Mulla Hamit Guta

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mulla Hamiti i Jezercit, gjithmonë mbante në kokë një kësulë të bardhë si dëbora, me shallin e bardhë e të hollë simbol të hoxhës. Kështu shkonte në mbledhje e konferenca të fshatit, në tubime, dasma, vdekje dhe në kuvende, ku fjala e tij dëgjohej me vëmendje e shumë respekt ; ai dinte të mbyllte çdo gjë të keqe.

Katundi Jezerc i komunës së Ferizajt është në lindje të tij dhe përfshin një nga hapësirat gjeografike më të mëdha në këtë komunë. Jezerci është një vendbanim kodrinor- malor i tipit të shkapërderdhur, por një çerdhe veprimtarësh atdhetarë për çështjen kombëtare-liridashëse. Ka një lashtësi, por zyrtarisht nuk janë bërë hulumtime. Nga punët e rastësishme janë gjetur eksponate të ndryshme, që vërtetojnë një lashtësi të këtij vendbanimi.

Banorët merreshin kryesisht me pylltari e blegtori, si dhe pak me bujqësi. Aty ruheshin traditat e lashta kombëtare, por edhe ato fetare. Në këtë katund, një vend të rëndësishëm zë familja Guta, e cila që herët ishte përcaktuar për veprimtari kombëtare e fetare. Pos emrave të njohur të mulla Veselit me vëllanë Ademin, ky vendbanim ka lindur e rritur edhe mulla Hamitin – mësuesin e parë fetar në xhaminë e Jezercit.

Fatmirësisht, ne kemi takuar njërin prej nxënësve të mulla Hamitit, mësuesin dhe veprimtarin e devotshëm për çështje kombëtare, z. Hajrush Rekën, i cili në ditët e vështira kishte mbajtur shënime për mësuesin e tij të parë në Jezerc, për mulla Hamitin (Gutën).


I pari që hapi një paralele (mejtep) në Xhaminë e Jezercit.

Nga notesi i bacit Hajrush kemi shkëputur këtë shënim jetësor për mulla Hamitin, përkatësisht për mësuesin e parë të tij në xhaminë e Jezercit, ku ishte edhe mësonjëtorja(mejtepi) e parë. Mulla Hamit Guta, veprimtar i madh i çështjes shqiptare kombëtare, u lind më 1900 në Jezerc të Ferizajt, nga trungu familjar Guta.

Rrjedh nga një familje e varfër përparimtare, me ndjenja të dalluara patriotike. Babai i tij, Bajram Guta, i cili vdiq herët, në prag të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, bashkë me bashkëshorten Zelfije, duke lënë jetim tre fëmijë : Hamitin rreth 12 vjeç, Zenelin dhe një motër. Hamit Bajram Guta, mësimet e para i mori nga kushëriri mulla Vesel Guta. Ai u njoh me kushëririn e vet të shpërngulur nga Jezerci, për t’i vijuar mësimet në Prizren. Mësuesi i parë i Hamit Gutës në Prizren, ka qenë patrioti i mirënjohur e profesori, Jakup Dardan. Hamit Guta, mësimet i filloi në Prizren. Përveç mësimeve fetare të mirëfillta nga mulla Veseli dhe hoxhët e fshatit, si mulla Hasani, mulla Ademi e mulla Mustafë Maloku, ai përfitoi mësime edhe nga mulla Ahmet Efendia i fshatit Balaj. Edhe ky ishte prej hoxhëve më përparimtarë e myderriz, i cili studimet e larta teologjike i kishte kryer në Stamboll. Sot, mësuesi Hajrush, veteran i arsimit, e kujton me dashamirësi mësuesin e tij të parë - mulla Hamit Gutën, për të cilin shkruan : “E kam pasur mësues të parë më 1941 në katundin Jezerc të Ferizajt. Ai ka qenë i pari nga mësuesit që hapi një paralele - mësonjëtore në Xhaminë e Jezercit, ndoshta nën ndikimin vendimtar të mulla Veselit. Brenda në xhami gjendej një dhomë e vogël, që nuk mjaftonte për t’i nxënë të gjithë nxënësit e mejtepit, të grumbulluar si bleta pranë mësuesit tonë, mulla Hamitit. Ai me shokët e tjerë të fshatit e zgjeruan lokalin, që brenda tij të vendoseshim 36 nxënësit e Mejtepit të parë në Jezerc. Kështu nga fshati Jezerc dhe fshati Neredime e Epërme, që ishte një lagje prej pesë shtëpive (familjeve) jezercase nga lagjja e Prarokut të zbritur në tokat e tyre. Edhe unë kam shkuar e kam mësuar te ky hoxhë i nderuar, i ditur, i aftë dhe që dëshironte tërë diturinë e tij t’ua jepte nxënësve të vet.

