Martina Sáblíková
Martina Sáblikova është sportiste çeke e lindur më 27 maj 1987. Ajo merret me çiklizëm e patinazh. Në patinazh është e specializuar në garat me distancë të largët. Sáblikova është fituese e medaljes së artë olimpike dhe kampione e shumëfishtë evropiane dhe e gjithë botës. Në vitin 2010 u bë sportistja e parë çeke që fitoi dy medalje të arta olimpike në Lojërat Olimpike Dimërore. Sáblikova përqendrohet veçanërisht në disiplinën individuale, në të cilën mban tituj të shumëfishtë të kampionatit kombëtar të Çekisë.
Si e vogël ajo arriti disa rezultate të dukshme gjatë turneve ndërkombëtare. Në vitin 2005, u rendit e shtata në kategorinë 5000 metra gjatë Kampionatit Botëror në garat e patinazhit. Ajo ishte kampione e të rinjve në Çeki në vitin 1999, 2001 dhe 2004. Në renditjen përfundimtare të kampionatit evropian të vitit 2006 në Hamar u klasifikua e katërta. U radhit e treta në 3000 metra dhe fitoi në kategorinë 5000 metra.
Në Lojërat Olimpike Dimërore 2006 në Torino, ajo përfundoi e katërta në 5000 metra, pas Clara Hughes, Pechstein dhe Cindy Klassen. Për shkak të rezultateve të mira në gara, pozicioni i saj në renditjen botërore të të gjitha kohërave “Adelskalender” u rrit nga vendi i 94-të në vendin e 15-të brenda një viti. Në mars të vitit 2006, ajo theu rekordin botëror në patinazh në kategorinë 10.000 m, duke e mposhtur kohën më të mirë të Clara Hughes për 11 sekonda.
Vitin tjetër (2007) Sáblíkova fitoi Kampionatin Evropian të Patinazhit në Collalbo, me rekord botëror prej 162.954 pikësh. Ajo i fitoi të dyja kategoritë 3000 dhe 5000 m me kohë rekorde. Në fund të sezonit fitoi dy medalje të arta në Kampionatin Botëror të Patinazhit në Salt Lake City në kategoritë 3000 dhe 5000 m.
Martina Sáblíková dhe Milan Sáblík janë një shembull i veçantë i motrës dhe vëllait, sportistë që mbajnë rekorde botërore në të njëjtin sport dhe në të njëjtën kohë. Martina mban rekordin botëror në garat 5000 m dhe 10 000 m (që nga marsi i vitit 2007), ndërsa Milan ndau rekordin botëror të të rinjve bashkë me ekipin çek të patinazhit të përbërë nga Pavel Kulma dhe Zdeněk Haselberger, nga nëntori i vitit 2007 deri në mars të vitit 2010.