Lëvrimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e shkrimit shqip
Lëvrimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e shkrimit shqip
Pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit më 1878 dhe të Shoqërisë së Stambollit më 1879 mori hov lëvizja për lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe. Mendjet më të ndritura të kohës, si Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Pashko Vasa, Jani Vretoja, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta etj., duke e njohur mirë gjuhën amtare dhe duke pasur besim të patundur në zhvillimin e saj të shpejtë, iu përveshën me zell një pune të shumanshme që nuk vonoi të jepte përfundime të dukshme. Drejtimet kryesore të përpjekjeve të tyre, që kushtëzoheshin nga kërkesat e kohës, ishin përhapja e shkrimit shqip, pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme, pasurimi i saj sidomos me terma shkencorë e me fjalë të tjera të fjalorit abstrakt dhe përpunimi i disa normave gjuhësore që do të çonin shkallë-shkallë në zhvillimin e vazhdueshëm të gjuhës letrare shqipe. Me këto përpjekje atdhetarët rilindës synonin të forconin bashkimin dhe afirmimin kombëtar të popullit shqiptar, për të cilët një faktor vendimtar ishte gjuha, si tipar themelor që dallon çdo komb.
Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (1879) me 36 shkronjat e tij i plotësonte mirë kërkesat fonologjike të gjuhës shqipe dhe, me gjithë mungesën e shkollave shqipe, ishte përhapur ndër shqiptarët brenda e jashtë vendit. Por, duke qenë i përzier edhe me disa shkronja greke dhe me disa shkronja të veçanta, ai paraqiste mjaft vështirësi për botim librash e fletoresh nëpër shtypshkronja. Përveç kësaj, megjithëse bëri të mundur mënjanimin e disa alfabeteve të përdorura më parë, alfabeti i Stambollit nuk mbeti i vetmi alfabet për shkrimin e shqipes. Kështu në Shkodër vijoi të përdorej alfabeti tradicional i shkrimtarëve klerikë të Veriut. Madje, në kapërcyell të shek. XX në atë qytet u vunë në përdorim dy alfabete të reja: alfabeti thjesht latin i Shoqërisë “Bashkimi”, i themeluar më 1899 nga Preng Doçi, Gjergj Fishta etj., dhe alfabeti i Shoqërisë “Agimi”, i formuar më 1901 nga Zef Mjeda, Ndre Mjeda etj. Gjatë kësaj periudhe në Shkodër nuk munguan edhe përpjekjet për ta shkruar shqipen me alfabetin arab.
Rilindësit u përpoqën edhe për pastrimin e pasurimin e fjalorit, gjë që diktohej nga vetë gjendja e gjuhës shqipe, e cila, në kushtet e një prapambetjeje të gjithanshme të popullit shqiptar, ishte e mbushur me fjalë të huaja dhe kishte mbetur e varfër sidomos për fjalë të fushave të ndryshme të shkencës e të kulturës. Për t’ia arritur këtij qëllimi të dyanshëm u shfrytëzuan më shumë mjetet fjalëformuese të gjuhës shqipe, duke krijuar kështu një numër të madh fjalësh të reja, një pjesë e mirë e të cilave i kanë qëndruar kohës. Të tilla janë, p.sh., fjalët ndërgjegje, vetëdije, cilësi, sasi, folje, rrokje, përemër, atdhe, mëmëdhe, kryeqytet, qytetëroj etj. Është e vërtetë se përpjekje për të krijuar fjalë të reja ishin bërë edhe më parë, duke nisur që nga Buzuku, Budi e Bogdani e deri te Naum Veqilharxhi. Por përpjekjet e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar në këtë fushë dalloheshin për karakterin e tyre më të vetëdijshëm, për përmasat e gjera dhe për përhapjen e madhe që patën.
Për pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe u shfrytëzua në radhë të parë visari i pasur i gjuhës popullore. Për këtë qëllim u mblodhën nga goja e popullit fjalë e shprehje të rralla që rilindësit i shtinë në përdorim në veprat e tyre. Në këtë punë fisnike u dallua në mënyrë të veçantë Kostandin Kristoforidhi, i cili i ra kryq e tërthor mbarë vendit, duke mbledhur një visar të pasur, që e përfshiu edhe në veprën e tij madhore “Fjalori i gjuhës shqipe”. Por këtë vepër me vlerë të madhe autori nuk mundi ta botonte sa qe gjallë. Pas shumë përpjekjesh, ky fjalor u botua më në fund më 1904 në Athinë. Fjalori nuk kishte karakter dialektor, si fjalorët e botuar më parë, por ishte një fjalor i mbarë shqipes. Shpjegimet aty jepeshin në gjuhën greke, por kishte edhe shpjegime plotësuese shqip. Ata që nuk dinin greqisht e përdornin për të gjetur ekuivalenten greqisht të fjalës shqipe. Më 1908 u botua në Shkodër nga Shoqëria “Bashkimi” një tjetër fjalor i gjuhës shqipe me shpjegimet në gjuhën italiane.
