Jump to content

Lugina e Drinos

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lugina e Drinos është cilësuar si mrekullia arkeologjike e historike e Shqipërisë, si vendi ku ndërthuren e shfaqen dukshëm kulturat e të gjitha epokave. Si një minierë që nuk lodhet duke prodhuar ajo vazhdon të "habisë" studiuesit dhe arkeologët me qindra sitet që mban në thellësi, rrugët antike, monumentet e ndryshme si dhe me elementet e rralla të qytetërimeve të ndryshme që kanë lulëzuar në të.

Shtrirja gjeografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me një sipërfaqe prej rreth 400 kilometrash katrorë, Lugina e Drinos dallohet për një sërë elementesh të vçanta historike, arkitektonike, arkeologjike si dhe për përdorimin e gjerë të fortifikimit dhe të objekteve të fortifikuara. "Lugina e Drinos është mrekullia arkeologjike e historike e Shqipërisë. I ka të gjitha fazat, duke filluar që nga paleoliti e deri në ditët e sotme. I ka të gjitha monumentet. Ka një pafundësi sitesh arkeologjike. Numërojmë njëherë pesëmbëdhjetë site, bëjmë zbulime të reja, bashkëpunojmë me faktorë të tjerë, na dyfishohen, na trefishohen dhe kjo punë vazhdon pafundësisht dhe pafundësisht ne do jemi në këtë histori gërmimesh dhe zbulimesh. Lugina e Drinos është një katalog i kulturave, ku kushtet historike kanë favorizuar lindjen e të gjithë qytetërimeve. Kjo i ka bërë historianët, udhëtarët e arkeologët të jenë në të gjitha kohërat të interesuar për të" sipas arkeologut Vladimir Qirjaqi.

Rrugët antike përbëjnë në fakt një prej vçantive më të spikatura të këtij territori kaq të pasur. "Përveç gjithë vlerave të tjera, Lugina e Drinos është qendra e trafikut të qytetërimeve të ndryshme" sipas arkeologut Qirjaqi. Qindra kilometra rrugë, të hapura e të përdorura në epoka të ndryshme, që vazhdojnë të jenë të dukshme e të qarta edhe në ditët e sotme. "Në kohën e Epirit të famshëm, epirotët preferonin të ndërtonin rrugë mbi kodra dhe suprina në lartësitë 400- 600 metër mbi nivelin e detit. Ndërkohë, romakët e plotfuqishëm ndërtuan magjistralet e vërteta, ku spikatin kalimi i drejtpërdrejtë në luginë, ndërtimi i urave në pjesët më të ngushta të lumit, kalimi i qafave më të favorshme gjeografike dhe ndërtimi i një rrjeti sekondar në favor të vendbanimeve të ardhshme. Romakët gjithashtu standardizuan rrugët, ngritën teknikën e ndërtimit të tyre, që jo vetëm sot ripërdoren, por mbahen si shenjë dhe udhëzues të ndërtimeve të reja. Hapja e një shtrati 6 metër, ngritja mbi to e bordurave, hedhja e 2- 3 shtresave dhe mbi to e një kalldrëmi i bëjnë këto rrugë t'i ndeshim akoma edhe pas 2 mijë vjetësh. Ndërtimi herë pas here në krah të rrugëve i vilave, stacioneve termale e rrugëve i bëjnë njëherazi këto rrugë të sigurta dhe shumë të këndshme për udhëtarët e zakonshëm, minionarët e ndryshëm apo edhe tregtarët. Hap pas hapi arkeologjia po i bashkon elementët e këtyre qytetërimeve, duke zgjidhur çështjen ende të pazgjidhur të "tabula peugniteriane" (guidë romake)", shprehet më tej Qirjaqi.

Qytetërimet e ndryshme që kanë lulëzuar në luginën e Drinos kanë lënë si pasuri 5 qytete të mëdhenj për kohën, 15 kala, 337 kilometër rrugë qerresh e karvanesh dhe dhjetëra fortifikime. Për specialistët e monumenteve dhe historianët, fortifikimet dhe qytetet e fortifikuara që nga thellësia e mesjetës e deri në mesjetën e vonë si Palokastra, Kodra e Kalasë, Kalaja e Tavanit (Melani), Pepeli, Zhulati e Kardhiqi, Libohova, më e madhja Gjirokastra, Shëndriadha etj e më në veri kalaja e Tepelenës, dëshmojnë për vazhdimësinë e jetës dhe zbatimin e mendimit mbrojtës në luginën e Drinos.

Melani e Seloja mbyllin këtë luginë strategjike nga jugu, Libohova, Shëndriadha dhe vetë Gjirokastra përbënin pjesën më të qëndrueshme të krahinës, ndërsa kalatë në Lekël, Kardhiq e Zhulat pa lënë mënjanë Tepelenën, e mbyllin atë fort nga veriu dhe së bashku me dhjetëra ndërtime më të vogla krijojnë një unitet të fuqishëm fortifikues. Ekipi shqiptaro-italian vazhdon që të zbulojë herë pas here perla të tjera të fshehura nën tokë

"Archadrin" projekti 2- vjeçar italo- shqiptar, një pjesë të aktiviteteteve të veta i ka të lidhura ngushtësisht me Luginën e Drinos dhe pasuritë e saj arkeologjike. Ekspeditat e vazhdueshme në këtë drejtim kanë evidentuar dhjetëra site të panjohura më parë, duke filluar nga periudha prehistorike e deri në të tjera periudha të mëvonshme. Bëhet fjalë për rreth 200 site, tuma arkeologjike etj, të përpunuara gjatë dy viteve të fundit, të cilat janë të ndërtuara në periudha dhe me teknika të ndryshme. Për arkeologun Vladimir Qirjaqi, është trefishuar sasia e monumenteve të kataloguara, ndërsa ajo çka bie në sy është numri i madh i tumave, të paeksploruara deri më tani.

Vendet e panjohura arkeologjike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si një nga zonat me më shumë tuma (kodërvarre) të pagërmuara të periudhës së bronxit të mesëm, Lugina e Drinos do jetë për specialistët e arkeologjisë një fushë e virgjër. Megjithatë një pjesë e mirë e tyre nuk janë përfshirë në listën e monumenteve të mbrojtura. Ndërsa, për drejtuesin italian të misionit arkeologjik, Roberto Perna, është mjaft e nevojshme vendosja e këtyre siteve në funksion të turizmit. "Pasuritë arkeologjike të evidentuara, të njohura ose jo janë të shumta, kanë vlera monumentale, studimore dhe turistike. Ideja kryesore është krijimi i një pike turistike për vizitorët që mund të shikojnë sitet në luginën e Drinos", thekson Perna. Lugina e Drinos shtrihet ndërmjet vargut Lunxhëri- Bureto në lindje dhe Malit të Gjerë e pjesërisht Kurveleshit ne perëndim. Ka një shtrirje gjatësore të përgjithshme rreth 60 km dhe gjerësi prej 1.5 km. Shtrihet gjithashtu në një lartësi nga 200- 250 metra mbi nivelin e detit. Nga ana morfologjike lugina e Drinos brenda kufirit shtetëror ndahet në dy pjesë: pjesa e mesme dhe pjesa e poshtme. Pjesa e Sipërme ndodhet jashtë kufirit tonë. Pjesa e mesme fillon nga Kakavija deri ne Hundëkuq me një gjatësi rreth 45 kilometra, ndërsa pjesa e poshtme shtrihet nga Hundëkuqi deri në Vjosë. Arteri kryesor i luginës sigurisht që është Lumi Drino, i cili është dhe dega kryesore e Vjosës.