Jump to content

Mozaiku i Mesaplikut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mozaiku i Mesaplikut është një objekt i rralle kulti paleokristian. Ky mozaik i përket shekullit VII - VIII, ka dimension 11 m x 10 m. Mozaiku i Mesaplikut u zbulua në vitin 1979 nga arkeologu Damian Komata, në rrënojat e një kishe Paleokristjane (Revista Iliria’, I, 1984) të ndërtuar diku në shekullin e VI, e cila përbëhej nga tre anijata. E gjetur në vendin e quajtur Bregu i Kishës, faltorja kishte një gjatësi prej 13.8 m si dhe një gjërësi prej 11 m. Nefi, ose hapësira qëndrore ishte më e lartë dhe më e gjërë se dy nefet e tjerë, të cilët kishin përmasa prej 2.5 m secili.


Kisha përbëhej nga Naosi (salla), kthina e altarit, absida e të cilit ishte tre-faqëshe dhe ikonostasi, bazamenti i të cilit ishte prej guri. E gjithë ndërtesa mbulohej me çati druri dhe tjegullash, gozhdët e së cilës u gjenden brënda rrënojes së saj.

Dyshemeja ishte e shtruar dikur me mozaik, ku në nefin qëndror u gjet fragmenti, të cilin e kemi si objektin kryesor të këtij shkrimi. Në altarin e Bazilikës arkeologet gjetën edhe nje varr, fakt që vërteton tezën se shumica e Bazilikave të krishtërimit të hershëm shërbenin edhe si mauzoleume të figurave të shquara të kohës qoftë asaj laike, si dhe fetare.

Gjurmët e djegieve të gjetura nga arkeologu D. Komata të çojnë tek idea se, Bazilika është shkatërruar ndoshta gjatë periudhës së dyndjeve Sllave, ose gjatë shekujve VIII-IX, kohë kur në Bizant lufta e ikonave nuk i kurseu veprat më të mira të artit figurativ, sepse në dyshemenë e saj përveç gozhdëve, copave të qelqit, enëve dhe tjegullave të thyera u gjet dhe një shtresë e trashë hiri.

Në shekullin e VI kur ndërtohej dhe funksiononte si një tempull kishtar Bazilika e Mesaplikut, Amantia dhe Vlora ishin dy peshkopata në varësi të Metropolisë së Durrësit, ashtu si Skampa, Bylisi, Linhidi dhe Listra. Peshkopata e Amantias, e cila e kishte në varësi këtë Bazilikë përmëndet pak në dokumentat historike. I vetmi njoftim që na jepet për të i përket shekullit te IV, kur peshkopi Eulalis, mer pjesë në një koncil kishtar të organizuar në Filipopolis, i cili ndodhet në Bullgarinë e sotme (Acta Albaniae l, I).