Jump to content

Lirika mes dy moteve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lirika mes dy moteve Gjinia: Poezi, me Autor Martin Camaj. Shtëpia botuese: Onufri. Viti i botimit 2012. Faqet e librit 280. ISBN 978-99956-87-73-1

Në këtë syzim, autori i kësaj përmbledhjeje lirikash nuk qëllimon t'i paraqesë vetveten lexuesve. Nga ana tjetër, poezia nuk lyp shpjegime, edhe ajo flet për veten në atë formë e strukturë që ka. Ka vetëm një trajtë të qëllueme e të drejtë, një radhitje fjalësh, gjithmonë në gjuhën amtare, përmes së cilës njeriu i paraqitet vetes e rrethit të njerëzve që janë të interesuem.

Sikur unë ose çdo autor tjetër të vehej me shpjegue krijimet e veta ashtë rrezik t'i largohet tekstit fillestar e të krijojë diçka të re, pa dashje, të prishë veprën e vet tue e vu në një dritë të rrejshme.

Rrëfej se kam pasë gjithnjë vështirësi, një lloj turpësie të flas për poezinë time apo të lexoj vargje të mia para tjerëve. Kisha gjithnjë përshtypjen se po zbuloj diçka intime a fshehtësi dhe se po humb "fillin e gjetun", drejtpeshimin e krijimtarisë.

Por meqënëse kjo ashtë hera e parë që botohet diçka prej meje në vendin tim, e ndjej për detyrë t'i jap disa njoftime lexuesit të këtij libri rreth veprës sime letrare: shikue drejtas, ajo ndahet në periudha, përkatësisht me fazat e jetës së njeriut. Ndonëse periudhat ndryshojnë nga njena tjetra, ato ndërlidhen nga fije të forta sikur të ishte një libër i vetëm nja 2000 faqesh.

S'ka pasë programime në këtë krijimtari prore e përcaktuese nga koha, si ashtë titulli i një cikli lirikash të Giuseppe Ungaretti "Giorno dopo giorno" (Prej dite në tjetrën), poet italina që ka njoftë edhe ai mërgimin. Le të flasim për poezinë! Si e ndjej unë atë, tërthoras, ndoshta jap edhe ndoj njoftim përmbi artin tim në këtë lami.

Për shembull, ndër nè gjatë periudhës afër gjysmë shekull që e përjetuem u ndeshën dy tema letrare rivalizuese, në një anë, mrekullitë e trimnitë e herojve bashkëkohorë, ndërsa në tjetrën shkriheshin të mbulueme gacat e një zjarrmi të pashueshëm, eshkë e ndezun, nxjerrë nga eshtnat e njerëzve të thyem e të mundun. Të dy përmbajtjet, vetëmburrja e fituesit dhe vuajtjen njerëzore u shfaqën njëkohësisht edhe në lirikë. Specifike në këtë mes ashtë njëkohësia e dy rrymave letrare të papajtueshme njena me tjetrën: trimni / ligështi.

Gjasa tashti ashtë edhe ndër ne të dalë fituese ligështia, ardhja e periudhës së Sofokliut në letërsinë greke, kur poetët nuk do të këndojnë ma për heronjtë homerikë, po secili do të flasë për fatin e vet tragjik. Do të flitet për çentaurat e së kaluemes, për "njerinë – shtazë", me siguri!

Tue u sjellë kah talentat e rinj të dheut tonë, uroj që veprat letrare me tematizime të tilla mos të kalojnë kufijtë e drejtpeshimit e masës në art ( në teorinë e tragjedisë greke: hybris). Gjithnjë tue mbetë në sferën artistike, del pyetja për poetin e ardhshëm: çka do të ndodhë me Edipin? Mbasi verbon veten, a do të shkojë me sosë në shkreti?

Krijimi i poezisë në liri ka tjetër cilësi përjetimi, shujta, ushqimi tjetër shije dhe gjumi tjetër qetësi e prehje.

Martin Camaj