Mozaiku i Tiranës
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.
Përshkrimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndonese eshte shkruar se brenda këtij kompleksi u zbuluan tre stela varresh të periudhës romake, ato nuk jane gjetur ne kete kompleks, por ne nje ndertim larg tij dhe jane dorezuar ne ate qe dikur ishte Ateljeja e Monumenteve te Kultures - Tirane. Gërmimet e fundit përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhëne për transformimin në bazilikë paleokristiane të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ’70. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin “Mozaiku i Tiranës”.