Liqenet e Dumresë
Pllaja e Dumresë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pllaja e Dumresë është një ndër njësitë më të veçanta fiziko-gjeografike të Shqipërisë, kjo gjë lidhet me dy arsye kryesore që kanë të bëjnë me ndërtimin gjeologjik dhe veçoritë gjeomorfologjike, si dhe me praninë e shumë liqeneve me origjinë karstike (84 liqene). Liqenet e Dumresë janë një pasuri natyrore shumë e madhe kombëtare, por sidomos ata janë një pasuri natyrore shumë e çmuar për zhvillimin e kësaj hapësire gjeografike. Liqenet më të rëndësishëm, më të pasur dhe më të veçantë të pllajës së Dumresë (disa prej tyre janë shpallur monumente natyre, kategoria e tretë e nivelit të mbrojtjes për zonat e mbrojtura), janë: liqeni i Seferanit, i Merhojës, i Çestijes, i Degës, i Belshit etj. Kjo esht nje mrekulli natyrore!
Liqenet e Dumresë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Liqenet e Dumresë janë formuar si rrjedhojë e dukurive karstike të ndodhura në shkëmbinjtë karbonatike (kryesisht në gipset dhe dolomitet). Gropat karstike të këtyre liqeneve janë formuar si rrjedhojë e dukurive karstike, kryesisht si rrjedhojë e shembjes së shpellave karstike, gjë e cila vërehet tek brigjet e thepisura të liqeneve dhe forma e tyre (kryesiht formë sferike dhe vezake). Taposja e këtyre gropave karstike nga argjilat e dekalçifikuara, ka krijuar mundësinë që këto gropa karstike të mbushen me ujë kryesisht nga reshjet. Liqenet karstike demostrojnë se karsti në pllajën e Dumresë është në fazën e pleqërisë.
Sipërfaqja e përgjithshme e liqeneve të pllajës së Dumresë është 640 ha ose 6,4 km2, ndërsa aftësia ujëmbajtëse e tyre është 26 milion m3 ujë. Përmasat dhe format e liqeneve të pllajës së Dumresë janë nga më të larmishmet, të cilët duke u ndërthurur me kodrat e rrumbullakosura, formojnë një peizazh natyror unikal. Furnizimi kryesor me ujë i liqeneve të pllajës së Dumresë bëhet kryesisht nga reshjet, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në nivelin e ujëshmërisë së këtyre liqeneve. Në pjesën e thatë të vitit (stina e verës) ku sasia e reshjeve është shumë e pakët, niveli i ujit të liqeneve bie në kuotat më të ulëta, ndërsa në pjesën e lagësht të vitit (stina e dimrit) ku sasia e reshjeve është më e madhe, niveli i ujit të liqeneve arrin në kuotat maksimale.
Liqenet e Dumresë janë një potencial shumë i madh natyror për zhvillimin e gjithanshëm socio-ekonomik të kësaj zone. Zhvillimi i ekonomisë bujqësore është i varuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga prania e liqeneve, pasi ata shërbejnë si burimi kryesor i ujit për vaditjen e tokave bujqësore të pllajës së Dumresë. Klima shumë e thatë gjatë stinës së verës (sasia e reshjeve është shumë e pakët) ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e bujqësisë, por sidomos në kuadër të kultivimit të kulturave të ndryshme bujqësore, dhe janë pikërisht liqenet ata që shërbejnë si rezervuarë për vaditjen e tokave bujqësore dhe për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë. Një tjetër funksion shumë i rëndësishëm i liqeneve të pllajës së Dumresë lidhet me zhvillimin e turizmit dhe sidomos të turizmit liqenor. Liqenet e shumta përbëjnë një potencial shumë të madh natyror, në funksion të mbështetjes së zhvillimit të turizmit në pllajën e Dumresë. Vitet e fundit, po shikohet një ndërgjegjësim në rritje për zhvillimin e turizmit në pllajën e Dumresë dhe veçanërisht në qytetin e Belshit dhe në fshatin turistik të Seferanit (pjesë e projektit 100 fshatrat turistik të Shqipërisë). Një funksion tjetër i liqeneve të Dumresë lidhet me peshkimin, ku disa prej këtyre liqeneve shfrytëzohen për peshkim. Liqenet e Dumresë kanë një ndikim të gjithanshëm në kuadër të zhvillimit socio-ekonomik të pllajës së Dumresë.
Referencat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Akademia e Shkencave, 1991, Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Volumi II
- Bashkia Belsh, 2019, Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Belsh
- Sala Skënder, Qiriazi Perikli, 2007, Banorët dhe Mjedisi në Pllajën e Dumresë, Ideart