Marrëveshja e 9 Marsit 1997
Partitë politike të ftuara në takim nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha, nënshkruajnë Marrëveshjen e Paktit Kombëtar. Kjo marrëveshje u firmos nga ish-Presidenti i Republikës, Sali Berisha dhe nga përfaqësuesit e 10 partive politike pjesëmarrëse në këtë takim. Marrëveshjes i bashkëngjiten edhe dy shënime. I pari ka të bëjë me kërkesën që të gjithë partitë politike i bëjnë Partisë Socialiste për t’u futur në Parlament. Dhe i dyti me një pretendim të Partisë Balli Kombëtar që thuhet se kjo parti është dakord me të gjitha pikat e kësaj platforme, por vlerëson që qeveria duhet të quhet Qeveri e Mirëkuptimit Kombëtar. Më pas Sali Berisha takon ministrin e Jashtëm italian, Dini, i cili e përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje. Edhe SHBA përmes radios "Zëri i Amerikës" shprehen se janë shumë të kënaqura me këtë marrëveshje. Pasiguria,ankthi dhe krismat kanë pushtuar shumë qytete të vendit. Bandat e rebelëve të armatosur kanë hapur shumë depo armësh në qytetet kryesore të Jugut. Drejtuesit e këtyre bandave bëjnë thirrje për të marshuar drejt Tiranës.
Në këtë marrëveshje thuhet : PD, PS, PR, PBDNJ, PBK, PSD, PAD, PBSD, PLL dhe PDK bien dakord që :
- 1. Parlamenti shqiptar të shpallë amnistinë e përgjithshme për të gjithë ata civilë dhe ushtarakë që u implikuan në revoltën e fajdeve.
- 2. Të krijohet një Qeveri e Pajtimit Kombëtar me përfaqësimin e të gjitha forcave politike në dialog.
- 3. Brenda një afati një javor të dorëzohen armët dhe municionet nga të gjithë qytetarët, në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
- 4. Dita e dielë datë 16 mars të shpallet ditë zie kombëtare për të nderuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë kësaj periudhe.
- 5. Të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në një periudhë jo më larg se muaj qershor 1997.
- 6. Zgjedhjet parlamentare të zhvillohen nën mbikqyrjen e plotë ndërkombëtare.
- 7. Qeveria në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe të vendit duhet të marrë të gjitha masat për të ndihmuar me përparësi zonat e dëmtuara.
- 8. Të fillojë lehtësimi i gjendjes së jashtëzakonshme, deri në heqjen sa më të shpejtë.
- 9. Partitë të vazhdojnë dialogun.