Jump to content

Kur Toka lëkundet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Nën litosferë, shumë kilometra thellë punojnë forca vigane. Ato zhvendosin, shtrembërojnë, shtrijnë dhe ngjeshin. Janë forca të tilla që krijojnë male dhe janë më të fuqishme se të gjitha forcat e tjera, njerëzore ose natyrore, që veprojnë mbi sipërfaqen e planetit. Në shumë vende të botës popujt nuk kanë pse ti marrin në konsideratë dhe as tu tremben këtyre forcave të nëndheshme, por në zona të tjera dëgjohen herë-herë thirrje të befasishme. Në këto zona forcat e nëndheshme papritmas shkaktojnë në pjesët më të dobëta të masave shkëmbore një plasaritje ose një çarje. Këto shtytje pasohen me lëvizje të fuqishme lëkundës në shtresat shkëmbore përreth, lëvizje që quhen tërmete. Në sipërfaqen e Tokës lëkundja mund të manifestohet me zhurmë dhe me gjëmime të nëndheshme, të ngjashme me oshtimën e shkaktuar nga një qitje me top. Pastaj toka fillon të dridhet. Lëvizja mund të jetë në drejtimin nga lart poshtë ose në drejtimin horizontal, por zakonisht të dy llojet e lëvizjeve ndodhin njëkohësisht. Në qoftë se sipërfaqja e truallit të tokës është e përbërë prej rëre ose argjile të lagët, që ndodhet mbi një shtresë shkëmbore, ajo dridhet si xhelatinë. Lëkundjet e tërmetit mund ti rrëzojnë njerëzit për tokë, mund të shkulin pemët nga toka me gjithë rrënjë, mund të rrëzojnë fabrika dhe pallate. Mund të hapin në tokë të çara dhe toka mund të rrëshqasë në drejtime të ndryshme për disa metra, duke përmbysur çdo gjë. Lëvizja sizmike zgjat herë-herë pak sekonda dhe herë-herë vazhdon, me ndërprerje, me javë të tëra. Ndërtesat me konstruksion të fortë arrijnë ti përballojnë disa lëkundje ose lëvizje valore të lehta, por lëkundjet e tërmetit janë shpesh aq të shpejta sa nuk mund të merret me mend. Atëherë uzinat fillojnë të rrëzohen nga të gjitha anët dhe njerëzit vriten ose plagosen nga gërmadhat e tyre; përveç kësaj, ndodhin edhe zjarre të shkaktuara në përgjithësi nga lidhjet e shkurtra në qarqet elektrike. Çarjet shkaktojnë prishjen e tubacioneve të ujit, duke e bërë kështu të vështirë mundësinë e fikjes së zjarreve që përhapen me shpejtësi të madhe. Tërmetet mund të shkaktojnë gjithashtu edhe shembje toke. Fshatra të tëra janë varrosur nga dheu dhe shkëmbinjtë që kanë rënë nga shpatet e pjerrëta. Nganjëherë, një shembje e tokës bllokon rrjedhjen e një lumi të madh që kalon nëpër një luginë të gjatë, duke shkaktuar përmbytje shkatërrimtare. Forcat e nëndheshme të një zone mund të jenë të ekuilibruara aq përkohësisht saqë, herë-herë, mjafton një stuhi ose edhe një erë për të shkaktuar një tërmet.