Lilo Xhimitiku
Lilo Xhimitiku |
---|
Ilia Xhimitiku i njohur si Lilo Xhimitiku(Berat, 20 korrik 1907 - 7 mars 1977) ka qenë fotograf i shquar beratas.
Biografia
Lindi në lagjen "Goricë" të qytetit të Beratit, në një familje tregtarësh. Në vitin 1925 vëllai i tij, Milto Xhimitiku, i dhuron një aparat 6 x 9 të tipit "Kodak", që e kishte sjellë nga Italia. Ai punoi për pak kohë me Palok Gurashin. Më vonë ai krijoi lidhje të afërta me Marubët (1929–1930, ndërsa kryente shërbimin ushtarak në Shkodër) dhe me fotografë të tjerë. Në vitin 1936 bëri udhëtimin e parë njohës drejt Italisë. Vizitoi Barin, Sicilinë, Napolin, Romën, Firencen, Milanon e Gjenovën. Këtu ai u pajis me materiale dhe aparate nga më moderne të kohës, stampatricë, solucione, letër, vulë e thatë (e njohur e që mbahet e vetmja në llojin e saj). Si njeri me njohje të gjera shoqërore dhe me vizion të qartë nga bota e qytetëruar, ishte i pasionuar sidomos pas portretit dhe natyrës. Më vonë iu kushtua edhe kompozimit, dhe u angazhua në fiksimin e fakteve, ngjarjeve apo ditëve të shënuara.
Fondi i arkivave të Xhimitikut ishte i jashtëzakonshëm. Ai fiksoi ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në kapërcimin e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ndryshimet e rëndësishme të qytetit, restaurimi i "Urës së Goricës", ngritja e bustit të Babë Dudë Karbunarës, hyrja e forcave partizane në Berat, ndarja e tapive, vizita e Hrushovit etj, u fiksuan nga objektivi i tij. Kanë qënë me qindra filma e fotografi origjinale. Por fondi i fotografive të trashëguara prej tij është shumë i kufizuar për arsyen se arkiva në 13 shtator 1944 u dogj së bashku me shtëpinë në lagjen "Goricë", në shkurt 1954 studioja shkatërrohet nga një stuhi dhe në vitin 1962 vërshimet e lumit përmbytin arkivin dhe studion duke u shkatërruar përfundimisht pjesa më cilësore e punës dhjetëravjeçare : arkivin e filmit dhe të fotografive, aparatet dhe makinat e stampimit, pa përmendur letrat dhe materialet e tjera. Po të llogaritësh edhe sekuestrimet, shtetëzimet dhe zhdukjen e shumë dëshmive nga frika e persekutimeve mund të imagjinohet realisht kontributi i Lilo Xhimitikut dhe përmasat e tij kombëtare.