Lumi i Pavllës
39°26′01″N 19°35′38″E / 39.4337°N 19.5939°E Pavlla është lumë në pjesën më jugore të Shqipërisë (rrethi i Sarandës me gjatësi 50 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 374 km², lartësi mesatare 521 m). Dega më e madhe, përroi i Karroqit (Ksantos), që është zgjatje e Pavllës rrjedh në një luginë të ngushtë, me shpate të pjerrëta e të thella në shkëmbinj gëlqerorë. Pavlla në fillim rrjedh nga veriperëndimi, në afërsi të fshatit Komat bën një kthesë dhe merr drejtim në jugperëndim, e mandej në Çiflig rimerr drejtimin veriperëndim. Nëpër fushën e Mursisë dhe të Vrinës rrjedh në një shtrat të mbrojtur, kalon në jug të liqenit të Butrintit dhe derdhet në detin Jon në Gjirin e Butrintit. Zona fushore më parë ka qenë moçalishte. Me bonifikimin e fushave të Mursisë e Vrinës (1959) u kthye në toka pjellore. Burimi i lumit gjendet në malet e Çamandës në Greqi, pranë fshatit Pavllë të Çamërisë.