Marrëveshja e Moncës
Marrëveshja e Moncës (nëntor 1897) ishte një marrëveshje verbale (në Monza të Italisë) midis ministrit të jashtëm të Austro-Hungarisë Goluhovski dhe kryeministrit italian Rudini për ruajtjen e status quo-së në Shqipëri, si dhe në të gjithë Ballkanin. Në qoftë se gjendja ekzistuese nuk do të mund të mbahej më gjatë, ndryshimi në Shqipëri do të bëhej në dy drejtime: ose ajo do të kthehej në një “provincë të privilegjuar” në kuadrin e Perandorisë Osmane, ose do të bëhej një principatë e pavarur, e shkëputur nga Porta e Lartë. Frika se mos Shqipëria binte në dorë të rivales, i shtynte të dy fuqitë të binin në ujdi për të “mos vënë dorë ato vite mbi të”. Në dhjetor 1900-shkurt 1901, marrëveshja e Moncës u fiksua me shkrim midis ministrave të jashtëm të të dy vendeve.