Kultura ilire e tumave të Shtojit, Shkodër
Kultura ilire e tumave të Shtojit, Shkodër Autori: Aristotel Koka. Botuesi: BOTART. Faqet e librit 296.
Monografia “Kultura ilire e tumave të Shtojit”, që përfaqësojnë deri më sot fushën më të madhe tumulare në Shqipëri, është një punim me interes të veçantë shkencor, që i shtohet fondit të botimeve të prehistorisë shqiptare. Mbi bazën e materialit të zbuluar në to, i cili datohet nga Bronzi i Hershëm deri në periudhën qytetare, autori jep një tabllo të procesit të formimit të kulturës ilire në zonën e Shkodrës, duke nxjerrë në pah tiparet e kësaj kulture, veçantitë dhe lidhjet e saj me krahinat fqinje e më gjërë.
Kultura e Shtojit në Epokën e Bronzit ka tipare të veçanta që e dallojnë nga krahinat jugore të vendit tonë. Megjithatë, ajo zhvillohet në marrëdhënie të ngushta me kulturën e Maliqit të zonës së Korçës, duke anuar, gjithësesi, më tepër nga krahinat e Dalmacisë qendrore e të prapatokës së saj, me të cilat zona e Shkodrës del të ketë qenë e lidhur pa ndërprerje gjatë gjithë Epokës së Bronzit dhe asaj të Hekurit, kur midis këtyre trevave do të formohet një unitet i gjërë etno-kulturor ilir, i përfaqësuar nga grupi iliro-qendror Glasinac-Mat.
Me të dhënat që sjell, kjo monografi hedh dritë të re mbi zhvillimin kulturor të zonës së Shkodrës gjatë Epokës së Bronzit dhe asaj të Hekurit, gjenetikisht të lidhura ngushtë me proçesin e gjatë të formimit etno-gjenetik të popullsisë ilire. Ngjashmëritë e shumta të kulturës së tumave të Shtojit të Epokës së Hekurit si me kulturën ilire të Glasinacit, ashtu dhe me kulturën ilire të Matit, e përcaktojnë zonën e Shkodrës si hallkë ndërmjetëse e grupit kulturor Glasinac-Mat dhe si një nga zonat më interesante të përhapjes së kulturës ilire të këtij grupi.