Shko te përmbajtja

Mustafa Nuri Vlora

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mustafa Nuri bej Vlora (turqisht: Avlonyalı Mustafa Nuri Paşa; 1830/31 - Mine, 1885/86) ka qenë një politikan osman me prejardhje shqiptare, aktiv në lëvizjen kombëtare shqiptare të pas-Tanzimatit, pjesë e administratë osmane më pas si dhe deputet i parlamentit të parë osman përfaqësues i vilajetit të Janinës.

Mustafa Nuriu u lind në oxhakun e shquar të Vlorajve, i biri i Haxhi Beqir Vlorës, një haznedar. Ai ishte i vëllai mytesarifit të Gjirokastrës, Selim Pashait (l. 1820). Sipas burimeve osmane ai mori një arsimim tradicional fetar me mësues privat, por gjithashtu mësoi edhe lëndë të tjera pasi që njoftohet se dinte të fliste, shkruante dhe këndonte elsine-i selase (turqisht për "tri gjuhët", arabisht, persisht e turqisht), frëngjisht dhe greqisht, si dhe dinte të fliste italishten dhe shqipen.[1]

Pas dështimit të kryengritjes së familjes së tij kundër Tanzimatit, u internua me të vëllanë dhe kushërinjtë në Konia gjatë viteve 1848-1851. Megjithatë pak vite më pas nisi karrierën administrative duke u emëruar në Komisionin Lëvizës të Vilajetit të Janinës më 1854-1855 dhe anëtar i këshillit të vilajetit vitin që pasoi. Më tej shërbeu në vende të ndryshme si kajmekam: Gjirokastër (1862-1863), Korçë (1863-1864) dhe Nartë (1865-1866). U emërua zëvendës i Mid'hat Pashës kur ky qe vali i vilajetit të Danubit (1865-1866). Më 1867-1868 u ngrit në detyrën e nënsekretarit, si i tillë shërbeu në Resmo (1867-1870) dhe Kandije (1870-1871), po në Kretë. Më 1873 pasi kaloi gjashtë muaj në Vlorë, u dërgua në Hercegovinë për të shërbyer si mytesarif. Më 1876 kaloi 7 muaj në Vlorë para se të emërohej në këshillin e valiut të Kretës, prej ku dha dorëheqjen më 1877 dhe nuk mbuloi asnjë detyrë zyrtare për 14 muajt e ardhshëm.[1]

Mori pjesë në kuvendin e Mesaplikut, në maj të vitit 1847. Në fillim të vitit 1877 krijoi në Vlorë batalione vullnetarësh prej disa qindra vetash për të mbrojtur viset shqiptare nga pretendimet shoviniste greke. Në qershor 1878 u zgjodh kryetar i degës së Lidhjes Shqiptare për Vlorën. Mori pjesë në hartimin e protestave drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Kongresit të Berlinit. Në mbledhjen e Prevezës (shkurt 1879) ku u shqyrtua çështja e kufijve të Jugut, ishte përfaqësues i Komitetit të Lidhjes për Vlorën. Në korrik 1880, në krye të një komisioni shkoi në Shkodër për forcimin e bashkëpunimit Veri-Jug në mbrojtje të kufijve të vendit. Si veprimtar i Shqipërisë së Jugut u bë krahu i djathtë i Abdyl Frashërit.

  1. 1 2 Bilmez, Bülent; Clayer, Nathalie (2016). "A prosopographic study one some 'Albanian' deputies". The First Ottoman Experiment in Democracy (PDF) (në anglisht). Würzburg: Ergon Verlag in Kommission. fq. 164–166.