Jump to content

Kryekronika e fushes se kosoves

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vepra e dytë e shkrimtarit Ardian Haxhaj e titulluar: “Kryekronika e Fushës së Kosovës”, e dhënë nën shënjuesin e zhanrit roman, po shfaq interesim të madh për t’u lexuar e për t’u studiuar. Titulli i kësaj vepre: “Kryekronika e Fushës së Kosovës” është titull shënjues që lë mundësi të dyanshme interpretimi. Kjo për arsyen se kronika lidhet me dëshminë, alias dokumentin, ndërsa në anën tjetër, që në fillim, kemi shënjuesin e zhanrit: roman. Meqenëse në letërsi e vërteta imagjinative nuk është e thënë që të matet me të vërtetën e dokumentit, atëherë, këtu “kronika është iluzion formal letrar.”

Është e dukshme se Haxhaj ka shfrytëzuar një literaturë të pasur historike, por ai këtë e ka bërë me qëllim njohjeje e rinjohjeje historike, në fund për të arritur tek një e vërtetë historike (brenda veprës së tij letrare) lidhur me mitin e krijuar për Betejën e Fushës së Kosovës. Pastaj, ai natyrshëm bën një transformim artistik, u ikë situatave mitike historike të krijuara nga qarqe antishqiptare dhe i hapë rrugë imanentes artistike krijuese, në dobi të së vërtetës letrare, por edhe historike. Në këtë rast, autori nuk pretendon t’i paraqesë dokumentet historike, qofshin kronika apo gojëdhëna në mënyrën e kronikës, sepse, me këtë punë merren disiplinat e tjera shkencore, por krijon një botë të vetën letrare dhe hipotekstin historik e përpunon me një shije të kultivuar estetike-letrare dhe e shndërron në argument bindës letrar. Haxhaj bën çmitizimin e mitit të krijuar për Betejën e Fushës së Kosovës.

Aristoteli duke bërë dallimin në mes të historisë dhe letërsisë thoshte se detyrë e historisë është që të tregojë se çka ka ndodhur, ndërsa shkrimtari shkruan për atë që mund të ndodhë. Haxhaj nuk është imitues i thjeshtë i situatave historike, por është krijues i tyre. Ai në dallim nga historiani që “tregon çka ngjet”, tregon se “si ka mundur të ngjajë” e që është një barasvlerësim i asaj që do të ketë mundur të ketë ndodhur në vitin 1389.

Haxhaj të veçantën historike e shtron dhe e bën universale, universalizëm i cili do të ketë jetëgjatësinë aq sa do ta ketë një e vërtetë, deri sa nuk dëshmohet e kundërta.


Historiciteti dhe literariteti (Faction dhe fiction)

Krijuesi letrar gjithmonë krijon një botë të re, madje, edhe nëse bazohet në dëshmi apo mite, ai gjithmonë këtë e bën nga këndvështrimi i tij personal. Krijuesi i tillë “nuk i njeh kufijtë e kohës e të hapësirës, dhe kjo prishje e kufijve bëhet e domosdoshme në procesin e krijimit e të interpretimit.” Megjithatë, janë disa ngjarje historike, të cilave shkrimtari nuk mund t’u ikë në mënyrë të pavarur, pavarësisht se sa do të tingëllojnë faktet letrare për atë ngjarje historike si të vërteta. Haxhaj çmistifikon mitin, për ta kthyer në një të vërtetë brenda veprës së tij letrare. Andaj, që në krye të herës shtrohet një dilemë e madhe: a ka ekzistuar me të vërtetë Beteja e Fushës së Kosovës, apo jo? Variantet e një beteje të tillë janë diametralisht të kundërta, varësisht nga ajo se kush argumenton dhe si argumenton. Kodet e tilla historike Haxhaj i përpunon dhe i transformon në dobi të realitetit të tij letrar, madje pretendon edhe historik, duke rindërtuar historinë brenda botës së tij letrare dhe duke tentuar që atë ta masë me realitetin. Nisja e tij bëhet nga miti, legjenda të cilat synon që t’i çmistifikojë e të arrijë dhe ta dokumentojë të vërtetën.

Puna kryesore e një shkrimtari të kultivuar nuk është që në një vepër artistike të sjellë vetëm vërtetësi historike bazuar në ngjarjet kryesore historike (fakte), por që të dijë se në ç’masë mund ta përdorë një lëndë të tillë dhe në ç’masë do të jetë në gjendje që këtë ta kombinojë me imagjinatën krijuese, për të krijuar një realitet të ri letrar.

Marrë parasysh faktin historik (hipotekstin) e krijuar nga njëanshmëria serbe dhe shmangien ndaj së vërtetës, kjo vepër dëshmon të kundërtën e saj, madje këtë në mënyrë shumë logjike.


Miti-çmitizimi

Historikisht Beteja e Kosovës ka ndodhur në vitin 1389. Në këtë betejë osmanët thyen forcat serbe dhe të aleatëve të tyre. Megjithatë paradoksi i madh ndodh sepse serbët krijuan një mit për këtë betejë dhe është rast “sui generis“ ku serbët e festojnë humbjen e tyre! Ngjarja është historike, sepse kemi personazhe historike si: Sulltan Muratin, bijtë e tij, Pajazitin e Jakupin, pastaj knjaz Llazarin, dhe nga ana arbene Gjergj Balshën etj.

