Jump to content

Imam Myslimi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Muslim ibn al-Hadxhāxh-i)
Kaligrafia e imam myslimit

Emri i plotë i Imam Myslimit është Abdyl-Husein Asakir-ed-Din Myslim b. Haxhaxh el-Kushejri el-Naisaburi. "Myslimi" ashtu si e tregon nasba e tij, i përkiste fisit Kushejr të arabëve, pinjoll i klanit të madh të Rabia. Ai lindi në Naisabur (Nishapur) në vitin 202/817 ose 206/821. Prindërit e tij ishin besimtarë dhe ai u rrit në një atmosferë besimi. Kjo i la mbresa të forta në mendjen e tij dhe ai gjithë jetën e tij iu frikësua Zotit dhe gjithmonë përkrahu rrugën e drejtë. Ai ishte një shenjt i shkallës së lartë. Karakteri i tij i shkëlqyer moral mund të gjykohet nga fakti i thjeshtë se ai nuk u mor asnjëherë me përgojime, që është një e metë e zakonshme njerëzore.

Imam Myslimi udhëtoi shumë, për të mbledhur traditat, në Arabi, Egjipt, Siri dhe Irak, ku ai mori pjesë në leksionet e disa prej tradicionalistëve më të njohur të kohës së tij: Ishak b. Rahwaih, Ahmed b. Hanbelin, Ubejdullah el-Kawariri, Kuteibe b. Said, Abdullah b. Mesleme, Harmalah b. Jahja dhe shumë të tjerë.

Pasi mbaroi studimet ai u vendos në Nishapur. Pastaj u njoh me Imam Buhariun, dija e të cilit për hadithin dhe mprehtësia e tij e madhe për të, i lanë shumë përshtypje. Këto e lidhën Myslimin me Buhariun deri në fund të jetës së tij. Ai ishte admirues i zjarrtë dhe i një mësuesi tjetër të madh të hadithit, i Muhamed b. Jahja edh-Dhuheli. Ai shkonte në leksionet e tij rregullisht, por kur ndryshimi i mendimit mes Muhamed b. Jahja dhe Imam Buhariut, për çështjen e krijimit të Kuranit të shenjtë, u kthye në armiqësi, Imam Myslimi qëndroi me Imam Buhariun dhe e braktisi Muhamed b. Jahjan. Pra ai u bë një ndjekës i vërtetë i Imam Buhariut.

Ai shkroi shumë libra për hadithin, por vepra më e rëndësishme e tij është koleksioni Sahih. Disa komentues të hadithit janë të mendimit se nga disa anë është vepra më autentike dhe më e mirë për këtë temë. Imam Myslimit iu desh shumë punë që të mblidhte 300 000 tradita dhe pastaj pas një shqyrtimi të plotë të tyre, ai mbajti vetëm 4000, vërtetësia e të cilave është shpallur plotësisht.1

Në përpilimin e tij ai shtoi një hyrje sqaruese, ku specifikoi disa prej parimeve që kishte ndjekur për zgjedhjen e materialit të tij.

Imam Myslimi ka dhënë kontribute të tjera të vlefshme në degë të ndryshme të literaturës së Hadithit dhe pjesa më e madhe e tyre e kanë ruajtur rëndësinë e tyre edhe në ditët e sotme. Mes tyre shumë të rëndësishme janë Kirab el-Musnad el-Kabir Ala el-Rixhal, Xhami Kebir, Kitab, el Asma vel-Kuna, Kitab el-Ilal, Kitab el-Uixhdan.

Metodat e tij të klasifikimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Imam Myslimi studioi me saktësi shumë parime të shkencës së hadithit, të cilat nuk ishin marrë disi parasysh nga mësuesi i tij i madh Imam Buhariu (Allahu i mëshiroftë). Imam Myslimi i konsideroi autentike dhe të vërteta vetëm ato tradita që i ishin transmetuar atij nga një zinxhir i pandërprerë i personave të besueshëm dhe ishin në përputhje të plotë me atë që është treguar nga transmetuesit e tjerë, besueshmëria e të cilëve ishte pranuar unanimisht dhe të cilët ishin pa të meta.

