Jump to content

Molekula Proteinike

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Proteinat janë komponime makromolekulare organike. Molekula e proteinave është makromolekulë (molekulë e madhe) sepse përbëhet prej numrit të madh të molekulave më të vogla të cilat quhen aminoacide. Pra, mund të themi se proteinat janë polimerë të cilët përbëhen prej një numri të madh monomeresh-aminoacideve. Aminoacidet në molekulën e proteinës janë të lidhura me lidhje peptidike:

Me lidhjen e shumë aminoacideve në mes veti me lidhje peptidike krijohet vargu peptidik:

@@-@@-@@-@@-@@-@@-@@................. vargu peptidik @@ = është aminoacid

Proteinat janë komponime organike makromolekulare të azotuara. Ato janë të ndërtuara prej karbonit, hidrogjenit oksigjenit dhe azotit. Azoti është përbërës karakteristik i proteinave. Disa proteina kanë edhe sulfur, fosfor, hekur, bakër, magnezium, mangan etj., të cilar hyjnë në përbërjen e grupeve peostetike të proteinave të përbëra. Prej të gjitha substancave organike që marrin pjesë në strukturën e qelizës së pari duhet të përmenden proteinat, duke e marrë parasysh se ato janë komponimet më të rëndësishme organike. Prandaj, proteinat janë substancat më të rëndësishme biologjike dhe substanca me strukturë më të komplikuar kimike. Këto janë komponime kryesore që marrin pjesë në ndërtimin dhe funksionin e qelizës sl gjallë. Pa molekula të proteinave nuk mund të paramendohet specifiteti i ndërtimit dhe funksionit të qelizës së gjallë. Nuk ekziston asnjë funksion jetësor në të cilin nuk marrin pjesë proteinat. Prandaj, me plot të drejtë thuhet se proteinat janë bartës të jetës dhe se pa to nuk do të ekzistonte as jeta. Emrin “protein” (greqisht, proteios – i pari, më i rëndësishmi) së pari e ka dhënë Berceliusi. Për herë të parë ky emër përmendet në vitin 1840. Ky emër është me vend duke marrë parasysh rolin e proteinave në organizëm. Sot njihen me mijëra proteina. Llojllojshmëria e tyre është shumë e madhe për shkak të mundësive të shumta të kombinimeve të aminoacideve në molekulë të proteinës.


Dihet se prej strukturës të molekulës proteinike varet edhe funksioni i saj. Prandaj, në varësi nga numri, lloji dhe renditja e aminoacideve në molekulë të proteinës varet edhe funksioni i asaj molekule proteinike. Pra, në varësi nga cilësitë e përmendura molekula e proteinës do të jetë enzim, hormon, vitamin etj. Kështu, p.sh. në hipofizë krijohen dy hormone: oksitocina dhe vasopresina të cilat dallohen për nga funksioni i tyre. Të dy hormonet janë oligopeptide (molekulat e tyre kanë nga 9 aminoacide). Dallimi midis këtyre dy hormoneve qëndron vetëm në një aminoacid e kjo mjafton që këto dy hormone të kenë funksione të ndryshme: Oksitocina: Cis-Tir-Ileu-Glut-Asp-Cis-Pro-Leu-Gli Vasopresina: Cis-Tir-Phenal-Glut-Asp-Cis-Pro-Leu-Gli Meqenëse molekula e proteinave është e madhe ( është makromolekulë) atëherë edhe pesha e tyre molekulare është e madhe.

Kështu, p.sh. insulina e ka peshën molekulare 5000, proteina e gjakut fibrinogjeni e ka peshën molekulare 450.000 etj. Proteinat dallohen nga karbohidratet dhe lipidet në rend të parë si substanca strukturale dhe fuksionale. Organizmi nuk i deponon proteinat në sasi të mëdha siç është rasti me sheqerna dhe lipide, përveç në vezë dhe fara, gjegjësisht në frute të disa bimëve. Sheqernat dhe lipidet (lipidet e thjeshta) janë materie tipike rezerve të energjisë. Proteinat kurrë nuk shërbejnë si burim primar i energjisë. Megjithatë organizmi mund t’i përdorë proteinat si burim të energjisë vetëm atëherë kur nuk ka burime tjera, si p.sh. në rastin e urisë së gjatë të organizmit.