Materialet e buta magnetike
Klasifikimi i materialeve magnetike bëhet në bazë të ciklit të histerezës.Materialet që e kanë të ngushtë ciklin e histerezës (forcë të vogël koercitive), quhen materiale të buta magnetike.Fusha koercitive e tyre është më e vogël se 600 A/m.Përdorimi i materialeve të buta magnetike është i orientuar në aparate të rrymës alternative të frekuencave të ndryshme.Kërkesë e përgjithshme është që të magnetizohen me sa më pak energji, që forca koercitive të jetë e vogël.Materialet e buta magnetike përdoren në të gjitha rastet, kur është e duhur që me energji minimale të përfitohet induksion magnetik i nevojshëm për kryerjen e proceseve elektromagnetike.
Përdorimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Materialet e buta feromagnetike më së shumti përdoren:
- a) në aparatet elektroenergjetike (te transformatorët,maqinat rrotulluese, bobinat harkshuese),
- b) në aparate matëse,
- c) në transformatorët për telekomunikacion,
- d) në bobina me bërthama të hekurit në teknikën e frekuencave të larta,
- e) në ekranizime magnetike,
- f) në maqina llogaritëse për memorie magnetike etj.
Te aparatet elektroenergjetike, prej materialeve magnetike kërkohet që në mënyrë sa më racionale të arrihet fluksi sa më i madh magnetik.Kjo do të thotë,se induksioni magnetik duhet të jetë i madh, fusha koercitive sa më e vogël dhe humbjet sa më të vogla.Meqenëse te aparatet shpenzohet një sasi bukur e madhe e materialit magnetik,çmimi i materialit luan rol të rëndësishëm.
Prej materialeve magnetike që përdoren për aparate matëse, kërkohet që lakorja e magnetizimit të jetë sa më lineare dhe me humbje minimale magnetike për t'iu shmangur deformimeve dhe të ketë sa më pak gabime që mund të paraqiten me rastin e kalimit të sinjalit nëpër qark me bërthamë magnetike.
Zakonisht, për aparate matëse nuk kërkohet vlerë e madhe e fluksit magnetik, dhe pika e punës ndodhet diku në fillim të lakores së magnetizimit.Në këtë rast edhe permeabiliteti magnetik fillestar mund të luajë rol te madh.Pikërisht vlera e madhe e permeabilitetit magnetik bën që lakorja e magnetizimit në fillim të jetë sa më tepër lineare.
Materialet magnetike, të cilat përdoren për transformatorë në telekomunikim dhe për bobina, janë nën ndikim të fushave të dobëta magnetike.Për këtë shkak, gjatë magnetizimit të tyre, shfrytëzohet vetëm pjesa fillestare e lakores.Është e nevojshme,që kjo pjesë e lakores së magnetizimit të jetë lineare,përkatësisht që permeabiliteti fillestar magnetik të jetë sa më i madh.Me rëndësi është që edhe humbjet magnetike,për shkak të ciklit të histerezës, të jenë të vogla.Kërkesat prej materialeve magnetike që përdoren për rele janë tjera, sepse edhe kushtet e punës dallohen për to.Për sigurimin e forcës të ndryshueshme tërheqëse,është e nevojshme që në hapësiren ajrore të jetë induksioni i mjaftueshëm magnetik.Mirëpo, te qarqet magnetike me hapsirë ajrore,kjo më së shumti varet prej konstruksionit të pjesëve sesa nga materiali magnetik që përdoret.Megjithatë,insistohet që në shumicën e rasteve materiali magnetik të ketë vlerë të madhe të permeabilitetit magnetik dhe cikël te ngusht të histerezës.
Roli i tyre në teknikë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bobinat e ndryshme dhe mbështjellat luajnë rol bukur të madh në teknikën e frekuencave të larta.Që të arrihet vlera e dëshiruar e induktivitetit me dimensione sa më të vogla të bobines, ajo ndërtohet me berthamë magnetike.Për shkak të humbjeve të mëdha në bërthamat prej materialit monolit,ajo nuk përdoret në teknikën e frekuencave të larta.Zbatim të madh në teknikën e frekuencave të larta kanë materialet magnetike që kanë humbje të vogla prej rrymave shtjellore bredhëse përkatësisht materialet që kanë rezistence të madhe specifike elektrike.Përdorimi i tyre është i arsyeshëm edhe pse permeabiliteti magnetik dhe veçoritë tjera magnetike janë më të dobëta se te materialet monolite magnetike.Veçori të tilla shfaqin magnetodielektrikët dhe materialet e buta ferimagentike.
Karakteristikat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Te memoriet magnetike, të cilat përdoren në maqinat llogaritëse përdoren materialet magnetike me veçori dhe karakteristika të veçanta.Po i përmendim më të rëndësishmet:
- a) vlera e madhe e induksionit të ngopjes ßng e cila përfitohet me intensitet të vogël të fushës magnetike,
- b) vlera e vogël e fushës koercitive,
- c) induksioni remanent duhet të jetë sa më afër vlerës së induksionit magnetik të ngopjes (sa më afër formës katërkëndëshe të ciklit të histerezes),
- d) koha e magnetizimit të jetë sa më e shkurtër,ashtu që memoria të reagojë sa më shpejt në çdo ndryshim,
- e) vlerë sa më të madhe të rezistencës specifike elektrike.
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dr.Alajdin Abazi dhe Dr.Jusuf Krasniqi - Materialet elektroteknike