Jump to content

Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve
Themeluar më2 shkurt 1990
QëllimiPajtimi i gjaqeve dhe i ngatërresave
Rajoni
Vendbanime të ndryshme në Kosovë
Njerëzit kyç
Anton Çetta

Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve (1990-1991) në Kosovë është një lëvizje unike, e cila nuk eshte ndeshur më parë në historinë e popullit tonë. Ajo nxori në pah vlerat humane, kulturën, shpirtbardhësinë, solidaritetin, dashurinë dhe përkushtimin e popullit tonë ndaj lirisë si dhe vlerave më sublime kombëtare.[1][2]

Më 29 janar 1990, grupi i të rinjve të Pejës, ish-të burgosurë politikë, studentë të Universitetit të Prishtinës, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Lulëzim Etemaj dhe Brahim Dreshaj kanë marrë vendimin për të filluar pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave. Vendimi per themelimin e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve është marrë në odën e Adem Grabovcit në Pejë. [3]

Në përputhje me vendimin e Kuvendit II, Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, duke konsideruar se e ka arritur qëllimin e saj, faktikisht e përfundon misionin e saj në njëvjetorin e nismës, më 2 shkurt 1991. Pajtime gjaqesh, ngatërresash, ndërhyrje në konteste të ndryshme dhe pleqësime të çështjeve të caktuara janë shënuar edhe pas kësaj date nga një grup veprimtarësh, kryesisht profesorë të Universitetit të Prishtinës të tubuar rreth prof. Anton Çettes, me synimin, siç është shprehur më vonë dr. Muhamet Pirraku, për ta institucionalizuar aktivitetin e këshillave të pajtimit në kuadër të qeverive lokale".

Më datë 4 maj 1992, në një lajmërim, dërguar për emetim „Radio-Zagrebit", emisionit në gjuhën shqipe, të nënshkruar nga prof. Anton Çetta, Myrvete Dreshaj dhe Ethem Çeku në emër të Këshillit Koordinues të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave (anëtarët e tjerë të Këshillit: Adem Grabovci, Have Shala, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj, ishin detyruar të arratiseshin nga Kosova dhe tani gjendeshin si të strehuar politikë në Zvicër) mes të tjerash njoftohej se, në gjysmën e dytë të këtij muaji do të mbahet në Prishtinë Kuvendi III i Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve, kurse delegatët e Kuvendit do të miratojnë, përveç vendimeve të tjera, edhe projektin e Lib- rit të Pajtimit, afatin e realizimit të tij dhe ekipin realizues".[4]

Në fund të periudhës njëvjeçare të veprimtarisë zyrtare, 1990-1991, Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë ka shënuar 2511 pajtime. Prej tyre, 1169 janë gjaqe; 477 plagosje, ndërsa 865, ngatërresa. Të gjitha këto vepra humane janë bërë vullnetarisht. Pa asnjë kushtëzim të vetëm. Në emër të gjakut të derdhur për liri, flamurit kombëtar, Kosovës dhe të ardhmes në liri. Pasqyrim i humanizmit, shpirtbardhësisë dhe vetëdijes së lartë njerëzore dhe kombëtare shqiptare. Diçka të tillë nuk ka shënuar historia e asnjë populli.[5]

Kuvendi III, që faktikisht shënon ceremoninë përmbyllëse të veprimtarisë së Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, u mbajt në Prishtinë më 17 maj 1992. Ky kuvend, i drejtuar nga kryesia e punës: prof. Anton Çetta, Myrvete Dreshaj, dr. Zekeria Cana, akademik Mark Krasniqi dhe dr. Marjan Demaj, krahas të tjerash, do të shqyrtonte dhe do të miratonte edhe paraprojektin e librit „Pajtimi i gjaqeve 1990-1991, të hartuar nga dr. Zymer Neziri në konsultim me profesor Anton Çettën, Myrvete Dreshajn, Ethem Çekun, dr. Zekeria Canën, dr. Mujë Rugova dhe dr. Muhamet Pirrakun.

  1. ^ Lulzim Etemaj (2020) Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve n; Kosovë (1990 - 1991), Armagedon, Prishtin;, fq. 2020
  2. ^ Kajtazi, Mehmet (3 shkurt 1993). "Populli përqafoi aksionin fisnik". Bujku: 3.
  3. ^ https://www.epokaere.com/29-janar-1990-dita-e-vendimit-historik-per-fillimin-e-pajtimit-te-gjaqeve-ne-kosove/
  4. ^ Fondi i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1992, Arkivi i Institutit Albanologjik të Prishtinës (AIAP)
  5. ^ https://www.epokaere.com/33-vjet-nga-vendimi-per-aksionin-e-pajtimit-te-gjaqeve/