Mali i Shkëlzenit
Appearance
Mali i Shkëlzenit ndodhet në Alpet Shqiptare, në rrethin e Tropojës, me lartësi 2407 m. Shtrihet midis luginës së lumit të Tropojës në verilindje, luginës së lumit të Gashit në jugperëndim dhe pellgut të Tropojës në juglindje. Formon një kurriz të mprehtë midis vetë majës së Shkëlzenit dhe majës së Radeshës. Shpatet veriperëndimore e juglindore janë mjaft të pjerrëta, kurse shpatet verilindore e jugperëndimore bien thikë mbi luginat. Pjesa kulmore e malit është çarë nga dy lugje akullnajore. Dy majat e tij (Shkëlzeni dhe Radesha) kanë forma tipike piramidale tepër të mprehta. Bimësia mungon thuajse plotësisht.