Jump to content

Lekë Matranga, njeriu, koha, vepra

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lekë Matranga, njeriu, koha, vepra Autori: Matteo Mandala. Botuar nga "OMBRA GVG". Faqet e librit 570.

Interesi për veprën e Lekë Matrangës më lindi gjatë kërkimeve që zhvillova pranë arkivit historik të eparkisë së Horës së Arbëreshëve dhe të dioqezës së Monreales, rreth viteve 1980-84, kur isha ende student.

Gjatë shqyrtimit të dokumenteve të shumta, që deri atëherë nuk ishin studiuar nga kërkuesit arbëreshë, m’u shfaq para syve një numër i madh të dhënash që në një mënyrë a në tjetrën hidhnin dritë mbi figurën e të parit shkrimtar arbëresh që njohim deri më sot, duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe të veprimtarisë së tij si përkthyes.

Disa vjet më pas (1984-87), gjatë një fushate kërkimore trevjeçare që ndërmori Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, me nxitjen e mësuesit dhe udhëheqësit tim, prof. Antonino Guxetës, gjeta disa dokumente që më vonë vendosa t’i mblidhja e t’i paraqisja në një studim të shkurtër, që u botua në vitin 1989. Duke qenë i sigurt se të tjera dokumente do të dilnin në dritë nga hulumtime më sistematike, vijova punën, që ndërkohë e kisha shtrirë edhe mbi studimin filologjik të tekstit të katekizmit.

Nga rezultatet e krahasimit të të dhënave të mbledhura prej dy burimeve, atij arkivor dhe atij tekstor, zuri të përvijohej një kuadër më i qartë, që vetëm disa vjet më parë, nën shtysën e një studimi të botuar prej të ndjerit Prof. Dhimitër Shuteriqi, i cili i kushtoi kontributin e tij të fundit Lekë Matrangës duke na lënë kështu një lloj testamenti shkencor që e vë theksin mbi rëndësinë e veprës së tij, vendosa ta botoj megjithëse isha i vetëdijshëm se për të përballuar e zgjidhur problemet e shumta që shtronte kjo vepër, ishte e nevojshme të pritej përfundimi i kërkimeve.

Nevoja për të vënë në dukje, nga njëra anë, kufizimet e interpretimeve filologjike të derisotme qysh prej zbulimit të dorëshkrimit, e nga ana tjetër, paqëndrueshmërinë e shumë hipotezave të hedhura mbi kontekstin historiko-kulturor ku jetoi dhe punoi Matranga, më nxiti t’i paraqisja ato rezultate si parashtresa zbulimesh arkivore e ta shtyja diskutimin e thelluar të problemeve të patrajtuara në studimin hyrës të botimit kritik të veprës E mbsuame e krështerë.