Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Korçë
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar., u krijua në vitin 1980, dhe përmban një nga koleksionet më të pasura të Mesjetës, të Artit Bizantin dhe Postbizantin, si dhe objekteve të tjera joreligjoze. Në fondet dhe ekspozitat e tij numërohen rreth 8000 objekte, (ikona, gur, dru, copë dhe metale). Këto artefakte janë dëshmi e qartë e pasurisë sonë artistike dhe trashëgimisë kulturore.
Pas një periudhe të gjatë mesjetare, të një histori mbijetese, të popullit tonë, të një lufte të pafund, ku sundues të ndryshëm gjithmonë kanë tentuar për të përvetësuar apo nënvlerësuar trashëgiminë tonë kulturore, dhe falë disa heronjve të kohës diktatoriale, të cilët arritën të shpëtonin një numër të konsiderueshëm ikonash, nga shkatërrimi i ideologjisë komuniste, ne sot mund të admirojmë Artin Bizantin në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.
Ne sot mund t’i vështrojmë këto ikona në dru apo relieve të gdhendura në gur, jo vetëm si objekte fetare dhe të njihemi me traditat, besimet dhe ritualet, por të zbulojmë në to dhe artin e vërtetë figurativ që është kultivuar në shekuj. Mund të zbulojmë teknikat, temat, jetën e përditshme, kostumet, traditat dhe mbi të gjitha të dalin në pah shprehjet individuale të artistëve të cilët kanë shënuar një emër jo vetëm në ikonografinë shqiptare, por edhe në artin vizual.
Përgjatë kohës së diktaturës, ku lufta kundrejt fesë, besimit religjoz, objekteve të kultit ishte kthyer në qëllimin kryesor, Muzeu Kombëtar I Artit Mesjetar, u strehua pikërisht nën kupolën e një prej kishave kryesore të qytetit të Korçës, “Burimit Jetëdhënës”, e cila, qoftë në mënyrë simbolike, por edhe të drejtëpërdrejtë, i dhuroi dhe mbajti në jetë shumë vlera të vërteta besimi, historike, artistike, dhe dëshmoi një traditë dhe kulturë të popullit tonë ndër shekuj.
Prej vitit 2016, ndodhet në një ndërtesë bashkëkohore, me të gjitha parametrat e duhur, për një ekspozim dhe konservim, restaurim, ideal të këtyre vlerave të paçmueshme.
Arti Mesjetar reflektohet në harmoni me arkitekturën moderne. Mbizotërojnë ngjyrat bizantine, njëkohësisht dhe mistika e një bote tjetër, duke e sjellë eksperiencën në muze krejt të veçantë dhe shumë mbresëlënëse.
Galeria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]-
"Ngjallja e Llazarit". Ikonë bizantine pikturuar nga Onufri. Shekulli i 16-të.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]