Mardhëniet publike
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Mardhëniet publike
Origjina e mardhënieve publike mund të kërkohet te publicistët e specializuar në promovimin e shfaqjeve të cirkut, shfaqjeve teatrale apo spektakleve të tjera publike. Por shumë PR janë rekrutuar zakonisht nga bota e gazetarisë, pasi gazetarët arrijnë të përdorin njohuritë e tyre mbi median për të siguruar një mbulim më të mirë mediatik të mesazheve të përçuara nga klientët e tyre. Lufta e Parë Botërore ndihmoi në zhvillimin e marrëdhënieve publike si profesion. Profesionistët e parë të PR, përfshirë Ivy Lee, Edward Bernays, dhe Carl Byoir, patën fillesat e tyre në Komitetin e Informimit Publik, institucion që prodhoi publicitet për synimet e SHBA-së në luftë. Ivy Lee, njihet si personi që zhvilloi konceptin e Njoftimit për Shtyp dhe që shpjegonte se puna e Marrëdhënieve Publike konsiston në ndihmesën e klientëve për ta bërë mesazhin më të qartë, më të kuptueshëm dhe të dëgjuar më mirë nga publiku. Pra Marrëdhëniet Publike u konceptuan me dy qëllime: Nga njera anë ndihmonin kompaninë apo institucionin qeveritar të jepnin mesazhe të qarta dhe nga ana tjetër, ndihmonin audiencën të kuptonin mesazhin. Por ndryshe nga praktika, mbi themeluesin e këtij profesioni, Ivy Lee, rënduan akuza për përdorimin e marrëdhënieve publike në mënyrë të njëanëshme, pra vetëm në interes të klientit dhe jo të publikut. Bernays ishte nga ana tjetër teoricieni i parë i këtij profesioni. Ai ishte një nip i Sigmund Freud dhe i mori shumë parime nga teoritë e Freud mbi motivet joracionale të sjelljes njerëzore. Ai është autor i shumë librave mbi këtë fushë dhe e konsideronte PR-in si një shkencë sociale të aplikuar. “Manipulimi i vetëdijshëm dhe inteligjent i opinionit të masave është një element i rëndësishëm në shoqërinë demokratike”, - shkruante ai në librin Propaganda. “Ato që manipulojnë mekanizmat e fshehur të shoqërisë përbëjnë një qeveri të padukshme, e cila në vendin tonë është forca e vërtetë e pushtetit”. Një nga klientët e hershëm të Bernay ishte edhe industria e duhanit. Në vitin 1929, ai orkestroi një publicitet legjendar që synonte të bindte gratë të pinin duhan si shenjë kryengritjeje ndaj pabarazisë gjinore. Në atë kohë, pirja e duhanit nga gratë konsiderohej jofemërore dhe e pahijshme. Rezultati ishte aq i fortë, sa shumë gra filluan të kërkonin anëtarësim në klubet duhanpirëse që në atë kohë kontrolloheshin nga meshkujt.
Propaganda Propaganda është padyshim një fushë e marrëdhënieve publike, por megjithatë, nuk e karakterizon atë. Në përgjithësi, relatorët publikë përpiqen të ndikojnë opinionin nëpërmjet pikëpamjeve më intelektuale dhe më të argumentuara ndërsa propaganda përdor përgjithësisht emocionet primitive si dashuria, frika, besnikëria, paragjykimi. Një nga kryeveprat e propagandës në të gjitha kohërat konsiderohet filmi "Triumph des Willens", (Triumfi i Vullnetit), një film i realizuar në kohën e nazizmit nga Leni Riefenstrahl. Ai konsiderohet si filmi më i mirë i propagandës i kryer ndonjëherë si përsa i përket efektit që dha në popullin gjerman ashtu edhe për shkëlqimin artistik. Një instrument tjetër që përdoret dhe që është konsideruar shpesh si i pavërtetë, është “Protokollet i Pleqësisë së Sionit”, të cilat paraqesnin një plan të detajuar hebrenjsh për të komplot që synonte kontrollin e të gjithë botës. “Protokollet” u bënë dokumenti më i rëndësishëm në forcimin e ndjenjave antisemite në Gjermani dhe që u bënë shpejt shumë efektive edhe në Rusi. Në SHBA-të u popullarizuan nga një libër i Henry Ford, në një libër që më vonë u citua edhe nga Adolf Hitleri. Në SHBA në Luftën e Dytë Botërore u publikuan “Katër të Drejtat” nga Norman Rockwell, një dokument që synonte të motivonte amerikanët të luftonin për të ruajtur katër liritë bazë të dala në një fjalim të presidentit Franklin D. Roosevelt: Liria e fjalës, liria e besimit, liria nga varfëria dhe liria nga frika. Edhe filmi “Pse luftojmë ne”, prodhuar nga Frank Capra ishte gjithashtu një produkt propagandistik me ndikim. Në kohën tonë, filmi më i debatuar është ai i Michael Moore, Fahrenheit 9/11, një dokumentar propagandistik. Filmi i bazuar në fakte e bën atë të klasifikohet si dokumentar, por disa mbështetje shumë emocionale tregojnë se ai përdor edhe metodat bazë të propagandës.