Drejtimi tjetër kryesor, ku u përqendruan përpjekjet për lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe, ishte përpunimi i disa normave drejtshkrimore e gramatikore dhe studimi i strukturës gramatikore të gjuhës. Edhe në këtë fushë puna nuk nisi nga e para. Përpjekje të tilla ishin bërë edhe më përpara. Por pas vitit 1880, në kushtet e reja të rritjes së lëvizjes kombëtare, shtrohej detyra për një punë më të vetëdijshme dhe me synime më të qarta. Në shkrimet shqipe duheshin zbatuar disa norma drejtshkrimore që t’i bënin ato sa më të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga baza dialektore. Për një punë të tillë të vetëdijshme shprehen në shkrimet e tyre sidomos Kostandin Kristoforidhi, Samiu, Naimi etj. Gjatë kësaj periudhe u bënë përpjekje edhe për një afrim të dy varianteve të shkruara të shqipes. Por, në kushtet e sundimit të huaj dhe të përçarjeve krahinore e fetare, të ushqyera nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm, këto përpjekje nuk mund të shkonin larg. Në këto rrethana, kur edhe një pjesë e shkrimtarëve vijonin të përdornin në shkrimet e tyre një gjuhë thjesht dialektore, ishte shumë e vështirë të përpunoheshin e të zbatoheshin nga të gjithë norma drejtshkrimore e gramatikore të njësuara. Megjithatë, u bë një punë e madhe për vendosjen e disa normave drejtshkrimore e gramatikore, që shënuan një hap të rëndësishëm përpara në zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua edhe studimit të strukturës gramatikore të gjuhës e kjo duket qartë edhe nga botimi i disa gramatikave me vlerë, të hartuara kryesisht nga autorë shqiptarë. Nga këto dallohen sidomos gramatika e Kostandin Kristoforidhit (1882), me shpjegim në gjuhën greke, “Shkronjëtorja …” e Samiut (1886), që është e para gramatikë e gjuhës shqipe, gramatika e Gjergj Pekmezit (1908), me shpjegime në gjuhën gjermane, gramatika shqipe e Anton Xanonit (1909) etj.
Puna për lëvrimin e për studimin e gjuhës bëri të mundur zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX u shtuan edhe më shumë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për lirinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave shqipe. Edhe pas hapjes së shkollës së Korçës në vitin 1887, gjendja e arsimit në Shqipëri mbeti e mjerueshme. Gjithë sistemi arsimor osman përbëhej nga shkollat fillore (mejtepe) në qytete e në fshatra, një pjesë e madhe pranë xhamive, nga disa shkolla gjysmë të mesme ose qytetëse (ruzhdie) që funksiononin në qytete, ndërsa shkolla të mesme shtetërore (idadie) ishin ngritur vetëm në kryeqendrat e katër vilajeteve. Mësimet zhvilloheshin kudo në gjuhën turke, ndërsa numri i fëmijëve që i ndiqnin këto shkolla ishte shumë i pakët. Në këto rrethana atdhetarët rilindës si në memorandumet e peticionet e njëpasnjëshme, që i dërguan Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga kolonitë e mërgimit e nga brenda vendit, ashtu edhe nëpërmjet organeve të shtypit shqiptar të viteve 1897-1908, protestuan ndaj kësaj gjendjeje të rëndë të arsimit në Shqipëri dhe kërkuan me këmbëngulje që shqiptarëve t’u jepej e drejta e mësimit të lirë të gjuhës amtare shqipe dhe që të hapeshin kudo në Shqipëri shkolla shqipe të të gjitha hallkave. Organet e shtypit theksonin se “ne shqiptarët duhet të hapim shkolla shqipe në Shqipëri dhe të mësojmë në gjuhën tonë”, “të çelim shkolla shqipe në të gjitha anët e Shqipërisë, në çdo qytet dhe në çdo fshat, me qëllim që të lulëzohet Shqipëria” (“Shqipëria”, 1897, “Gjuha shqipe dhe shqiptarët”; “Drita” 1903, “Kombet e tjera dhe shqiptarët” etj.)
Atdhetarët, me gjithë pengesat e qeverisë turke, nuk i ndërprenë përpjekjet për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Përveç dy shkollave shqipe të Korçës, në mjaft vise të Shqipërisë, si në Elbasan, Dibër, Krujë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Kolonjë, Starovë, Vlorë, Përmet, Skrapar, Çamëri etj., funksiononin, në shumicën e rasteve pranë shtëpive private, shkolla të fshehta shqipe, në të cilat arsimtarët atdhetarë u mësonin fëmijëve e të rriturve abetaren e gjuhës shqipe. Në këto qendra, si edhe në qytete të tjera të vilajeteve shqiptare, si në Shkodër, Durrës, Tiranë, Prizren, Prishtinë, Shkup, Manastir etj., mësuesit atdhedashës u mësonin fshehurazi shkrimin shqip nxënësve në shkollat e huaja turke, greke etj.