Për më tepër, Imam Buhariu, ndërsa përshkruan zinxhirin e transmetuesve, ndonjëherë përmend kunja-n e tyre dhe ndonjëherë jep emrat. Kjo është e vërtetë veçanërisht në rastin e transmetuesve nga Siria. Kjo krijon një lloj pështjellimi, që Imam Myslimi e ka shmangur. Imam Myslimi i kushtoi vëmendje të veçantë vendosjes së fjalëve të sakta të tregimtarëve dhe thekson madje dhe ndryshimin më të vogël në formulimin e transmetimeve të tyre.

Imam Myslimi i kushtoi rëndësi ndryshimit mes dy metodave të njohura të transmetimit, haddathana (ai na e tregoi ne) dhe akhbarana (ai na informoi ne). Ai është i mendimit se mënyra e parë përdoret vetëm kur mësuesi po e tregon hadithin dhe nxënësi po e dëgjon, ndërsa mënyra e dytë nënkupton se nxënësi po e lexon hadithin para mësuesit. Kjo pasqyron kujdesin e tij të madh në transmetimin e haditheve.

Imam Myslimi ka punuar shumë dhe për lidhjen e zinxhirit të transmetuesve. Ai ka regjistruar vetëm atë hadith të cilin e kishin dëgjuar të paktën dy tabiinë të besueshëm, prej dy shokëve të profetit dhe ky parim është ruajtur gjatë gjithë zinxhirit pasues të transmetuesve.

Imam Myslimi kishte një rreth të gjerë studentësh, të cilët mësuan Hadithin prej tij. Disa prej tyre zënë një vend me rëndësi në historinë islame si për shembull Ebu Hatim Razi, Musa b. Harun, Ahmed b. Salama, Ebu Isa Tirmidhi, Ebu Bekr b. Huseime, Ebu Avana dhe Hafiz Dhehebi.

Imam Myslimi jetoi në këtë botë 55 vjet. Gjatë jetës së tij ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës duke mësuar Hadithin, duke e përpiluar atë, duke ua mësuar të tjerëve dhe duke e transmetuar atë. Ai mbeti i tërhequr nga ky aktivitet i vetëm dhe asnjë nuk mund t'ia hiqte vëmendjen nga kjo detyrë fetare. Ai vdiq në vitin 261/875 dhe u varros në periferi të Nishapurit.

(1) Është e rëndësishme të heqim një prej dyshimeve sipas të cilit po punojnë shumë orientalistë dhe dijetarë myslimanë me frymë perëndimore. Kur atyre u thuhet se imam Mslimi zgjodhi vetëm 4000 hadithe nga koleksioni prej 300 000 hadithesh, ata mendojnë se përderisa një numër kaq i madh hadithesh ishin të dyshimta dhe u refuzuan atëherë ata dalin në përfundimin se gjithë grupi i haditheve është fals dhe se duhet të refuzohet. Kjo tradhton injorancën e plotë të kritikëve edhe për dijen elementare të hadithit. Matn (teksti) nuk është baza mbi të cilën llogaritet numri i haditheve. Hadithet numërohen sipas zinxhirit të transmetimit. Si rrjedhim kur ne themi se Imam Muslimi mblodhi 300 000 hadithe dhe në përpilimin e tij përfshiu vetëm 4 000, kjo nuk nënkupton se ai e refuzoi pjesën tjetër të thënieve të profetit si të dyshimta. Kjo do të thotë se fjalët dhe veprat e profetit (a.s) iu transmetuan Imam Muslimit nëpërmjet shumë zinxhirëve të transmetimit, prej të cilave ai zgjodhi 4 000 si më autentike dhe e transmetoi tekstin sipas autoritetit të tyre. Një tekst (matn) që transmetohet nëpërmjet një qind senedeve në literaturën e hadithit, trajtohet si një qind tradita. Për shembull, teksti i hadithit të parë të Buhariut (veprat bazohen tek qëllimi) llogaritet si zgjedhje e njërit prej 700 haditheve, përderisa është transmetuar nga një numër i madh kaq sendesh.