Jump to content

Kulla e Petřínit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kulla e Petřínit (çek. Petřínská rozhledna) është një nga monumentet më të njohura në Pragë. Kulla është 65,5 metra e lartë dhe ndodhet në majën e kodrës Petřín. Baza e saj ndodhet në 324 metra mbi nivelin e detit dhe struktura e ndërtesës prej çelikut peshon 175 tonë. Brenda kullës është një ashensor, rreth të cilit janë vendosur dy shkallë (secila për një drejtim). Nga platforma më e lartë për vizitorët shihet mirë tërë panorama e qytetit me pamjen e afërt nga Kështjella e Pragës.

Shkas për ndërtimin e Kullës së Petřínit ishte Ekspozita botërore në Paris në vitin 1889, në të cilën morën pjesë edhe anëtarët e Klubit turistik çek. E veçanta më e madhe e kësaj Ekspozite ishte Kulla Eiffel në Champ de Mars. Pamja e saj u pëlqeu aq shumë sa pas kthimit në Bohemi vendosën të kishin një ndërtesë të ngjashme edhe në Pragë. Vetëm një vit më pas përfundoi projektimi i konstruksionit dhe u sigurua financimi i ndërtimit, që filloi në vitin 1891. Arkitekti kryesor ishte Vratislav Pasovský dhe planifikuesit e konstruksionit ishin inxhinierët Julius Souček e František Prášil. Hapja solemne e kullës u bë më 20 gusht 1891. Klubi turistik çek arriti qëllimin e tij, që ndërtesa të sjellë ndërmend kullën e famshme të Parisit.

Gjatë ekzistencës së saj, hapësira e brendshme ka ndryshuar shumë herë. Në kohën kur kulla funksiononte si transmetues i sinjaleve televizive, u hoq ashensori dhe më vonë u rikthye. Gjithashtu shkallët ndryshuan disa herë. Në vitin 1991 u realizua një riparim i vogël, e më pas ai i përgjithshëm midis viteve 1999 dhe 2002.

Në bodrumet e themelit të Kullës së Petřínit, sot janë hapësirat për ekspozita të llojllojshme. Atje, për shembull, në vitin 2012 u zhvillua ekspozita rreth jetës dhe veprës së Jára Cimrmanit.