Muriel Barbery
Muriel Barbery (lexohet Myriél Barberí, Kazablanka, Marok, 1969) është shkrimtare franceze e cila arriti popullaritet me romanin e saj të dytë, L'élégance du hérisson, (Paris, 2006, përkthyer në shqip si Eleganca e iriqit, Tiranë, 2011). [1]
Pas studimeve në filozofi në Ecole Normale Supérieure në Fontenay-Saint-Cloud të Francës, Barbery pati dhënë mësim në një lice në qytezën e Saint-Lô-së në Normandi. Në vitin 2000, botoi romanin e saj të parë, Une gourmandise (Neps), i cili pati mjaft sukses dhe shitje dhe pjesë tij antologjizohen sot në përmbledhjet e letërsisë gastronomike.
Por Eleganca e iriqit ishte libri që e katapultoi ndër shkrimtaret më të lexuara të kohës së sotme në Francë, duke i dhënë Çmimin e Librarive dhe atë të Bibliotekave (çmime që jepen nga rrjetet e librarive dhe bibliotekave të atij vendi për librin më të pëlqyer të vitit). Libri është përkthyer në mbi tri duzina gjuhësh të tjera.
Romani ndërthur historitë brenda një pallati të borgjezisë së lartë brenda Parisit të konsierzhës--portieres dhe administratores--së pallatit dhe një adoleshenteje në krizë ekzistenciale që banonte aty. Nëpërmjet këtyre dy personazheve, libri trajton paragjykimet e thella klasore, por edhe kulturën japoneze (trajtimi i veprës së regjisorit klasik japonez Yasujirō Ozu, për shembull), filozofinë bashkëkohore dhe të lashtë (Marksi i para-1848-ës apo Husserl-i), epokën e re të komunikimit masiv dhe internetit, dhe është trajtesë e teorive moderne të narracionit--të përdorimit të ndërgjegjshëm si artifice nga autori të personazheve që tregojnë historinë (historitë) e romanit, kthyer kjo në meditim mbi rolin e artit në jetën e njeriut.[2]