Jump to content

Memorial i Andon Zako Çajupit në Kuç

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Një monument kushtuar Andon Zako Çajupit, një prej përfaqësuesve të shquar të Rilindjes Kombëtare, ndodhet në fshatin Kuç të Vlorës. Kuçi është një prej fshatrave të njohur të Shqipërisë për kontributin e shquar në lëvizjet kombëtare dhe çlirimin e vendit. Memoriali i ngritur për Andon Zako Çajupin është vendosur në nderim të vlerësimeve që i ka bërë Çajupi natyrës dhe historisë së këtij fshati më se 100 vjet më parë, i frymëzuar nga vizita që ai bëri në Kuç. Mendohet se Çajupi e vizitoi zonën e Kuçit, Kurveleshit dhe fshatrat e Rrëzës në verën e vitit 1887, kur ai ishte në moshën 21-vjeçare. Ndërsa 64 vargjet e kushtuara kësaj zone janë shkruar në vitin 1903 dhe janë pjesë e veprës së tij “Baba Musa Lakuriq”, e cila u botua pas vdekjes së autorit. Memoriali është një masiv shkëmbi i shkëputur në afërsi të vendlindjes së Çajupit, i dërguar për përpunim në një ndërmarrje gurpunuese në Fushë–Krujë dhe, më pas, është transportuar drejt fshatit Kuç. Shkëmbi është me përmasa 12 metër katrorë (faqja ballore është 4 x 3 metra) dhe peshon 35 tonë. Mbi shkëmb është vendosur një pllakë e madhe mermeri me përmasa 2,5 x 2 metra në formën e një libri të hapur, ku dukshëm janë gdhendur 64 vargjet që Çajupi i kushtoi Kuçit, natyrës dhe historisë së tij. Mbi libër, në një pllakë të veçantë mermeri është gdhendur një grafikë e portretit të poetit të madh, Çajupit, ndërsa në një pllakë tjetër është veçuar data kur Çajupi e vizitoi Kuçin dhe zonat përreth. Ideja për vendosjen e këtij memoriali ka qenë e z. Fatmir Toçi, origjina e familjes e të cilit është nga ky fshat, i cili, së bashku me biznesmenin Edi Leli dhe drejtorin e qendrës kulturore “Jeronim” në Vlorë, Gentian Hoxhaj, kanë mundësuar realizimin e tij.