Jump to content

Lika Janko

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lika Janko (1928 - 2001) piktore bullgare me origjinë shqiptare.

Familja e Lika Llazar Jankos, kishte emigruar drejt Bullgarisë në vitet '20 të shekullit të kaluar. Lika Janko u lind në Sofje më 19 mars 1928. Ishte vajza e vogël e Llazar Jankos, nga fshati Grabovë e Sipërme, që sot në hartën e Shqipërisë duket fshat i thellë në rrethin e Gramshit. Llazari qe larguar nga fshati i vet "për të shpëtuar nderin e familjes", sikundër shkruajnë biografët e së bijës. Në Sofje ai u mor me tregtinë e lëndës së drurit, por edhe me veprimtari të tjera. Bashkë me disa miq nisi të botojë një gazetë ilegale, që propagandonte luftën kundër bejlerëve. Si më e vogla e shtëpisë, Lika u rrit si çupë ëndërrimtare, me imagjinatë të pasur. Lika qe vetëm 15 vjeçe kur hyri në Akademinë e Arteve, ku studioi Pikturë në klasën e Prof.Uzunov dhe Prof.Ilia Petrov. Një ndikim në punën e saj ka pasur artisti Vincent van Gogh. Paaftësia për ta përshtatur stilin e saj origjinal me kërkesat artistike të socrealizmit, bënë që ekspozita e saj më 1967-ën të mbyllej. Kur katërmbëdhjetë vjet më vonë mundet të ekspozojë sërish, në vitin 1981, Lika Yanko ngjall interes të madh nga pothuajse të gjitha ambasadat, çka bëri që arti i saj të përhapet në Evropë e më gjerë. Gjatë gjithë jetës, ajo ka çelur vetëm 7 ekspozita dhe u nda nga jeta pak pas hapjes së të fundit prej tyre.