Jump to content

Kuverna e Përdorme

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kuverna e Përdorme ishte qeveria e përkohshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. U krijua në fillim të vitit 1881. Kuverna e Përdorme formoi njësi të rregullta dhe ndihmëse ushtarake, në viset e çliruara ajo ngriti një administratë të vetën. Kujdes të veçantë i kushtoi edhe ngritjes së pushtetit të ri shqiptar. U morën masa të rrepta kundër veprimeve arbitrare dhe shpërdorimit të funksioneve pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm. Masa të rrepta u morën edhe kundër bejlerëve reaksionarë, të cilët u përpoqën të minonin pushtetin e ri me veprimtarinë e tyre. Veprimtaria e Kuvernës së Përdorme shqetësoi jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Fuqitë e Mëdha. Pas betejave të ashpra në Slivovë, Shtimje dhe Cernalevë, pas pushtimit të Prizrenit dhe Gjakovës nga ushtria osmane, Kuverna e Përdorme u shpërnda duke mbetur në historinë e Shqipërisë si e para qeveri kombëtare shqiptare.