Shtrirja e ngjarjes njeh kohë e hapësirë. Koha është viti 1389, ndërsa hapësirë bëhet Fusha e Kosovës. Megjithatë, zhvendosjet hapësinore bëhen relativisht nga pesha që autori synon t’i japë zhvillimit të

ngjarjes. Haxhaj na sjell një version krejt ndryshe, një botë krejt tjetër, madje në këtë botë të tijën letrare as që do të ketë luftë. Kryekronisti kryesor, Nuredini, do të heqë të zitë e ullirit që ta shkruajë një kronikë për një luftë që “s’është bërë”. Çka të shkruajë ai tjetër pos për vrasjen e Sulltan Muratit? Andaj natyrshëm shtrohet pyetja se: A ka ekzistuar Beteja e Fushës së Kosovës, apo kjo është vetëm një mit? Vrasja e Sulltan Muratit nga Millosh Kopiliqi (Obiliqi) sipas autorit është mit. Si mund të vritej një Sulltan i një Perandorie-superfuqi, i cili ruhej nga roja të shumta? Që të depërtoje tek ai do të duhej të kaloje nëpër rrathët e Dantes, gjë që do të ishte e pamundur, e aq më tepër të depërtoje i armatosur, qoftë edhe me një thikë të vetme. Kush mund ta bënte këtë pos birit të tij? 

Këtu autori ngreh në epiqendër dy vese njerëzore që e kanë përcjellë njeriun që nga gjeneza: lufta për pushtet dhe tradhtia. Kjo është një e vërtetë universale që e pësojnë të tri anët e trekëndëshit: arbenët, osmanët e serbët. Tradhtia është e trefishtë. Në radhë të parë, caktimi i betejës nga Knjza Llazari, jo në Serbi, por në Kosovës ishte e qëllimshme. Kjo për faktin se ai donte që gjithë pasojat të binin mbi popullatën vendase arbene. Tradhtia e Knjaz Llazarit do të jetë ekuivalente me tradhtitë e shumta që iu bënë vendasve arbenë edhe në kohët më të vona. Pastaj, marrëveshja dhe kapitullimi pa luftë nga osmanët, e pa marrëveshje me koalicionin e formuar nga vetë ai, gjithashtu është tradhti ndaj koalicionit. Dhe tradhtia e tretë është ajo e Pajazitit ndaj të atit e të vëllait.

Haxhaj heq një paralele në kohë, ku përmes të së kaluarës ndërton një të tashme e që mund të jetë edhe e ardhme. Gjithë ngjarja tjetër që zhvillohet në këtë vepër është realizim artistik, paraqitje e realitetit të dhembshëm të popullatës vendëse nëpër ato vlime të mëdha historike.

Ardhja e osmanëve bëhet me bujë të madhe, ndërsa shkuarja bëhet e dëshirueshme nga Sulltani i ri. Perandoria osmane si një superfuqi e kohës kudo që shkonte digjte e bënte shkrumb, me moton që njerëzimit t’ua kthej dritën dhe rrugën e drejt, atë të islamit, vazhdoi për shumë shekuj, segment ky i dytë brenda veprës. Rënia e një perandorie kaq të madhe do të mund të arrihej vetëm me përgjakje të madhe. Kjo miniaturë do të shfaqet me dhembjen dhe përgjakjen e prijësit të saj, Sulltan Muratit, nga i biri.

Tablo të dhimbshme nga realiteti jetësor janë të paraqitura nga lëvizjet e pakontrolluara e të mjegulluara të popullatës, që është vetëm një zhvendosje kohe nga një periudhë në një tjetër e që i ka ndodhur popullit vendas. Haxhaj riformaton ngjarjen historike të krijuar për mitin e Betejës së Fushës së Kosovës.

Përfundime

Përfundimisht ka ardhur koha që lexuesi shqiptar mos të kalojë në pyjet botërore pa i pasur kaluar ato shqiptare, sepse, megjithatë edhe ato shqiptare kanë bukurinë e vet natyrale. Madje, kohëve të fundit po shihet shtim i vlerave të shkrimtarë të veçantë, për orientime të reja në letërsi. Në këtë grup bën pjesë edhe Ardian Haxhaj, i cili suksesshëm po hyn nën kurorën e këtyre pyjeve. Vepra e tij e fundit, del e një rëndësie të madhe, jo vetëm letrare, por edhe njohëse-nacionale.

Ardian Haxhaj me veprën e tij “Kryekronika e Fushës së Kosovës” arrin që t’i mbajë aktive tri domene kryesore të cilat i synon që në fillim: a) në radhë të parë synon të krijojë letërsi të mirëfilltë në përputhje me kërkesat letrare bashkëkohëse; b) në radhë të dytë ta bëj çmistifikimin e një miti, që del i ndërlidhur me një tradhti dhe luftë për pushtet, dy gjëra që e kanë përcjellë njerëzimin që nga krijimi; c) dhe së treti, arrin që ta mbajë lexuesin nën presion deri në pikën e fundit, dhe të shkaktojë katarzë.

Gjithë këto Haxhaj i ka bërë në mënyrë të arrirë e me mjete ideo-artistike, duke dëshmuar mjeshtërinë e shkrimit, dijen dhe kreativitetin për të na dhënë një vepër sa mitike aq edhe çmistifikuese e historike.

Autor: Halil Dervishaj