Atdhetarët rilindës protestuan në ato raste kur Austro-Hungaria bëri përpjekje për të zëvendësuar gjuhën shqipe, që ishte futur në shkollat e saj, me gjuhët e huaja. Në vitet 1898-1900 shpërtheu konflikti ndërmjet popullsisë së Prizrenit dhe agjentëve konsullorë austro-hungarezë, që deshën të fusnin në shkollën shqipe të qytetit sllavishten. Vatikani më 1898 largoi nga kjo shkollë klerikët shqiptarë nga Prizreni dhe emëroi në vend të tyre klerikë e murgesha kroate, që filluan të përdornin në shkollë krahas shqipes edhe sllavishten. Meqenëse kërkesat e popullsisë së Prizrenit për pezullimin e mësimit në gjuhën sllave nuk u morën parasysh, ajo ngriti më 1899 një shkollë të re shqipe të pavarur, në të cilën jepte mësim Mati Logoreci. Në këto përpjekje atdhetarët prizrenas patën edhe përkrahjen e popullsisë së Shkodrës dhe të viseve të tjera. Shkolla e re tërhoqi shumicën e nxënësve të Prizrenit. Në konfliktin për çështjen e shkollës së Prizrenit (që zgjati 2 vjet) ndërhyri me kërkesën e Vjenës edhe policia turke, e cila arrestoi mjaft shqiptarë atdhetarë. Qëndresa e gjatë e protestat e vazhdueshme të popullsisë së Prizrenit bënë më në fund efektin e tyre; më 1900 u kthyen në Prizren klerikët e larguar shqiptarë dhe u hoqën nga shkolla mësuesit e huaj. Pas kësaj të dyja shkollat u bashkuan në një shkollë të vetme. Kështu ndodhi edhe në Tiranë, ku në saje të kërkesave këmbëngulëse të rretheve atdhetare, në shkollën austriake të këtij qyteti, në kundërshtim me vendimin e kryepeshkopit katolik të Durrësit, u vunë në përdorim tekstet e përgatitura nga Shoqëria e Stambollit.
Në saje të përkrahjes së popullit dhe të vendosmërisë së mësuesve atdhetarë, edhe Mësonjëtorja shqipe e Korçës, që ishte e vetmja shkollë shqipe legale, u bëri ballë për një kohë të gjatë përndjekjeve dhe intrigave të qeveritarëve osmanë dhe mitropolisë së Korçës. Në vitet e fundit të shek. XIX, kur drejtor i saj u bë Nuçi Naçi, ajo u kthye në një shkollë të rregullt fillore me katër klasë, ku ndiqnin mësimet 80-100 fëmijë të krishterë e myslimanë nga 20-40 që kishte më parë. Përveç drejtorit, në shkollën e djemve të Korçës jepnin mësime edhe arsimtarët Thanas Nona e Nikolla Lako, ndërsa të rriturve abetaren shqip ua mësonte Kristo Vodica. Por edhe kjo shkollë më në fund u mbyll në vitin 1902, kur autoritetet osmane, të nxitura edhe nga peshkopi ortodoks grek, arrestuan mësuesin dhe drejtorin e saj të fundit Nuçi Naçin, të akuzuar si pjesëmarrës i një “organizate të fshehtë” shqiptare. Shkolla e vajzave të Korçës, ku jepnin mësim Sevasti Qiriazi (që ishte edhe drejtoreshë e saj), Fanka Efthimi dhe më pastaj Polikseni A. Dhespoti (Luarasi) e Thanas Sina, dha ndihmë të madhe për disa vjet në përhapjen e shkrimit shqip e të ndjenjave atdhetare tek të rejat dhe te popullsia e qytetit. Ajo frekuentohej nga 50 nxënëse, disa prej të cilave, duke qenë nga viset e tjera, ishin konviktore. Por edhe kjo shkollë u mbyll më 1904 nga autoritetet osmane.
Ndërsa pengonte përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe merrte masa të rrepta ndaj mësuesve e prindërve, sidomos ndaj atyre myslimanë që çonin fëmijët në shkollat shqipe, qeveria osmane, duke qënë nën presionin e shteteve fqinje e të Fuqive të Mëdha, lejonte çeljen në qytetet e Shqipërisë të shkollave të reja të huaja, greke, bullgare, serbe etj.
Krahas këtyre, përhapja e shkrimit shqip pengohej gjithashtu nga mungesa e një alfabeti të përbashkët për gjithë shqiptarët. Atdhetarët shqiptarë me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë si një shenjë dasie që pengonte bashkimin e konsolidimin kombëtar të shqiptarëve. Por si çëshjtja e shkollës shqipe, ashtu edhe ajo e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, qenë shndërruar në probleme politike, zgjidhja e të cilave do të varej nga zhvillimi i përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.