Luftëtari (gazetë)
Numri i parë i gazetës "Luftëtari" doli në tetor 1944 në Tiranë. Ishte një gazetë me katër faqe, që i bënte jehonë ushtrisë partizane, përpjekjeve për çlirimin e Tiranës dhe të vendit. Gazeta me këtë emër filloi të dalë rregullisht që nga maji i vitit 1945, si organ i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, "një armë e fuqishme për edukimin politik, ideologjik e ushtarako-profesional, të të gjithë efektivave të Forcave të Armatosura".
Ajo e ndryshoi herë pas here formatin, po ashtu edhe numrin e faqeve, por në thelb mbeti një gazetë ushtarake, më praktike, me probleme të ditës dhe kryesisht ushtarake, por gjithnjë, duhet pasur parasysh koha, ajo ishte si gjithë të tjerat një gazetë propagandistike, për edukimin komunist të ushtarëve dhe ushtarakëve të lartë. Gazeta e pushoi jetën e saj në vitin 1991.