Jump to content

Materializmi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Materializmi është pikëpamje filozofike dhe ideore sipas të cilës materia është primare në çdo aspekt sidomos në aspektin ontologjik. Materializmi është alternativë dhe e kundërta e idealizmit. Ky i fundit në kundërshtim me materializmin, pohon se ideorja (qoftë në aspektin objektiv qoftë në aspektin subjektiv) është primare.

Materializmi pohon se thelbi i universumit është materialja. Pra materia është burim i çdo gjëje që na rrethon, dhe si konsekuencë e kësaj del se çdo gjë perceptive është materiale. Gjithashtu materializmi pohon se jashtë materies dhe pavarësisht nga materia nuk ekziston asgjë. Materia është baza e realitetit, dhe vet realiteti.

Materializmi është i lidhur ngushtë me ateizmin. Kështu që të jesh materialist nënkupton në mënyrë indirekte apo direkte se je ateist. Materializmi hedh poshtë çdo pikëpamje dhe mundësi të ekzistencës së ndonjë bote imateriale-transcendentale apo mbinatyrore. Kështu materialistët mohojnë ekzistencën e zotit apo çfarëdo entiteti tjetër mbinatyror, imaterial. Megjithatë Baruh de Spinoza ishte filozof materialist, ai besonte në ekzistencën e zotit, por nuk e konceptonte zotin si një qenie mbinatyrore dhe imateriale, por natyrën dhe zotin i konsideronte identike. Kjo pikëpamje sipas të cilës zoti dhe natyra janë një quhet panteizëm.

Materialistët më të njohur në historinë e ideve filozofike janë : në antikitet Talesi, Anaksimeni, Herakliti, Demokriti, Epikuri, Lukreci etj ; në kohën e re ndër materialistët më të njohur janë : Tomas Hobsi, Frensis Bekoni, Baruh de Spinoza etj. Ndërkohë në epokën bashkëkohore ndër materialistët më të njohur janë Ludvik Fojerbahu, Karl Marksi, Fridirich Englesi, Vladimir Iliq Lenini, Vitgenshtajni, Raselli etj.