Keqtrajtime fizike të rënda në aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, në vitin 1955-56, prej të cilave represalie e me direktiva ultimative nga sundimtarët, u detyrua të shpërngulej nga Kosova në Shkup

Prej mësuesit mulla Hamit Guta, kam marrë e kam grumbulluar dituritë e para që, për mua dhe nxënësit e tjerë të tij, ishte një nder i veçantë e pasuri e madhe. Ky hoxhë punoi në këtë mejtep me ne deri në vitin 1943 - 44. Pastaj nga Shqipëria erdhi një mësues tjetër jezercas, shumë i nderuar, Munish Ramadani, që para 15 vjetësh ishte detyruar të largohej në Shqipëri, ngase monarkët shovinistë i likuiduan gjyshin Ramën dhe i rrezikuan të birin e tij, pra, Limanin, babain e Munish Ramadanit. Në atë kohë (1944-45), krahas ndërrimit të sistemit shoqëror, ndërroi edhe sistemi arsimor. Mulla Hamit Guta u lidh ngushtë me mësuesin e ardhshëm Munish Ramadani, i cili për herë të parë hapte mësimoren për shkollimin e filloristëve të parë në gjuhën shqipe në Jezerc.

Mësuesi fetar me mësuesin shkollor u pajtuan në mes tyre dhe kështu mulla Hamiti ia lëshoi dhomën e mësimit dhe ia dha 36 nxënësit e mejtepit mësuesit Munish Ramadani, për t’i mësuar ai. Nga ky ndërrim i mësuesit nuk hetuam asnjë mospajtim, sepse që të dy ishin të fshatit tonë e shumë të dashur. Ky ndërrim qe shumë i dhimbshëm, dhe neve, duke mos ditur shumë se çka ndryshonte nga sistemi mësimor, na shpërtheu një vaj i çuditshëm, sa ndoshta nuk mbeti asnjë nxënës pa qarë. U përjetua një moment i rrallë e i papërsëritshëm !... Ndodhi një e qarë e prekshme, sepse në një anë na dhimbsej largimi nga mësuesi i parë, edhe pse të dytin në gjuhën shqipe e pritnim me gëzim... Këtë ngjarje më të prekshme, në mes hidhërimit e gëzimit, nuk mund ta harroj kurrë në jetën time !” - ka shënuar në fletoren e tij, mësuesi Hajrush. Ai zhvilloi një veprimtari fetare si hoxhë në shërbim të bashkëvendësve të Jezercit, si dhe veprimtari të pleqnarit më të dalluar në emër të Zotit dhe në shërbim të popullit. Nga kjo veprimtari e ndritshme si një pleqnar i matur, i ditur e mendjehollë dhe më i dalluari, fitoi autoritet të madh në mjedisin e jezercasve, në rrethinën e Ferizajt e më gjerë.

Largimi i tij prej Jezercit, një humbje e madhe dhe varfërim për Jezercin, Ferizajn e më gjerë.

Mulla Hamit Guta ishte i njohur edhe jashtë fshatit të tij, me emrin mulla Hamit Jezerci. Atë e kërkonin për t’i mbyllur ngatërresat dhe gjaqet në komunën e Suharekës, Lipjanit, Kaçanikut, Gjilanit dhe kudo që i kërkohej prej popullit. Gjatë tërë kohës nën ishpushtuesit, ky patriot i madh nuk u nënshtrua e turpërua kurrë përballë represalieve që i bëheshin. Nga kjo qëndresë e panënshtruar, mulla Hamiti me të birin Bajramin, që trashëgoi emrin e gjyshit, pësuan keqtrajtime fizike të rënda në aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, në vitin 1955-56, prej të cilave represalie e me direktiva ultimative nga sundimtarët, u detyrua të shpërngulej nga Kosova në Shkup !... Xha Hajrushi, nga shënimet e tij, shkëput edhe këtë : “Gjatë kohës së vuajtjeve të mia në burgun e Nishit nga viti 1951, u njoha me patriotin e madh të Nacional-Demokratës Shqiptare, Jakup Dardanin, i dënuar me 20 vjet burgim të rëndë. Në bisedë me mua nga Jezerci, ai më pyeti për mulla Hamit Gutën dhe më pyeti nëse ai e mban ende kësulën e bardhë si dëbora. – Po, i thashë, - ashtu me kësulë të bardhë, si e keni mësuar ju atëherë dhe i palëkundshëm edhe tash. Largimi i mulla Hamit Gutës në vitin 1956 prej Jezercit, përveç dhimbjes së thellë, ka qenë edhe një humbje e madhe dhe varfërim për Jezercin, Ferizajn e më gjerë”, - përfundon shënimi i bacës Hajrush për mësuesin e tij mulla Hamit Guta. Mulla Hamit Guta ka ndërruar jete ne vitin 1983.