fjalët që shënojnë dukuri, sende a frymorë që kanë ngjashmëri dhe lidhen me lidhëzat si, ashtu si, porsi etj. për të pasur krahasim. Në këtë figurë stilistike vihen përballë veçoritë e dyta, ato që bien në sy dhe që shërbejnë për të vënë në pah anë të ngjashme, për ta ndriçuar më mirë njërën prej tyre, për ta shprehur me më shumë gjallëri e pasuri mendimin. Tipare të tilla janë veçoritë e formës, ngjyrës, trajtës (e bardhë si bora).

Për shëmbull :
"Ç'ka që çan rrufeja retë ?
Vjen smaili tirm me fletë,
Fluturon posi shigjetë."

(Lasgush Poradeci, Ç'u mbush mali. Rapsodi popullore)

Ardhja e Ismail Qemali me shpejtësi për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, sepse nuk priste koha mbasi Shqipëria ishte në rrezik, jepet nëpërmjet "posi shigjetë".
Kur të dy krahët e krahasimit nuk janë dy fjalë, por dy fjali, atëherë krahasimi quhet similitudë ose krahasim i zgjatur.