Kumbaria

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kumbaria është një zakon i lashtë që shërbente për forcimin e fisit, duke zgjeruar rrethin miqësor. Kumbaria përftohej duke thirrur një njeri nga një familje tjetër si dëshmitar në martesë, në pagëzim ose për t’i prerë flokët për herë të parë fëmijës së vogël. Njeriu që i priste flokët fëmijës quhej kumbar ose nun (po të ishte grua, ndrikull ose nuna). Flokët e fëmijës priteshin në tri vende me gërshërë ose me biçak. Forma më e vjetër e përdorur në malësitë veriore ishte përcëllimi i flokëve me një pishë të ndezur. Njerëzit që lidhnin kumbarinë dhe pasardhësit e tyre bëheshin “shtëpi” me njëri-tjetrin, nderoheshin si të ishin të një gjaku, aq sa ndaloheshin martesat midis tyre. Kumbarët dhe ndrikullat zinin vend të nderuar midis njerëzve të shtëpisë, fjala e tyre kishte peshë.