Mërkuna e zezë
Mërkuna e zezë roman, Autori: Agron Tufa. Botuesi: Toena. Faqet e librit 148.
? "Gjithë materia lëndore e librit është bërë shtëllunga-shtëllunga dhe është vendosur për t’ u tjerrur në tri furka: furka e parë është ajo e natyrës që end indiferente (a thua?!) flokët e borës, furka e dytë është ajo e magjisë, endur nga Shartimja dhe Nafaka (vini re çfarë emrash!) dhe furka e tretë është ajo e autorit që thurr e end tekstin letrar. Ka dhe një tjetër më të madhe, që nënkuptohet, ajo e Zotit, i cili në të madh të Vet, end vetë fijet e jetës së personazheve. Fijet e këtyre furkave tiliksen e kokolepsen me njëra-tjetrën, këputen, bëhen nyje të pazgjidhshme. Pavarërisht këtyre që thamë librat e Tufës të shkaktojnë habi estetike. Nga fabula? Narracioni rrjedhës? Personazhet e tjetërfartë? Gjuha gurgulluese? Nga ajo fantazi harlisëse që, ndërsa degët i frushullijnë herë me një mister drithërues, e herë me një vrazhdësi cullake, një rrënjë e saj vjen e ngafulet mu në humusin e zi të diktaturës për t’ u shëndoshur e ardhangur estetikisht? E vështirë ta thuash, sepse është një formulë që bën përzierjen e masës së elementëve të veçantë, një formulë që ka diçka nga fryma e shenjtë, magjitë e lashta, kabala, dhe çdo përzierje arbitrare s’ do të bënte gjë tjetër veçse do të na i shpërthente epruvetën eksperimentale në dorë, ashtu siç iu shpërthehet magjistarëve tek pëziejnë squfurin... Te Mërkuna e Zezë, Agron Tufa ikën nga simbolika e ndërtuar me lëndë empirike realiste dhe na tërheq bukur, thjesht, ëmbël, në një rrëfim ku përzihen ngjarje, ndodhi, peizazhe realiste, me përfytyrime të praktikave mitike, në një botë ku misteri dramatik përzihet me seksin, jeta dimërore e fshatit malor zhytet në një mjegull të paparë marrëdhëniesh magjie, personazhet bartin një peshë kuptimore dhe një karakterizim psikologjik, që i vendos ata nën një tension dramatik të lëvizshëm."