Fusha të ndërthurura me PR Ka shumë disiplina që kanë lidhje të ngushtë me Marrëdhëniet Publike. Kështu marketingu është i përqendruar në përpjekjet për të influencuar publikun për të blerë mallra dhe shërbime. Reklama është një mjet i rëndësishëm i marketerëve, por nuk është e vetmja. Ashtu si edhe në PR, eventet dhe takimet janë shumë të përdorshme dhe kur organizohen mirë, krijojnë përhapje të fjalës nga një njeri te tjetri në mënyrë të bollshme si dhe sigurojnë mbulim nga media e lirë, gjëra që janë të pamundura të kryhen me reklamat tradicionale. Gjuhësia është një lami’ e rëndësishme brenda Marrëdhënieve Publike. Vende të ndryshme, popuj të ndryshëm dhe madje edhe grupe shoqërore të ndryshme identifikohen pikë së pari përmes gjuhës dhe frazeologjive që përdorin. Gjuha ka kushtëzuar në një masë të madhe globalizimin e qasjeve të PR-it të korporatave shumë-kombëshe, sepse mesazhe të rëndësishme nuk përcillen dot lehtë nga një gjuhë tek tjetra. Socio-linguistika është sot mjeti më i rëndësishëm në përpunimin e mesazheve të korporuar, sidomos kur flitet për ndërhyrje rajonale, kontinentale apo edhe më të gjera në favor të një kompanie apo produkti. Kjo veçori ka forcuar nga ana tjetër praninë e shkencave të analizës brenda Marrëdhënieve Publike, si sociologjia dhe psikologjia, ndërsa sociologjia e kulturës është tashmë fjalë kyç për të kuptuar prirjet e një publiku të caktuar në drejtim të sjelljes së tij në treg. Marrëdhëniet publike nga ana e tyre garantojnë harmonizimin e interesave zhvillimore të një kompanie apo produkti në raport me mjedisin konsumator. Për këtë shkak, të gjitha shkencat që garantojnë këtë harmoni, si ekspertiza e mjedisit, analiza ekonomike makro-dhe-mikro, etj, janë pjesë e veprimit të relatorëve publikë.
Industria sot Sipas Byrosë së SHBA-ve për Statistikat e Punës, ekspertët e Marrëdhënieve Publike kontrolluan 122 mijë vende pune në 1998, nga 485 mijë vetë që punojnë gjithsej në SHBA në sektorin e reklamave, marketingut dhe marrëdhënieve publike. Marrëdhëniet publike të sotme përdorin një numër të madh teknikash, përfshirë vrojtimet e opinionit publik dhe fokusimin në grupe për vlerësimin e opinionit. Ato përdorin mjete të teknologjisë së lartë për shpërndarjen e informacionit përfshirë linjat satelitore, mesazhet në internet, fakset apo bisedat telefonike të drejtpërdrejta për të kapur mbështetës për kauzat e klientëve të tyre. Mjetet dhe aftësitë e përdorura për të menaxhuar publikun janë zgjeruar. Dijet e njeriut që merret me PR mund të përfshijnë shkencat e komunikimit, psikologjisë, psikologjisë sociale, sociologjisë, shkencave politike, ekonomisë, principet e menaxhimit dhe etikën. Njohja e teknikave kërkon kërkimin në opinione, analizimin e çështjeve publike, marrëdhëniet me mediat, komunikimi me postë të thjeshtë apo elektronike, reklamat institucionale, publikimet, prodhimin audiovizual, organizimin e festave, ngjarjeve të shënuara, fjalimet dhe prezantimet. Megjithëse PR janë vlerësuar si stereotipi i shërbëtorit të korporatës, pothuajse çdo organizatë biznesi apo jo ka të nevojshme të punësojë minimalisht një specialist të marrëdhënieve publike. Organizatat e mëdha kanë zakonisht departamente komunikimi. Marrëdhëniet publike duhet të shihen si një funksion menaxherial në çdo organizatë. Një plan efektiv i marrëdhënieve publike i nevojitet çdo organizate qoftë për komunikim të brendshëm, ashtu edhe për komunikim të jashtëm.
Çështjet kryesore që bëjnë pjesë në PR janë:
- Menaxhimi i krizave
- Menaxhimi i reputacionit
- Menaxhimi i çështjeve
- Marrëdhëniet me investuesit dhe marrëdhëniet e punës
- Marrëdhëniet me punonjësit e nivelit të ulët (Marrëdhëniet e brendshme)
Kompanitë e mëdha që ofrojnë shërbime të marrëdhënieve publike kanë sektorë të veçantë, ndërsa kompani më të vogla janë të përqendruara në vetëm pak fusha.
Ato mund të jenë:
- Marrëdhëniet publike për sektorin ushqimor
- PR për industrinë e kujdesit shëndetësor
- PR për Çështjet publike, etj